OPINION

Dy protesta dhe një mësim

07:20 - 18.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Protesta e pardjeshme nuk dështoi. Ajo ia arriti qëllimit të shumicës së njerëzve të revoltuar dhe pa perspektivë pune që mbushën bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Shumica të ardhur nga rrethet e vendit. Si për të dëshmuar atë realitet mjeran të zhvillimit të vendit tonë, që e ka përqendruar damarin e sipërmarrjes dhe vlerës së shtuar në Tiranë, Durrës dhe  në disa qytete të tjera kryesore. Duke lënë gati në mëshirë të fatit mbi 500-600 mijë shqiptarë që jetojnë pa shumë mundësi dhe alternativa zhvillimi në qytetet e vogla dhe në fshat. Kush pyetej nga televizionet përse protestonte, argumentin kryesor e gjente tek mungesa e punësimit dhe për këtë fajësonte(jo me pa të drejtë) qeverinë. Në një vend të varfër, një qeveri e ka për detyrë parësore të nxisë punësimin. Jo duke punësuar vetë(dhe këtu qëndron gabimi fatal i qeverive tona), por duke e nxitur dhe i dhënë perspektive e kurajë këtij punësimi në sektorin privat. Realisht, pa fjalë të bukura dhe programe e projekte boshe. Programe investimi publik që punësojnë përkohësisht disa qindra vetë në betonin e derdhur pa kursim me paratë e qytetarëve në sheshet e qyteteve tona apo në projekte rrugësh që mund të prisnin edhe disa vite të tjera për t’u ndërtuar.  Por që nuk ndihmojnë sa dhe si duhet sipërmarrjen vendase të shpërthejë në ide të reja biznesi apo në prodhim të shtuar vërtik për eksport, që të ardhurat dhe punësimi të rriten. Prandaj derdhen njerëzit në shesh.




Askush nga të pakënaqurit që pamë pardje dhe më 16 shkurt 2019 nuk u prishet gjumi fort për lidhjet që qeveria ka me krimin(lidhje me kriminelë dhe “të fortë” të trafiqeve ilegale të drogës dhe mishit të bardhë ka patur çdo qeveri tek ne nga viti 1993 e deri sot). Apo për zgjedhjet e vjedhura, të cilat janë vjedhur(është shitur vota për thes me miell apo për premtim për punësim) diku qetësisht e diku tjetër me pak zhurmë në gati të gjitha garat zgjedhore që kemi bërë, duke filluar nga viti 1996. Prandaj dhe qëndruan larg nga sprovat e grupeve me kapuç xhupash në kokë nën një diell të nxehtë marsi dhe me kapele, për të mos u dalluar nga kamerat e policisë. Të përgatitur për të ushtruar dhunë(aty ku do të mund t’ju lejohej) dhe të bindur ta linin dhunën, kur merrnin shenjë që të pushonin përleshjen për shkatërrim(ngaqë provokimi apo ngacmimi nuk po jepte shkatërrimet e shpresuara). Këto grupe ishin si të telekomanduara, nga telefonatat që merrnin drejtuesit e tyre. Dhe dalloheshin qartë nga turma e të pakënaqurve, jo vetëm pse nuk mbështeteshin prej tyre në aktet e dhunës, por edhe se organizimin e kishin ndryshe. Të pakënaqurit dhe të dëshpëruarit që protestojnë pa dhunë të planifikuar duan alternativa konkrete për të përmirësuar gjendjen e tyre ekonomike, shpresë punësimi. Shpresë se mund të mposhtin varfërinë, në pamundësi për t’u larguar nga ky vend një orë e më parë. Këtë shpresë sprovat e derisotme të kësaj qeverie dhe buxheti i Shtetit për këtë vit nuk e furnizon si duhet. As edhe e ka furnizuar ndonjëherë tamam në këto gjashtë vitet e fundit. Asnjë program nuk është konkret dhe i orientuar të krijojë me qindra(për të mos folur për mijëra) vende pune në sektorët që mbështet. Qeveria ka planifikuar të japë miliarda euro nga paratë e shqiptarëve, për kontrata dhe projekte ndërtimi rrugësh, për kompani që i kanë të punësuarit e tyre dhe që shumë-shumë, në 3-5 vitet e ardhshme mund të punësojnë përkohësisht 2-3 mijë vetë si punëtorë trasesh rrugësh.

Ndërsa programet ku qeveria të hedhë 400 apo 500 milionë euro në 3-5 vjet në bujqësi apo turizëm, dhe që nga nxitja e nismave konkrete të punësohen me mijëra deri dhjetëra mijëra vetë, këto programe mungojnë. Dhe këtë kërkojnë ata dhjetëra mijëra qytetarë që u derdhën në bulevardin kryesor të Tiranës më 16 shkurt dhe 16 mars 2019! Këtë duhet ta mbajë mirë vath në vesh, ta ketë si mësimin më të vyer nga i gjithë ky kalvar protestash që do të vijojnë, kjo qeveri. Jo të zhytet ne defaktorizimin e mëtejshëm të opozitës reale në rrugë, në denigrimin dhe goditjen ndaj saj(kjo, pse opozita me këtë që ka bërë është e vetëgoditur! Po e provokove, grushtin që ia drejton asaj e ha vetë!).Të zhgënjyerit nga politikat qeveritare të sotme që ndodhen në rrugë të madhe dhe që janë qytetarë të thjeshtë të këtij vendi, për fat të keq nuk kanë njerëzit e duhur që t’i mbështesnin në këto kërkesa konkrete të tyre(punë, punë dhe vetëm punë). Duke iu ofruar programe konkrete alternative për t’ia paraqitur qeverisë(këtu, në fakt, do të duhej opozita konstruktive e vendit, jo në telekomandimin e grupeve të gatshme të dhunës nëpër protesta të thirrura prej saj). Duke mos i patur, protestuesit anonimë kanë vetëm heshtjen dhe dëshpërimin e tyre, që shfrytëzohet nga opozita fare e paqartë e sotme që kemi, e vetëpërjashtuar nga dialogu normal në institucione. Megjithëse e vetëmërguar dhe me forcën e një dëshpërimi të verbër, qeveria mund t’i japë një dorë kësaj opozite, që të mos pjellë tension dhe incidente për t’u fuqizuar. Duke e faktorizuar, pse pavarësisht të metave që ka, e kanë votuar dy vjet më parë 675 mijë qytetarë të këtij vendi(shumica në pushtet do të humbë shumë më tepër, po të vijojë ta lërë opozitën të vërtiten në rrugë si minë me sahat). Qeveria dhe drejtuesi i saj duhet t’i japin opozitës një alternative te daljes nga gjendja ku ka futur veten(e jo vetëm një “kur do folim” në një takim me diasporën. Qoftë t’i japë edhe artifica ligjore, të tipit “dhe dorëheqjen me ish-deputetët e tu, po nuk e deklarove këtë dorëheqje si të pakthyeshme. Pra mund të kthehesh në Kuvend, prandaj po të ofroj kushtet e mëposhtme që të pranosh…”. Duke ndalur procesin e shëmtuar të krijimit të surogatove të deputetëve zëvendësues të Kuvendit. Sigurisht kushtet e ofruar nga qeveria nuk mund të jenë formimi i një qeverie provizore pa kryeministrin e sotëm dhe shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të përgjithshme në të njëjtën kohë ose duke i shtyrë që të dyja në shtator të këtij viti. Mirëpo në mes ka një mori propozimesh dhe kushtesh që mund t’i ofrohen opozitës së sotme reale të shqiptarëve. Asaj që ndodhet në rrugë. Mund të mos pëlqehen dhe pranohen nga kjo opozitë e dëshpëruar, por ndoshta mund të shërbejnë sadopak për të larguar dhunën nga tehu i mllefit, pezmit dhe zemërimit të saj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.