MILOSAO

Pse e shkrova këtë punim

15:15 - 24.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Kostandin Ristani – Duke punuar prej rreth 20 vjetësh në Shqipëri në funksione të ndryshme tekniko-drejtuese dhe më pas, prej më se 25 vjetësh, në Kanada, fillimisht në sektorin privat dhe pastaj në sektorin publik federal, i mbështetur nga një arsimim dhe kualifikim universitar dhe pasuniversitar të kryer në të dy vendet e përmendura më sipër, kam grumbulluar një eksperiencë, ekspertizë dhe pjekuri mjaft të çmuar dhe të pakrahasueshme edhe për nivelin e standarteve Amerikano-Veriore, të cilën po e vë në shërbim të njërit prej dikasterve më të rëndësishme të administratës shtetërore të Kanadasë si punonjës civil publik në cilësinë e analizës, përpilimit dhe mbështetjes së drejtimit strategjik në fushën përkatëse.
Veçantia dhe përparësia e fituar në formimin tim individual të deritanishëm nuk është rezultat i ndonjë spekullimi mbi aftësi të jashtëzakonshme individuale por përkundrazi, rezultat i kushteve dhe rrethanave specifike të jetës sime që përfshin: eksperiencën e dy sistemeve shoqërore diametralisht të kundërta; eksperiencën e dy shoqërive e marrëdhënieve njerëzore brenda tyre që përfaqësojnë nivele shembullore tolerance/intolerance dhe emancipimi/primitivizmi në kategoritë përkatëse; eksperiencën e dy varianteve të plota arsimimi përkatës të përfunduara në nivelet më të larta e në pajtueshmëri me kërkesat rigoroze të seicilit sistem; eksperienca e dy punësimeve përkatëse në sektorin publik me konkurrim të pa kompromentuar e të pa kontestuar (pavarësisht nga korrektesa e rregullave të konkurrimit); pavarësia e plotë dhe e pa angazhuar gjatë gjithë rrjedhës së jetës time të deritanishme ndaj grupimeve e forcave politike në të dy sistemet e vendet dhe që manifestohet në pavarësinë absolute të mendimit tim intelektual ndaj tyre; dhe së fundi në integritetin dinjitoz personal dhe profesional, analitik e racional të pa cënuar e njollosur. Në këtë analizë patjetër ndikojnë dhe nuk mund të përjashtohen besimi, botëkuptimi dhe filozofia e bindjeve të mia personale.
E shpjeguar më tej kjo përparësi, e që unë besoj se është e veçantë në mes antarëve të shoqërisë shqiptare të brezit tim, përbën mpleksjen më të përkryer të arritjeve të mia arsimore, tekniko-profesionale dhe drejtuese, si në shoqërinë shqiptare ashtu edhe në atë kanadeze, pa anësi, shtytje e përkrahje artificiale të njohjes, lidhjeve, kompromiseve apo hatërve sa mbizotëruese në shoqërinë shqiptare aq edhe të papranueshme në shoqërinë kanadeze. Kjo që pohova më sipër mund të shpjegohet më tej si ndërthurrje e pavarësisë së plotë time ndaj çdo individi të veçantë dhe vartësisë së plotë time (në kohë të ndryshme) ndaj të dy sistemeve dhe shoqërive të përmendura më sipër.
Megjithë zhgënjimet dhe pakënaqësitë e pafundme e plotësisht të justifikuara përpara ndërgjegjes time personale dhe etnike, që kam pasur kundrejt shtetit shqiptar në tërësi në të gjitha sistemet e jetuara në atë vend, prap se prap ndjenja e origjinës, përkatësisë, detyrës dhe e profesionalizmit intelektual më bën që të mendoj shpesh se pse unë, me këndvështrimin analitik timin, mos të kontriboj edhe ndaj shoqërisë shqiptare, që jeton dhe nuk gëzon në atë vend funksionet e një shteti modern siç e meriton një shoqëri që aspiron për t’u quajtur Evropiane dhe e emancipuar. Kësaj ndjenje i shtohet edhe shtytja e fortë që kam shpesh herë nga brenda vetes kur shoh se sa çmohen dhe vlerësohen analizat dhe rekomandimet e mia në ambientin e punës së tanishme dhe se përse strukturat shtetërore të vendit tim të origjinës të mos përfitojnë në të mirën e shoqërisë shqiptare nga kjo experiencë e fuqishme e grumbulluar vetëm me punë, djersë, sakrifica dhe përkushtim.




Sipas mendimit tim “periudha kalimtare” apo “përgatitore” e përmendur dhe artikuluar shpesh herë nga opinione të ndryshme shqiptare e këshilltarësh perëndimorë po zgjatet pak si tepër për shoqërinë dhe shtetin shqiptar. Me mendësinë e tanishme, tejet primitive, me të cilën shoqëria shqiptare, nëpërmjet grupimeve politike që e përfaqësojnë atë, ndërton shtetin dhe qeveris e administron vendin, ndihmon të gjarat që kjo “periudhë kalimtare/përgatitore” të vazhdojë me dekada të tëra pa u arritur një gjendje e re deri diku solide, e formuar dhe përgjithësisht e përcaktuar. Historikisht shprehja “periudhë kalimtare” u ka pëlqyer pothuajse të gjithë politikanëve që kanë qeverisur (lexo: mashtruar) Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare këto 75 vjetët e fundit. Por më ironikja është se edhe publiku shqiptar duket se i pëlqen të mashtrohet me pritjen (që ndjehet si rendje) plot ankth drejt iluzionit që s’ka asnjë fund të përcaktuar me objektiva ekonomikë e socialë strategjikë të arritshëm, të matshëm e të krahasueshëm në çdo fazë.
Qëllimi i këtij shkrimi analizë është për të treguar këndvështrimin personal dhe të mirëinformuar timin si edhe për të ndihmuar e kontribuar në projektimin e perspektivave të shoqërisë shqiptare për një shtet modern e ligjor – kjo në rast se grupi apo grupet drejtuese të shtetit shqiptar dhe opinioni i emancipuar intelektualo-shoqëror e politik shqiptar ka dashamirësinë dhe e sheh me mendje të hapur e pa megalomani e xhelozi mesjetare dhe cmirë bizantine këtë vështrim analitik. Kundrejt çdo keqinterpretimi të qëllimit tim të shprehur më sipër dëshiroj të pohoj me krenari të palëkundur se unë e kam gjetur një mbijetesë dinjitoze e mjaft të lakmuar nga shumë individë të shoqërisë kanadeze pa nevojën dhe domosdoshmërinë e shtetit shqiptar; ndërsa shteti dhe shoqëria shqiptare e ka tejet dhe dhimbshmërisht të nevojshme modernizimin dhe emancipimin e tij dhe të saj me kontribute të grumbulluara nga përvoja të suksesshme e jo të dështuara, të provuara e jo të stisura, të pa stimuluara nga nepotizmat e patronazhet lidhës miqësoro-fisnorë, të pa injektuara nga interesa e faktorë rrethanorë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë apo edhe të këshilltarëve të huaj. Kjo mbijetesë e pa kompromentuar në etapa krejt të pabarabarta jetësore në shoqëritë shqiptare e kanadeze përbën një ndërthurje ideale e shumë të rrallë për një kontribut të zëshëm.
Për këtë qëllim vendosa të parashtroj mendime e mia personale në mënyrë analitike, jo të fundme dhe të plota, por specifike dhe të përzgjedhura të funksioneve të një shteti modern që përfaqëson vërtet një shoqëri të emancipuar, të krahasuara ato me funksionet e shtetit shqiptar ashtu siç e kam jetuar vetë gjatë viteve të jetesës në Shqipëri dhe ashtu siç po e vëzhgoj me cilësinë e analistit vëzhgues, pas ndryshimit të vendbanimit tim kryesor, por gjithmonë nga afër, gjatë çdo qëndrimi tim në Shqipëri disa here në vit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.