BLUETOOTH

Video/ Tetë protestat e Monika Kryemadhit, si është veshur kryetarja e LSI

13:36 - 11.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

U bënë muaj tashmë që vendi është përfshirë nga protestat e opozitës. Në çdo seancë parlamentare, përpara Kryeministrisë, janë “destinacionet”, ku protestuesit mblidhen duke kërkuar largimin e Edi Ramës. Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi janë në krye të këtyre protestave, duke udhëhequr turmën. Por këtë herë nuk do të merremi me protestën dhe qëllimin e saj. Kryetarja e LSI përpara se të jetë një politikane, dhe duhet thënë një politikane plot stil. Edhe pse e angazhuar në kauzën politike, Monika nuk e ka lënë pas dore veshjen e saj. në të teta protestat e organizuara nga opozita, Mona ka ardhur ‘casual’, por me një përzgjedhje të spikatur në look. Mbi të gjitha komode, pasi ashtu si edhe keni parë protestat nuk kanë qenë edhe aq të qeta…




16 shkurt

Monika Kryemadhi la herët selinë e LSI e shoqëruar edhe nga ish-deputetet e tjera. Por imazhi i saj spikati menjëherë. Veshur me bluzë të zezë dhe një pallto treçerekshe jeshile e ndezur, Monika ishte sa praktike, aq edhe në stil. E natyrisht që për një protestë të përmasave të tilla, kryetarja nuk kishte kohë as për grim e as për make-up. Me flokë të kapura shkujdesur dhe syze dielli të mëdha, si për ti mbuluar fytyrën e patrukuar, Kryemadhi dukej se kishte bërë zgjedhjen e duhur për një ditë të vështirë si ajo e 16 shkurtit.

21 shkurt

Protesta e dytë e opozitës ishte më e qetë. Tashmë përpara Parlamentit protestuesit mirëpritën kryetaren e LSI, e cila u shfaq e gjitha në të zeza duke takuar një nga një qytetarët. Duket se këtë herë Monika kishte gjetur kohë të krihej, madje edhe të trukohej, duke ardhur në këtë protestë edhe më zyrtare. E veshur me bluzë të zezë, xhaketë dhe pantallona të zeza, Mona u shfaq komode edhe këtë herë. E për të qenë edhe më e përshatur ajo është mjaftuar me një make-up minimalist me buzë ngjyrë natyrale. E thyerja ideale e këtij look-u ishin vëthët e gjatë që freskuan imazhin e saj.

26 shkurt

Ndryshe nga herët e tjera, në protestën e 26 shkurtit Monika kishte ndërthurur tre ngjyra. Një këmishë të bardhë, një triko në ngjyrë mustard dhe një xhaketë trecerekshe në ngjyrë të zezë. protesta aspak e qetë e 26 shkurtit e gjeti edhe më të angazhuar Monën, e cila iu desh edhe të vraponte teksa lëshohej gazi lotsjellës. Por veshur me pantallona dhe me të sheshta, e kishte edhe më të lehtë. Një ditë e angazhuar ajo e 26 shkurtit, që e gjeti kryetaren e LSI me flokët kapur shkujdesur dhe e gatshme të vraponte në çdo cep të protestës.

5 mars

Duket se e ka kuptuar që stili i kostumeve zyrtare me pantallona të gjëra dhe xhaketa ‘no size’ e tregon edhe më në formë, ndaj Kryemadhi nuk i ndahet këtij stili. Edhe me 5 mars, Monika zgjodhi një bluzë të bardh, kombinuar me kostumin e zi zi me vija të bardha. Para protestuesve kryetarja e LSI dukej tamam një imazh i përzier mes një politikaneje kalibri dhe një qytetare e thjeshtë e këtij vendi. E kot të pyesim se kë preferoni ju nga të dyja anët e Monika Kryemadhit.

16 mars

Me brohorima dhe thirrje është pritur përpara selisë së LSI dalja e Monika Kryemadhit për protestën përpara kryeministrisë. Si gjithnjë ajo ka takuar qytetarët e më pas i është drejtuar bulevardit. Por sytë kureshtar e kanë ndjekur duke admiruar edhe pamjen e saj të thjeshtë, por plot stil. E veshur me bluzë të zezë dhe një pallto ngjyrë blu pastel, ajo ka treguar edhe njëherë se është një zonjë plot klas edhe në ditët e vështira.

21 mars

Ndoshta koha e shkurtër, apo ndoshta përgjegjësia e madhe që kishte sollën që në protestën e 21 marsit ajo të vinte në mënyrën më sportive të mundshme. E veshur me një T-shirt të bardhë dhe me pantallona të kuqe, Monika vështirë se dallohej nga të rinjtë e LRI dhe FRPD që u ulën në shenjë proteste përpara Parlamentit. Krejt e çlirshme dhe veç me telefonin në dorë, kryetarja e LSI është rreshtuar së bashku me të tjerët në protestën e 21 marsit.

28 mars

Nëse do të pyesnim një stilist për veshjet e politikanes, natyrisht që do të thoshte se ngjyrat pastel janë të preferuarat e saj. Duket se Kryemadhi ia njeh vetes pikën e fortë në stil, ndaj dhe përpiqet ta përshtasë këtë ngjyrë gjithnjë. Protesta e 28 marsit solli edhe njëherë look-un e thjeshtë të kryetares, por një kombinim i goditur. Xhaketa është një nga prerjet më trend të momentit, dhe natyrisht që nuk kishte sesi mos të shkonte me këmishën e bardhë krem.

3 prill

Protesta e fundit e opozitës nisi pak rrëmujshëm. Duket se nuk i la kohë Monikës as të përgatitej. Me një T-shirt të bardhë dhe një xhaketë veshur sipër, ajo iu bashkangjit protestuesve nxitimthi. Ajo që ra në sy këtë herë është edhe një nga fiksimet e Monikës kohët e fundit. Xhinset “boyfriend style”, duket se janë të preferuarat e saj. Disa kile më pak dhe një stil rinor është kjo pamja që i falin këto xhinse politikanes së njohur.

8 protesta 1 palë vëth

Janë bërë tashmë 2 muaj që nga protestat intensive të opozitës. Monika Kryemadhi ka qenë në krye të të gjithave. Më sipër ju sollëm një tjetër këndvështrim të Kryemadhit, larg nga protesta dhe fjalimet politike. E pagabueshme në stil, duket se kryetarja e LSI një “gabim” e ka bërë. Në të teta prostetat ajo ka mbajtur të njëjtët vëthë. Me një gjatësi mesatare dhe me perlë, këto kanë qenë të përzgjedhurat e saj, të cilat mesa duket i dashuron aq shumë saqë nuk i ka hequr nga veshët për dy muaj me rradhë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.