EKONOMI

Agjencia Shtetërore të Kadastrës do të regjistrojë 220 mijë AMTP

14:45 - 07.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ligjërimi i ndërtimeve pa leje, pajisja me AMTP dhe certifikatë pronësie për tokën bujqësore dhe trajtimin e pronës dhe inventarizimin e pronave shtetërore janë tri shtyllat kryesore, ku do të mbështet puna e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Më krimin e strukturës së re do të regjistrohen 220,000 Akte të Marrjes së Tokës në Përdorim me ligjin 7501, të cilat përfaqësojnë gjysmën e tokës së punueshme në fshat, do të pajisen me AMTP 20,000 familje, do të regjistrohen rreth 10% të banesave të para vitit 1991, ende të paregjistruara dhe do të regjistrohen rreth 160,000 prona (96% e totalit) që u kanë kaluar njësive vendore dhe që janë ende të paregjistruara. Drejtimi i institucionit që do të mbyllë procesin e legalizimit, do të mbyllë procesin e kompensimit të pronarëve, do të krijojë hartën digjitale të pronës i është besuar Artan Lames. Prezantimi i kreut të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës u bë dje nga zëvendëskryeministri Erion Braçe. “Qeveria e ka fokus dhe në programin e saj qeverisës rregullimin një herë e mirë të çështjes së pronës. Reforma tërësore e shërbimeve publike që lidhen me titujt e pronësisë përfshin vizionin e ri për: organizimin dhe strukturimin e institucioneve përkatëse, që tashmë ndodhi; futjen e teknologjisë dhe informatizimit të shërbimit; përmirësimin dhe kompletimin e ofrimit të shërbimit ndaj qytetarit, për ta bërë atë një shërbim cilësor, profesional dhe të shpejtë”, – tha Braçe. Kreu i Agjencisë Shtetërore e Kadastrës, Artan Lame, pohoi se tri janë reformat kryesore që do të ndërmarrë ky institucion. “Reformën që do të ndërmarrim, mund ta përmbledh në tri drejtime: reformë thelbësore në hartografi, reformë thelbësore në sisteme shërbimi dhe reformë thelbësore në burime njerëzore”, – tha Lame. Zëvendëskryeministri theksoi se Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka rol të rëndësishëm në zgjidhjen e çështjes së pronave në Shqipëri. “Rëndësi të veçantë në këtë drejtim merr unifikimi i regjistrave në kadastrën digjitale, që përfshin gjithë hartografinë e pronës. Nevojshmëria për të rregulluar problematikën e akumuluar ndër vite dhe vizioni i qeverisë në këtë drejtim u materializuan në krijimin e këtij institucionit të ri, Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Ky institucion është i domosdoshëm për harmonizimin e proceseve të ndryshme, të cilat deri dje kryheshin nga institucione të ndryshme dhe nuk perceptoheshin në shërbim të një funksioni të vetëm, pra në shërbim të pronës”, – theksoi Braçe.




Agjencia
“Agjencia Shtetërorë e Kadastrës do të duhet që me fillimin e veprimtarisë së saj të rrisë efiçencën në kryerjen e proceseve që lidhen me pronën e paluajtshme, rezultat i pritshëm nga një organ i vetëm i qendërzuar. Të përmirësojë administrimin e regjistrit publik të kadastrës, të garantojë një hartë kadastrale të saktë dhe të besueshme dhe të trajtojë e të zgjidhë përfundimisht mbivendosjet e titujve të pronësisë”, -deklaroi zëvendëskryeministri. “Nga drejtori i ri i Kadastrës – tha Braçe – pritet drejtimi i aktivitetit të Agjencisë në zbatim të legjislacionit sipas objektivave politikë të qeverisë dhe kontratës së performancës. Personalisht do të ndjek jo vetëm mbarëvajtjen e Agjencisë, por në mënyrë të veçantë mobilizimin dhe koordinimin me të gjitha institucionet ndërvepruese në këtë proces të rëndësishëm. Ky proces nuk do të ketë sukses, nëse nuk do të ketë bashkëpunim me të gjithë aktorët. Bëj një apel, bashkitë kanë marrë atribute të qenësishme, edhe për legalizimin dhe certifikimin e titujve të pronësisë, janë bashkitë që duhet të çojnë procesin përpara, të jenë të interesuara që procesi të përfundojë sa më parë të jetë e mundur”, – deklaroi Braçe.

Të dhënat mbi pronat në të gjithë vendin

1. Rreth 220,000 familje që jetojnë në fshat me AMTP të paregjistruara, pra afërsisht gjysmën e tokës së punueshme në fshat.

2. Rreth 20,000 familje që nuk janë pajisur me AMTP.

3. Rreth 10% të banesave të para vitit 1991, ende të paregjistruara.

4. Rreth 160,000 prona (96% e totalit) që ju kanë kaluar njësive vendore dhe që janë ende të paregjistruara.

5. Rreth 10% të territorit të vendit, ku ende nuk ka filluar procesi i regjistrimit fillestar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.