Kryesore

Bojkotuan Kuvendin, ja kush janë ish-deputetët e opozitës që paditën Ruçin për pagat

09:34 - 01.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fillimisht bojkoti disamujor dhe tani djegia e mandateve ka shkaktuar probleme financiare për një pjesë të ish-deputetëve të opozitës, të cilët duket se të ardhurat nga statusi i deputetit i kanë pasur burime kryesore financiare në familje. Për shkak të një vendimi politik, ata bojkotuan pjesëmarrjen në Kuvendin e Shqipërisë nga muaji korrik 2018 deri në dhjetor të 2018-ës, por pavarësisht se kishim të bënim me një vendimmarrje politike, Kuvendi u mbajti atyre pagesat për të gjitha muajt e bojkotit të veprimtarisë së tij.




Ndaj, nisur nga ky veprim i administratës së Kuvendit, disa nga ish-ligjvënësit e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim e kanë kundërshtuar mbajtjen e pagave në Gjykatën Administrative, ku kanë paditur Kuvendin dhe kanë kërkuar pagat e padhëna. Ata kanë vërshuar në dyert e gjykatës për të kërkuar lekët si deputetë për kohën kur ishin të mandatuar, por për shkak të vendimit të grupit ishin në marrëdhënie të kushtëzuar (bojkot). Në paditë e deputetëve të PD dhe të LSI ndaj Kuvendit të Shqipërisë kërkohen pagesat për 6 muaj muajt e bojkotit të tyre të parlamentit. Nga dosja rezulton se ish-deputetja Valentina Duka kërkon prej gjykatës detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë që t’i paguajë shumën 187.090 lekë të ndaluara, sipas saj, padrejtësisht nga paga e deputeti për periudhën korrik 2018-janar 2019. Po ashtu një tjetër ish-deputet, Shezai Rrokaj, i kërkon gjykatës që Kuvendi ta paguajë në shumën 187.261 për po të njëjtën periudhë kohore.

Të njëjtën gjë kërkon edhe ish-deputetja Fatbardha Kadiu, e cila pretendon të marrë 192.582 lekë. Por, këto janë pretendime vetëm për vitin 2018, pasi siç rezulton në Gjykatën Administrative janë depozituar edhe një sërë padish të tjera nga ish-deputetët e opozitës, të cilët kanë kërkuar pagesat edhe për periudhat e tjera të bojkotit të ndodhura edhe gjatë legjislaturës pararendëse. Më konkretisht, deputeti Luçiano Boçi kërkon detyrimin e Kuvendit që t’i paguajë shumën prej 319.315 lekësh, shumën 107.141 lekësh dhe shumën 187.090 lekë të ndaluara sipas tij, padrejtësisht nga paga e deputetit. Dhe për të njohur këto detyrime, ai në kërkesëpadinë e vet u referohet periudhave 01.07.2014-01.01.2015, periudhën 01.02.2017-01.06.2017 dhe për periudhën korrik 2018-janar 2019. Por në listën e deputetëve që i janë drejtuar gjykatës është edhe Gert Bogdani, Oerd Bylykbashi dhe Edi Paloka. Më konkretisht, tre deputetët demokratë kërkojnë përfitimet financiare për periudhën 01.07.2014-31.01.2015 dhe për periudhën 01.02.2017-01.06.2017, përfitime që sipas tyre, burojnë nga legjislacioni për “Statusin e deputetit” dhe që lidhen me ushtrimin e funksionit. Pra, tre ish-deputetët Bogdani, Bylykbashi dhe Paloka kërkojnë përfitimet e ndalura (jo pagën) nga ana e Kuvendit për periudhat e bojkotit gjatë legjislaturës së shkuar dhe të tanishmes.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.