Opinion-Komente

Të trembëdhjetët në bronz

07:35 - 13.03.19 Fatos Çoçoli

Një nga anëtarët(shumë të rrallë, për fat të keq) kurajozë të Kuvendit të Shqipërisë, deputetit që pranoi të vozisë i vetëm kundër gjithë rrymës së partisë së vet, duke qëndruar deputet, shqiptoi përpara pak kohësh një të vërtetë tejet të hidhur. Faktin që shumicën e tenderëve kryesorë publikë të vendit tonë në këta 8 vitet e fundit(rreth 4.2 miliardë euro) e kanë marrë vetëm 13 kompani më të mëdha tonat. Me pozita mbizotëruese në tregjet ku veprojnë(ndërtim, shitje me pakicë, etj.). Nuk ka asgjë të keqe që këto kompani të garojnë për paranë e taksapaguesve të këtij vendi në kushte gare të barabartë. Me rregulla loje që nuk ndryshohen rrugës. Mirëpo problemi i madh i ekonomisë sonë publike qëndron se rregullat, ose janë ndryshuar në ankand e sipër, ose kanë ngelur fiktivë, kallpë, duke trukuar, shpërfytyruar garën. Dhe kanë humbur trefish  qytetarët e këtij vendi nga mosrespektimi i këtyre rregullave. Së pari, kanë humbur, sepse ato objekte investimi publik(rrugë, ura, sheshe, etj) apo shërbimesh(shëndetësore, doganore, etj.) kanë kushtuar shumë më tepër, në disa raste edhe me herë më shumë, se sa po të kishte patur garë të rregullt dhe të pastër. Së dyti, kanë humbur në mungesën e pranisë së firmave të huaja të njohura dhe me kapital nga jashtë Shqipërisë. Dhe dihet që në dhjetë vitet e fundit (2009-2018) kemi patur një mungesë ulëritëse pjesëmarrjeje në tenderët e shtetit tonë, edhe qindra milionë eurosh, nga ana e kompanive të huaja me emër në fushën e ndërtimit, shërbimit, etj., në rajon e më gjerë. Së treti, kanë humbur se paratë kryesore për të kryer veprat(akset rrugore, etj.) të tenderëve të fituara, këto 13 kompanitë tona do t’i marrin hua nga sistemi ynë bankar, pra nga të 14 bankat tregtare të vendit, duke ulur mundësitë që ne si qytetarë apo me mijëra sipërmarrjet e tjera private të marrin kredi.



Ndërsa qytetarët kanë humbur trefish, pronarët e kompanive mbizotëruese vendase (ata që sot shumëkush me zell i quan apo “shan” oligarkë) janë ndjerë më mirë. Madje, për ta rritja ekonomike ka qenë edhe 11 apo 12 për qind(si shtim i vëllimit të punëve apo fitimit), nga 4 për qind të mesatares së rritjes ekonomike të vendit. Kuptohet, me pëlqimin në heshtje ose veprimin aktiv të këtyre pronarëve, që ndryshuesit publikë të rregullave të lojës, drejtorët e drejtorive apo edhe ministrat kanë ditur si t’i miklojnë ose shpërblejnë. Ndërsa i huaji, kompania e huaj nuk arrin dot të bëjë muhabetin përpara ankandit, të tipit: “nëse komisioni i vlerësimit të ofertave më vlerëson mua të parin, 20 për qind të tenderit e ke ti dhe ministri yt”. Jo. I huaji thjesht depoziton letrat në rregull në ankand dhe pret të vlerësohet oferta e tij. Nuk merr guximin të sjellë në tender një kompani të shpikur nga përtej oqeanit, si kuturisi një nga këta 13 mbizotëruesit vendas të tregut, të cilët qeveria jonë aq i ka vlerësuar dhe i vlerëson, sa të vjen të thuash i ka derdhur në bronz! Dhe opozita jonë sot ka marrë vrapin duke i sulmuar me emër e pa emër këta të trembëdhjetë në bronz.

Duke i quajtur thjesht oligarkë dhe duke u premtuar njerëzve të revoltuar dhe të pakënaqur se, po të vijë ajo në pushtet, do t’ua heqë nga qafa dhe nga shala e tenderëve publikë. Kjo është të luftosh me mullinjtë e erës, si Don Kishoti. Kur e di fare mirë se secili prej këtyre trembëdhjetë “oligarkëve” ka mesatarisht të punësuar të paktën 1 mijë vetë. Se të gjithë së bashku i japin shtetit mbi 60 për qind të të ardhurave me taksat që paguajnë(për vete mbajnë, kuptohet shumë më tepër, shpesh edhe duke kryer rëndshëm shmangie tatimore-evazion fiskal-, me aradhën e ekspertëve tatimorë që paguajnë). Dhe po të ishin vërtet të shqetësuar këta të trembëdhjetë të veshur në bronz nga qeveritë tona të djeshme e të sotme, janë në gjendje të mbledhin pesë herë më shumë njerëz përpara Kuvendit, se sa opozita. Për të protestuar, në mbrojtje të parasë që kanë vënë, nuk ka rëndësi se si. Por nuk janë të shqetësuar realisht. Pse e kuptojnë qartë që premtimet e opozitës sonë se do t’i nxjerrë nga loja e tenderëve shtetërorë janë thjesht grepa për të kapur shpresën e humbur të njerëzve se ky vend mund të bëhet. Duke bërë gjoja luftë shtrigash ndaj oligarkëve, për të kanalizuar në dobi të saj zemërimin dhe zhgënjimin qytetar. Për ne qytetarët ka rëndësi të thuhet qartë që këta mbizotërues tregjesh do të trajtohen si të barabartë në tenderët e ardhshëm. Ose, aty ku ka mundësi në tenderët që kanë nisur zbatimin, ose tek ata ku vetëm është nënshkruar kontrata, për të parët të rishikohen kushtet, për të dytët të kthehen mbrapsht. Këto gjëra reale duhet të na premtojë opozita jonë, nëse e ka seriozisht të mos na bëjë budallenj dhe t’i shkojmë nga mbrapa, ose qeveria e sotme të veprojë sot, nëse dëshiron ta votojmë prapë nesër.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *