SPORT

Kalaja kuqezi bie nga dy goditje të vetme

08:39 - 23.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi – Shqipëria ka dështuar ndaj Turqisë. Skuadra kuqezi është thyer 2-0 nga ekipi i Senol Gunesh, që ka triumfuar në “Loro Boriçi” në ndeshjen e tij të parë si trajner i përfaqësueses turke. Ka qenë një lojë racionale ajo e miqve, që kanë shënuar dy gola me vetëm dy gjuajtje në portë, ndërsa Shqipëria, ndonëse është përpjekur shumë, sidomos në pjesën e parë, nuk ka arritur të shkaktojë dëme në prapavijën turke.
Pas dy momenteve mjaft të mira të kuqezinjve me Bekim Balën në minutën e 14-të dhe me Balliun në të 20-ën, Turqia kaloi në avantazh me anë të Burak Jillmaz. Në minutën e 21-të, sulmuesi turk përfiton nga një rreshtim i keq në zonë i lojtarëve kuqezi dhe kalon skuadrën mike në avantazh. Turqia shënon në momentin e saj të parë të rrezikshëm në kuadratin e Berishës. Pjesa e parë do të dhurojë një tjetër mundësi për kuqezinjtë të shpërdoruar nga Uzuni, ndërsa ekipet do të shkojnë në dhomat e zhveshjes me rezultatin 0-1.
Pjesa e dytë nis si e para për Shqipërinë, që këmbëngul për të gjetur barazimin, por golin do ta shënojnë turqit, kësaj radhe me anë të Hakan Calhanoglu, i cili ka realizuar një gol shumë të bukur me të djathtën nga distanca, që e ka bërë të kotë hedhjen e Berishës.
Goli i dytë trondit Shqipërinë, e cila nuk reagon më në fushë, ndërsa Panuçi nuk arrin të bëjë asgjë për të ndryshuar lojën e Kombëtares dhe bëhet trajneri i parë kuqezi që e nis me humbje fushatën eliminatore që pas vitit 2000.




Tifozët shajnë në kor Panuçin
Minuta e 60-të e ndeshjes, pak pas golit të dytë të Turqisë, tifozët shqiptarë kanë nisur koret ofenduese në drejtim të trajnerit Panuçi. “Panuçi, Panuçi vafanculo” dëgjohet nga tribunat e “Loro Boriçit”. Fakti që Turqia kryeson 2-0 ka mërzitur pa masë tifozët, ndonëse duhet pranuar se loja e kuqezinjve ka qenë e mirë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.