Kryesore

Largimi i aleatëve të 2015, PS-ja humb 430 mijë vota

14:54 - 18.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nëse zgjedhjet vendore të 2015 do të përsëriteshin Partia Socialiste dhe koalicioni i saj që ka krijuar së fundmi do t’i humbiste ato. Ndaj edhe nëse zgjedhjet ardhshme vendore do të jepnin të njëjtin rezultat votash si në 2015, atëherë socialistët do të ishin humbës të tyre. Kjo pasi koalicioni që ata kanë krijuar dhe largimi i disa prej aleatëve më të fuqishëm që PS kishte në 2015, ndryshon tërësisht raportin e votave mes të majtës dhe të djathtës dhe do ta nxirrte PS-në në opozitë. Kështu nga 991 mijë vota që koalicioni i PS-së mori në 2015 për këshilltarë në rang vendi, sot së bashku me të gjitha partitë me të cilat ka krijuar koalicionin parazgjedhor, PS mban vetëm 587 mijë vota ose afro 400 mijë vota më pak. Ndërkohë që nga ana tjetër duke mbledhur votat e rreth 16 aleatëve që PS i kishte në koalicion në 2015 dhe që sot ose janë rreshtuar në koalicionin rival opozitar ose nuk kanë pranuar që të jenë në një koalicion me PS-në, rezulton se ato i heqin koalicionit të socialistëve plotë 430 mijë vota. E në rast se këto vota ja shtojmë në bllok në mënyrë matematike koalicionit të PD-së që në zgjedhjet e shkuara vendore mori mbi 500 mijë vota, atëherë me siguri që kandidatët që do të mbështeste e djathta do të dilnin fitues.




Koalicioni i ri
Partia Socialiste shpalli pak ditë më parë një koalicion të ri parazgjedhor. Në total veç PS-së pjesë e tij ishin edhe 25 parti të tjera, shumica dërmuese aleate të PS-së edhe në zgjedhjet e shkuara vendore. Ndërkohë që disa prej tyre të ardhura rishtazi, si PSD e Skënder Gjinushit, apo edhe partia MEGA e minoritetit grek. Por siç rezulton të gjitha partitë që PS ka bërë pjesë e këtij koalicioni kanë një mbështetje të vogël elektorale në krahasim me mbështetjen që kanë partitë që nuk do jenë më pjesë e koalicionit me socialistët. Kështu në total të 25 partitë aleate të PS-së në zgjedhjet e shkuara vendore, morën 184 mijë vota për këshilltarë, e cila në zgjedhjet vendore është edhe vota për partinë. Ndërkohë që PS në ato zgjedhje mori vetëm 402 mijë vota si forcë dhe në total bashkë me aleatët e rinj ajo ka vetëm 587 mijë vota. Natyrisht duhet theksuar se vota për këshilltarë nuk është treguesi më i mirë për mbështetjen që kanë subjektet politike, kjo pasi në shumë rastet votat e partive të vogla janë vota të dhuruara nga partia kryesore, si shpërblim për votën që ato i japin kandidatit për kryetar bashkie. Gjithsesi si koalicion mund të thuhet se vota për subjektet është një tregues i mirë për të parë mbështetjen që ka një krah politikë.

Votat
Partia më e madhe aleate e Partisë Socialiste në koalicionin e ri rezulton të jetë Partia Social Demokrate e Skënder Gjinushit. PSD në zgjedhjet e shkuara ndonëse konkurroi jashtë koalicioneve arriti të sigurojë 22 mijë vota. Pas saj vjen Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos, e cila brenda koalicionit me PS-në mundi të marrë 20 mijë vota në rang kombëtar. Partia e tretë më e madhe aleate e PS-së është PSV e Petro Koçit, e cila në 2015 ka marrë 17500 vota. Pas saj vjen Partia Socialiste e Moderuar e Gjergji Kojës, e cila ka marrë 15 mijë vota. Partia e katërt më e madhe në aleancë me PS-në është Aleanca Demokratike me 11 mijë vota, Partia e Gjelbër dhe Partia Unitetit Kombëtar me nga 10 mijë vota. Të gjitha partitë e tjera që kanë firmosur për të qenë pjesë e koalicionit me PS-në kanë marrë më pak se 10 mijë vota. Partia me më pak vota është Partia Fronti i Majtë me 700 vota dhe Partia Komuniste – 8 Nëntori me 969 vota.

Votat që kanë marrë në 2015 partitë në koalicion me PS

PS – 402709 vota
PSD – 22320 vota
PDS – 20271 vota
PSV – 17465 vota
PSM – 15355 vota
PAD – 11392 vota
PGJ – 10221 vota
PUK – 10078 vota
ADS – 9008 vota
PASH 7314 vota
PMDE – 4813 vota
PSP – 4622 vota
PRD – 3957 vota
PDM – 3443 vota
ABDE – 3271 vota
PPSH 2795 vota
PK – 8 Nëntori – 969 vota
PKD – 9424 vota
PCCSH – 2463 vota
PDRE – 5521 vota
PLDSH – 4664 vota
PAP – 1712 vota
PFM – 717 vota
Në total koalicioni –
587038 vota

Partitë që largohen nga koalicioni i 2015

LSI – 259934 vota
PDIU – 59701 vota
FRD – 29984 vota
PDK – 20271 vota
Aleanca Arbnore – 12647 vota
PLD – 8607 vota
PRRL – 3919 vota
PFR – 5947 vota
PSHA – 5162 vota
PLDN – 3990 vota
PEI – 3759 vota
PBMSH – 2676 vota
PADSH – 7953 vota
PPAK – 7132 vota
PKSH – 4077 vota
Në total – 435822 vota

PS, ikin 16 aleatë, mes tyre LSI, PDIU, FRD e PDK

Partia Socialiste, në raport me 2015, ka humbur thuajse të gjithë aleatët e saj me peshë në elektorat. Ajo ka humbur mbështetjen e thuajse 16 partive që në 2015 i kishte në koalicion, por sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, shumica e partive që janë larguar nga koalicioni kanë një mbështetje të konsiderueshme te votuesit. Në total të 16 partitë që janë larguar nga koalicioni me PS-në në 2015 kanë arritur të marrin si votë për këshilltarë plotë 435 mijë vota, ose afro 30 mijë vota më shumë se sa ka marrë PS e vetme. Natyrisht që aleati kryesor që ajo ka humbur është Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila në zgjedhjet e 2015 arriti të sigurojë një nga rezultatet e saj më të mira. Ajo arriti të marrë rreth 260 mijë vota dhe duke rivalizuar edhe dy partitë kryesore, pra PS dhe PD. Një tjetër aleat me peshë që i është larguar kësaj here socialistëve është e Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet e Shpëtim Idrizit. Në zgjedhjet e shkuara ajo mori afro 60 mijë vota dhe duke dhënë një ndihmesë të konsiderueshme koalicionit në fitoren e shumë bashkive. Forca e tretë që i largohet PS-së nga koalicioni në këto zgjedhje është edhe Fryma e Re Demokratike. Ndonëse deri më tani ajo nuk është shprehur publikisht për këtë gjë, FRD e Bamir Topit nuk ishte në listën e partive që firmosën javën e shkuar koalicionin me PS-në. FRD në zgjedhjet e shkuara vendore arriti të marrë 30 mijë vota. Një tjetër parti e vjetër tashmë dhe me një elektorat të sajin të konsoliduar është edhe Partia Demokristiane e Nard Ndokës. Në zgjedhjet e shkuar PDK mori plotë 20 mijë vota dhe duke dhënë një ndihmesë në bashkitë me përqendrim të popullsisë katolike, si Shkodra, Vau i Dejës apo Lezha. Ramën në këto zgjedhje duket se e ka “tradhtuar” edhe PDL e Spartak Ngjelës. As partia e tij nuk ishte në partitë që firmosën marrëveshjen deklaratën e përbashkët një javë më parë. PDL në zgjedhjet e shkuara mori afro 8 mijë vota.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.