Kryesore

Kriza politike, Kumbaro: Ekzistojnë dy skenarët si mund të ecet më tej

15:03 - 11.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Atentat ndaj demokracisë”. Kështu e konsideron ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro vendimin e opozitës për të djegur mandatet duke kërkuar largimin e një qeverie legjitime. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” Kumbaro teksa komenton situatën politike në vend, shprehet se sjellja e opozitës përveçse po përpiqet të godasë parimet e demokracisë, por dëmton rënd edhe procesin e integrimit të vendit në BE. Sipas saj humbjet e njëpasnjëshme të opozitës në zgjedhje, por edhe frika nga institucionet e reja të reformës në drejtësi janë shkaqet e “irracionalitetit dhe tërheqjes në greminë të të gjithë opozitës aktuale”.




Ajo rendit dy skenarë se si mund të ecet më tej për të dalë nga ky ngërç: i pari është që të vijohet me plotësimin e vendeve vakante, ndonëse e pranon se kjo sjell normalitet dhe skenari i dytë ai i uljes në tryezën e dialogut. Ndërkohë që ajo ndonëse nuk i sheh deputetët e rinj si një opozitë e re, shprehet se Kuvendi ligjërisht do e vijojë mandatin deri në vitin 2021. Duke folur më pas për qeverisjen, Kumbaro ka komentuar edhe ndryshimet në qeveri. Ajo thekson se ndryshimet në qeveri ishin më se normale në mes të mandatit të dytë qeverisës dhe aq më shumë pas protestës së studentëve. Kumbaro ka komentuar edhe raportet e marrëdhënieve me kryeministrin.

Zonja Kumbaro vendi po përballet me një përplasje të fortë politike, ku veç protestave të dhunshme, opozita ka ndërmarrë dhe një akt ekstrem dhe të paprecedent, atë të djegies së mandateve të deputetëve. Çfarë po ndodh? Keni një koment?
Çfarë po ndodh, është pyetja që bëjmë të gjithë. E bëjmë ne që jemi në mazhorancë, njerëzit kudo nëpër Shqipëri, ndërkombëtarët çdo ditë, por edhe vetë anëtarë të opozitës që janë të përçarë e të çorientuar, sepse shohin përballë murin që po i bihet me kokë dhe jo perspektivë të qartë. Komenti im është se ky është një atentat ndaj demokracisë në përgjithësi dhe përtej Shqipërisë, por dhe atentat kundër procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

Opozita nga ana e saj ka bërë kalë të betejës së saj politike pikërisht akuzat për vjedhje votash, teksa për disa muaj me radhë ka kërkuar largimin e kreut të Bashkisë së Durrësit, si të implikuar në blerjen e votave. Nëse mazhoranca do ishte përgjigjur më parë kësaj kërkese të opozitës mund të ishte shmangur kjo situatë?
Akuza që vijnë si retorikë politike në rrugë, nuk mund të sjellin tjetër reagim të mazhorancës përveç kërkesës për t’iu drejtuar organeve të drejtësisë. Nuk e imagjinoj se si mund të reagohet ndryshe. Çdo sjellje tjetër është përçudnim i institucioneve dhe arbitraritet. Mazhoranca nuk është as prokurori as gjykatë. Dhe kjo mazhorancë e ka treguar se kur drejtësia ka folur kemi respektuar një më një vendimet e saj. Po kështu kur ne si mazhorancë mendojmë se kemi vend për të bërë një akuzë i jemi drejtuar organeve të drejtësisë.

Cilat janë sipas jush arsyet e vërteta të kësaj sjellje nga ana e opozitës?
Dëshpërimi nga humbjet e akumuluara dhe nga dështimet që ka ndërtuar me duart e veta lidershipi i opozitës, por edhe frika e lidershipit historik të kësaj opozite nga hyrja në fuqi e aksionit të SPAK dhe të organeve të vetingut. Kjo shpjegon irracionalitetin dhe tërheqjen në greminë të të gjithë opozitës aktuale.
Ndërkohë që tashmë ajo e ka bërë fakt të kryer djegien e mandateve. Si do vazhdohet më tej, do zëvendësohet opozita në parlament?
Fatkeqësisht pjesa më e madhe e deputetëve të opozitës e ka bërë fakt, ndonëse, ju siguroj, ka prej tyre që brenda vetes së tyre dhe nën zë nuk e miratojnë këtë gjë. Ashtu sikurse ka të tjerë që hapur janë shprehur dyshues ose kundra.

Dhe për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj shoh dy skenarë:
I pari është ligjor dhe po ndodh; krijohen vakanca në parlament dhe ligji i hap rrugën kandidatit tjetër në listën e partisë përkatëse për të zënë vendin në parlament. Deputetët e rinj të opozitës po zënë vend, a do plotësohen vendet apo jo, mbetet për t’u parë. Por ngado që ta rrotullosh situatën kjo nuk është normale dhe nuk mund të shtiremi sikur jemi në një proces normal të marrjes së mandateve, sepse as lënia e mandateve nuk ishte një proces normal.
Skenari i dytë është ai që kërkojmë dhe urojmë: ulja në tryezë për të dialoguar dhe për ta futur situatën në shinat e kushtetutës dhe të kuvendimit institucional. Por theksoj të ulemi për dialog në interes të Shqipërisë dhe jo për pazare në interes të një partie.
Skenarin e parë s’e ndalojmë dot, të dytin duhet ta nxisim e ta inkurajojmë. Ne jemi gati.

Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje për dialog, ndërkohë që kryeministri ka deklaruar se është i gatshëm të dialogojë, por jo të negociojë. Në këto kushte çfarë mund të negociohet?
Përgjigjja e kësaj pyetjeje gjendet te skenari i dytë që përshkova pak më parë. Pra nuk bëjmë pazar me qeverisjen dhe me institucionet, nuk bëjmë pazar me reformën në drejtësi, nuk bëjmë pazar me rolin që duhet të luajnë institucionet dhe që nuk mund të zëvendësohen nga vullnetet e individëve, qofshin dhe kryetarët e partive. Dialogu në tryezë dhe ndalimi i dhunës dhe i nxitjes së saj është hapi i parë drejt gjetjes së zgjidhjes.

Mund të kemi marrëveshje tjetër politike mes mazhorancës dhe opozitës për të shtyrë datën e zgjedhjeve lokale dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare?
Nuk shoh asnjë arsye për të shtyrë zgjedhjet lokale që janë shpallur tashmë në përputhje me Kushtetutën nga Presidenti i Republikës. Dhe as për zgjedhje të parakohshme parlamentare, sepse parlamenti që kemi është zgjedhur në mënyrë të ligjshme dhe të gjithëpranuar, po kështu dhe qeveria është krejt legjitime. Shqipëria ka një prioritet që është mobilizimi i të gjitha forcave për të mbërritur në finish të negociatave. Ky nuk është prioritet i Partisë Socialiste, por i shqiptarëve dhe ta sakrifikosh këtë për interesa të cilësdo parti është meskinitet i rrezikshëm.

Po nëse opozita nuk merr pjesë në zgjedhjet vendore a do mbahen ato?
Jemi ende larg këtij momenti, por Partia Socialiste nuk e ka vënë në diskutim dekretin e Presidentit për zgjedhjet e shpallura në 30 qershor. Ama kryefjala tani është të mbërrijmë në dialog dhe të ruajmë stabilitetin e vendit i cili po dëmtohet çdo ditë në kurriz të shqiptarëve.

Në Kuvend po krijohet një opozitë e re, me deputetë të rinj. Sa jetëgjatë mund të jetë një parlament me një opozitë të tillë?
Nuk më duket se është ende një opozitë e re. Janë deputetë të rinj të së njëjtës opozitë, të të njëjtave parti. Dhe ligjërisht parlamenti do të jetë afatgjatë deri në zgjedhjet e ardhshme në 2021. Nëse me këta zëra të rinj do të kemi më vonë një riformatim apo rinovim të forcave politike në opozitë, kjo mbetet për t’u parë.

Ju vetë personalisht deri para pak muajsh ishit pjesë e qeverisë, ndërsa tashmë deputete. Për ju që e keni parë qeverinë edhe nga brenda edhe nga jashtë, si do e vlerësoni qeverisjen dhe çfarë duhet të ndryshojë si reagim edhe ndaj këtyre protestave?
Qeverisja është gjithmonë një rrugë me sfida, por edhe një ekuacion ku duhet të zgjidhësh të panjohura. E them pa ngurrim se është bërë një punë gjigande, që ndoshta nuk duket nga jashtë sa duhet, dhe mbase koha do ta tregojë, sepse do duhet qetësi për këtë. Unë vetë arrij ta perceptoj më mirë, tani që jam jashtë, punën kolosale të bërë nga Ministria e Kulturës se sa kur isha në detyrë, pasi ritmi është i tillë që nuk ke kohë të kthesh kokën pas, por duhet të orientohesh për të përgatitur ditën, javën, muajin, vitin që vjen. Nga ana tjetër, secili nga ne ka një rol bashkëpunues dhe konstruktiv për të luajtur në mazhorancë, qoftë si ministër, qoftë si deputet, asnjëri nuk bën dot pa tjetrin. Përtej punës dhe arritjeve, jam e ndërgjegjshme se nuk kemi bërë dot sa kemi dashur, dhe se ende mbetet shumë, e për këtë s’duhet humbur asnjë ditë. Protestat e studentëve ishin alarmi i duhur, në kohën e duhur e në mënyrën e duhur për ta kuptuar e aktualizuar këtë nevojë. Personalisht jam ndjerë krenare për studentët që protestuan dhe ka qenë një mësim shumë i mirë për politikën por edhe për shoqërinë shqiptare.

Zonja Kumbaro si e pritët vendimin e kryeministrit për të bërë një operacion të thellë në qeveri, duke ndryshuar më shumë se gjysmën e ministrave, përfshirë edhe ju?
Për mua është një vendim normal për një mazhorancë qeverisëse dhe në tagrin e kryeministrit si kapiten skuadre, që të formojë, ndryshojë apo rinovojë skuadrën e vet duke ndryshuar rolet e aktorëve brenda skuadrës. Akoma më e parashikueshme është kjo lëvizje në mandatin e dytë dhe në një moment kur shoqëria reagon me pjesën e saj më të shëndetshme siç janë rinia dhe studentët. Do të ishte miopi të mos e shohësh dhe mungesë vizioni të mos reagosh. Kjo mazhorancë ka treguar disa herë në këto thuajse 6 vite, se është e ndjeshme ndaj zërit të shoqërisë, se di të reflektojë, se di të reagojë, së di të kërkojë ndjesë dhe të korrigjohet dhe se ka mjaftueshëm forca drejtuese, politike, ekzekutive dhe intelektuale për të mbetur forca e padyshimtë në rolin qeverisës të vendit.

Gjatë momentit të prezantimit të ndryshimeve prej kryeministrit në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare në fund të dhjetorit, kamerat e televizioneve ju kanë fiksuar emocionalisht të prekur. Çfarë ndodhi, ishte e papritur edhe për ju ky ndryshim apo kryeministri ua kishte komunikuar më parë vendimin e tij për të bërë ndryshime në qeveri?
Nuk më habit më fakti që portalet dhe rrjetet sociale janë të pangopura në kërkim të melodramave politike me të cilat synojnë përtacisht dhe në mënyrë aspak inteligjente të rrisin klikimet. Se ku e patë e se ku e gjetët këtë “prekjen emocionale” s’arrij ta kuptoj, por as ju vetë s’e gjeni dot. Ju ka ikur melodrama në drejtim të paditur…

Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me kryeministrin Rama, a ka qenë e vështirë të punosh me të në një qeveri? Kam parasysh një moment të mëparshëm ku ju keni pasur dhe një debat publik me të në sallën e Kuvendit ku edhe lotuat …
Si në një skuadër që ndërton projekte dhe ka vizion. Marrëdhënie bashkëpunimi dhe këmbimi të ideve nga më të thjeshtat deri të më të vështirat, por bash për këtë edhe të bukura. Prova për këtë janë projektet e ndërtuara në këto gati 5 vjet e gjysmë qeverisje ku ndërtuam 5 muze të rinj, 4 teatro, pa folur për qindra restaurime në të gjithë Shqipërinë, e qindra aktivitete e programe kulturore jashtë e brenda vendit, sa nuk ishin bërë në 25 vjet. Më tej, nuk merrem me telenovelat bajate që shpikin lot kur s’dinë si të rrisin klikimet. E thashë një here.

Ju vetë personalisht si do ta vlerësonit punën tuaj në krye të Ministrisë së Kulturës, çfarë do donit të bënit ndryshe?
Unë vij nga përvoja e gjatë prej 3 dekadash e botës akademike, ku më kanë mësuar dhe ku u kam mësuar të tjerëve se vlerësimi më i mirë nuk është ai që i bën vetes, por ai që të bëjnë të tjerët. Nëse do ta nisja nga e para? E vetmja gjë që do kisha bërë ndryshe është se do të kisha treguar shumë më tepër kujdes e vëmendje që projektet e programet e realizuara nga Skuadra e Kulturës, t’i komunikonim e t’ua tregonim më shumë dhe çdo ditë publikut, me qëllim që të kuptohet puna që kanë bërë me qindra njerëz punëshumë e fjalëpak.

Po prurjet e reja në qeveri si i patë, a ishin ato të goditura?
Janë zgjedhje që sjellin energji të reja, njerëz të rinj, që garantojnë vazhdimësinë e punëve të bëra mirë dhe japin besim për të përmirësuar dhe për të ecur më shpejt në realizimin e programit të parashikuar për këtë mandat qeverisës.

Keni një koment për pasuesen tuaj në Ministrinë e Kulturës?
Skuadra e Kulturës është një skuadër e konsoliduar tashmë dhe drejtimi i saj nga Elva Margariti është garanci për sukses dhe për ide bashkëkohore. Më vjen shumë mirë që një zonjë drejton punët e kulturës dhe jam e bindur se do të lërë gjurmën e vet me shije dhe elegancë.

Ju përfaqësoni Qarkun e Gjirokastrës në Kuvend. Mund të na thoni e ka përzgjedh PS kandidatin e saj për Bashkinë e Gjirokastrës dhe Përmetit? Mund të na thoni emrat e tyre?
Ende jo, sepse ky është proces që vazhdon, proces që ka nisur që pas zgjedhjeve lokale të 2015, proces vëzhgimi, bashkëpunimi, por edhe kontestimi, sepse në të dy këto bashki qeverisja lokale ka lënë shumë për të dëshiruar. Në të dy këto njësi vendore bashkitë janë kthyer në histori personale elektorale të kryebashkiakëve. Pikërisht për këtë qeveria ka qenë dhe është shumë e pranishme me investime dhe ndërhyrje të drejtpërdrejta për të kompensuar shërbimet e munguara nga bashkitë, por edhe për të siguruar zhvillim të zonës, çka është tashmë evidente nga Përmeti në Gjirokastër.
E them këtë me bindje e përgjegjësi duke qenë se e ndjek nga shumë afër Qarkun dhe jam në kontakt të përditshëm edhe me përmetarët edhe me gjirokastritët. Dhe nuk kam as dyshimin më të vogël se kandidatët e Partisë Socialiste, do të jenë fitues jo vetëm për figurën personale, por edhe sepse do të përfaqësojnë forcën që ka treguar se fiton me program dhe punë për të gjithë, e jo vetëm për militantët e kryebashkiakëve aktualë.

Një nga bashkitë më me interes është edhe ajo e Tiranës. Si ka drejtuar Veliaj dhe a duhet të rikandidojë ai për një mandat tjetër?
Tirana është rasti ideal ku puna flet vetë dhe shumë më tepër se të gjitha fjalët tona. Jo më kot në të gjitha qarqet zgjedhësit kërkojnë një kryebashkiak si modeli i Erion Veliajt. Tirana vetëm në 4 vjet është bërë realisht Tirana që duam. Pyetja juaj është aq retorike sa ju e dini dhe vetë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.