OPINION

Fatura e pranverës së protestave

07:25 - 22.03.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Edhe pse nuk ka kurrfarë ngjashmërie me vitin 1997, vendit po i fanepset një vit tjetër i mbrapshtë. Të mbërthyer pas magnetit të deklaratave të një politike që interesohet vetëm, nga njëra anë të prodhojë spektakël virtual arritjesh reformash, nga ana tjetër pasiguri dhe klimë revolucioni pseudodemokratik, nuk po e kuptojmë çfarë humbjesh reale po pësojmë. Deklaratat e disa agjencive turistike që pronotimet e deritanishme për hotelet në bregdetin tonë kanë rënë me 30 përqind këtë vit, në krahasim me gjysmën e parë të marsit 2018, nuk tërhoqën asnjë vëmendje. Nuk prodhuan asnjë shqetësim, kur duhet të ngrihet zëri për humbje të tilla. Muaji mars, së bashku me prillin, janë muajt më intensivë të kontratave të turistëve të huaj. Pronotimet në këta muaj tregojnë edhe mbarëvajtjen e turizmit për një vend gjatë një viti të plotë. Tek ne, rënia me 30 për qind vetëm për gjysmën e parë të marsit mund të përkthehet në 70-80 milionë euro më pak të ardhura për vendin nga turizmi për këtë vit. Dhe pse? Pikërisht për faj të politikës së ditës. Për tensionin e skajshëm dhe pasigurinë që po prodhon ajo. Fatura mund të ngrihet edhe në gjysmë miliardë euro humbje, në rast se do të vijojë kjo pranverë e gjatë protestash. Edhe sikur ato(do Zoti!) të mos pjellin dhunë të rritur e të përshkallëzuar, sërisht pasiguria e kësaj gjendjeje aspak normale të demokracisë në vend, gjithnjë në prag shpërthimi trazirash, do të na largojë nga objektivat më të rëndësishëm për këtë vit e më gjatë. Nga çelja e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Çelje që dukej më afër se kurrë, për shkak të përparimit të reformës në drejtësi. Nga ana tjetër, humbje të forta do të kemi nga mosrritja sa duhet e kredimit për ekonominë. Në nivele që të sjellë mijëra vende të reja pune të hapura për këtë vit. 2019-a dukej një vit i mbarë për huadhënien. Kjo huadhënie, edhe pse e shtuar relativisht pak (5 përqind, duke përjashtuar efektin e heqjes së kredive të këqija nga bilancet e bankave) për vitin 2018, paraqitej premtuese për këtë vit. Shpresohej që kredia e rritur të ndizte atë motor zhvillimi që nuk ka punuar kurrë me ritëm të plotë tek ne. Që ka për “karburant” 4 miliardë euro depozita të qytetarëve tanë, që rrinë kot, flenë gjumë nëpër kasaforta bankare. Mirëpo kjo gjasë zhvillimi u zbeh, me daljen e opozitës nga shinat e një jete normale politike. Si qytetarë ende nuk jemi plotësisht të bindur se sa fort ndikon në jetën ekonomike të vendit siguria apo pasiguria politike. Se sa ndikojnë në vendim-marrjen për investime apo në rrezikimin e kapitalit të sipërmarrësve protestat me paralajmërime ogurzeza për mosbindjen civile. Po ashtu dhe në konsumin e njerëzve. Tani bankat po bëjnë llogari dhe plane për të mbajtur dorën. Për të mos rrezikuar më shumë se ç’kërkon një gjendje aspak normale dhe në pritje trazirash. Kjo është humbja e dytë e madhe që po konturohet për ekonominë tonë këtë pranverë. Ndoshta mund të kemi 300 milionë euro kredi të padhëna, për shkak të klimës politike këtë vit. Dhe me qindra milionë euro investime të huaja të drejtpërdrejta të munguara, po për këtë shkak. Asnjë investues i huaj serioz nuk është aq i krisur sa të aventurohet në tokën tonë që mban me mijëra probleme të tjera të informalitetit, tregut të paqartë të pronësisë për tokën, etj., me një opozitë jashtë parlamentit. Edhe emigrantët tanë do mendohen dy herë, përpara se të nisin një sipërmarrje apo investim të menduar gjatë me kursimet e tyre në Itali apo Greqi, apo edhe më larg. Është një dëm kolosal kjo tkurrje, kjo stepje gati në bllokim e investimeve dhe e shpirtit sipërmarrës në ekonominë tonë. Një faturë e rëndë, e trishtë dhe e errët. Asnjë politikan i rëndësishëm i ditës nuk duket sot të jetë i vetëdijshëm për këtë dëm që po i bën ekonomisë së shqiptarëve me sjelljen e tij, nga opozita apo pozita qoftë. Asnjë përgjegjësi për pasojat që bien gjithnjë mbi ekonominë, sa herë kemi acarime të skajshme të gjendjes politike. Asnjë gisht i ngritur mbi filan apo fistek politikan. Kjo pafuqi e qytetarit për t’i thënë “ndal!” keqtrajtimit të skajshëm të interesave të xhepit të tij rrit dëshirën për aventura dhe kuturisje të rrezikshme politike nga të dyja krahët. Fatura e protestave është e gjitha aty dhe ia vlen t’u lexohet përditë këtyre sabotuesve të së ardhmes së vendit, sa herë grinden si qentë për kocka në arenën e pushtetit





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.