MILOSAO

Këmisha e Lekës tregohet me dhjetë ese

18:00 - 17.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni – Ka qenë zgjidhje e menduar mirë kjo e krijuesit dhe publicistit Arian Leka, që ka grumbulluar në një botim të fundit esetë e tij më të mira. Pavarësisht se kjo është një gjini që e ka lëvruar prej kohësh, qoftë dhe në faqet e “Milosao”-s, nevoja e shkrimtarit për të pasur një qasje me publikun e gjerë mbetet e përhershme dhe disi detyruese moralisht. Dhe, shkrimet për të cilat ai kish mbledhur opinione nga kolegët e tij, tashmë kishin nevojë për një publik më të gjerë.
Arian Leka ka një narracion të qetë, të elaboruar mirë dhe të zgjedhur, kurse sintezat e tij janë rezultat i vëzhgimeve të pareshtura, përditmërisë së jetës së vet, leximeve dhe më shumë akoma kryqëzimit të opinioneve nga leximet por edhe kontaktet me shumë nga kolegët e huaj dhe vendas. Leka është një vëzhgues i mprehtë i zhvillimeve por edhe arritjeve më të mira ballkanike dhe e vendos mendimin e tij apo duket sikur e taron në çdo moment me këtë hapësirë mbushur me paradokse dhe që botës i ka sjellë aq andralla.
Por, ndërsa ndodh që në autorin patetik, hasur rëndom, përpjekja është për ta vendosur me forcë qendërsinë ballkanase, Arian Leka e bën të vetën dhe e justifikon, duke e ngacmuar, shpjeguar dhe duke ia bërë paradokset sa më të prekshme, Ballkanit tonë. Tek e fundit, sfida për të njohur Ballkanasin është e lidhur kryekëput me njohjen e paradoksin e tij, që është në qendër të letërsisë së mirë të prodhuar por edhe vëzhgimeve të shumta.
Duket se thënia e Hegelit se Historia na mëson atë se ne nuk mësojmë asgjë nga Historia është e ndërfutur normalisht dhe ti udhëton me autorin me të kaluarën; me përcjelljen e genit të tij, gjyshin partizan; të atin, marinar; qytetin e vet dhe imagjinatën mbi Shqipërinë, që rri e plazmuar si një kod, që nuk mund të çkodifikohet lehtë nga antropologët e kështu me radhë.
Kultura e mjaftueshme e ndihmon që faktet dhe ndodhitë e së shkuarës të rrinë të qendërzuara në libër dhe të na sjellin në kuptimin e ndodhive të së ardhmes, ku kjo lloj historie që thuret në këtë hapësirë të duket normale në anormalitetin e vet.




Gjithsesi, autori nuk humbet në argumente koti, sepse shpesh të drejton tek vetëdija dhe aty ku autori i kohës sonë duhet të jetë vigjilent. Tek “Shkrimtari i Angazhuar”, ai jep qëndrimin e vet për individin që i ngjan atij apo mënyrën sesi ne duhet ta shikojmë kohën tonë. Dhe këshilla e tij është e qartë: intelektuali nuk duhet ta shesë shpirtin, kudo dhe kurdoherë, paçka se mënyrat janë aq të kamufluara dhe mundësia për të mos u njohur janë të shumta. Jo, nuk duhet. Thjesht. “Ai që duhet të ishte momenti i ndarjes nga turma, bëhet moment i shndërrimit të shkrimtarit të angazhuar ndaj çështjeve me dobi publike, në shkrimtar mirëfilli politik apo thënë ndryshe, të shkrimtarit të urdhëruar politikisht është se ai qorton butë apo kundërshton me maturi. Ky shkrimtar nuk e kundërshton forcën politike ku bën pjesë apo mbështetet edhe pa qenë anëtar, siç bënte dikur Saramago, për të thënë një nga emrat e shumtë. Në vend të prozës dhe poezive, shkrimtari i angazhuar i realitetit shqiptar shndërrohet në duartrokitës, ai implikohet me çdo qëndrim të partisë dhe pranon të jetë hartues fjalimesh, që për ironi, edhe pse të dallueshëm për nga stili, nuk do të mbajnë kurrë autorësinë e vet”.
U ndalëm tek kjo esse, që bashkon më shumë problemin e sotëm, por një njeri i kujdesshëm mund të shohë realisht kudo probleme, që përcillen. Jo shumë larg, ai flet për heroizmin e kohës sonë, apo e thënë më hapur: heroizmin e kohës tonë, që mungon atëherë kur duhet. “Guximi për të thënë jo thjesht të vërtetën e një pale, por të drejtën e paanshme. Aftësia për të kuptuar se duhet ndenjur jo përkrah, përbri apo përballë një grupi, po për të ndenjur përmbi të gjithë”.
Ai vetë mban qëndrim për gjërat që ndodhin në vend dhe këtë e tregon në esenë që i kushtoi teatrit, që e ka titulluar “Teatri si formë ndëshkimi”. Ndryshe nga shumë kolegë të tij, që u fshehën pas një gjuhe të drunjtë, ai u shpreh hapur dhe qartësisht për idenë e tij lidhur me të ardhmen e Teatrit. “Prirja për vringëllimë të fjalës dhe politizim u bë më e dallueshme pas deklaratave, që filluan ta lidhnin teatrin me kujtesën dhe shembjen e tij me rrënimin e trashëgimisë kombëtare gjatë tranzicionit të gjatë”.
Dhe, autori e lë një moment narratorin dhe e merr lexuesin që të bëhet pjesë e botimit të vet: “Vërtet je aq naiv sa të besosh se mirëqenia apo harresa janë shkaqet që e bëjnë evropianin ironik të shprehet se urrejtja është një specialitet ekskluziv ballkanas dhe se ballkanasi ka monopolin e barbarisë?”, e pyet Leka lexuesin, edhe atë të huaj, i cili ka pasur mundësi t’i lexojë esetë e autorit në disa prej gjuhëve europiane.
Një veçanti tjetër që duhet të theksohet është edhe gërshetimi i teknikave moderne, që në një farë mënyre e ndihmojnë për të gjetur hapësirën dhe tonalitetin e duhur për të folur përmes shkrimit. Dhe, mënyra sesi e grish lexuesin të intereson sepse edhe digresionet janë të jashtëzakonshme për të parë gjëra, ku e vërteta zhvleftësohet, harresa bren historinë dhe lotët pësojnë rënie në bursë, citon ai poetin polak Tadeusz Rozewicz.
“Milosao” është e nderuar që një pjesë e eseve, botuar në këtë libër, kanë qenë në format parake edhe në faqet e saj, për t’u përpunuar pastaj më vonë, dhe për t’u sjellë për publikun e gjerë. Tashmë i mbetet kritikës më të zgjedhur që të vlerësoj teknikisht esetë por edhe të gjykojë për mesazhet e këtyre eseve dhe kontributin e autorit në këtë gjini.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.