OPINION

Të ndajmë “shapin nga sheqeri” diplomatik

07:30 - 12.04.19 Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kjo thënie mu kujtua këto ditë kur si ish-koleg komunikova me tre diplomatë të Misionit tonë pranë BE-së në Bruksel, të cilët figurojnë në listën e mediatizuar të mbi 20 diplomatëve të shkarkuar/transferuar tri javë më parë. Qetësia dhe mirëkuptimi i tyre ishte vërtetë mbresëlënës dhe i natyrshëm, sepse pas mbi katër vite pune të vlerësuar në Bruksel, ata e dinin se një ditë do t’u vinte transferimi. Fjala është për Adrian Mara, diplomat për mbi tri dekada, me katër mandate jashtë vendit, veç MPJ-së, me gradë personale ministër këshilltar; dhe zonjat Brunilda Koço e Blerta Derhemi, të cilat kanë rreth 15 vjet diplomate në Ministrinë e Jashtme dhe në mandatin e parë në Bruksel. Janë bashkëshorte dhe nëna korrekte, modeste, fjalëpakë e përherë në punë, siç ndodh në Bruksel. Nga të tre dëgjova vetëm fjalë të mira për kolegët dhe për drejtuesit e ministrisë, madje falë mirëkuptimit të tyre, ato do të punojnë në Bruksel deri më 30 qershor, duke mundësuar kësisoj kthimin normal në Tiranë me familjen dhe fëmijët.




Por, halli/mundimi i tyre më i madh nuk ishte transferimi me telashet e veta, por si të bindnin familjarët, miqtë dhe dashamirësit se nuk bëhet fjalë kurrsesi për largim apo shkarkim, ca më pak për ndonjë krushqi, mik e taraf! Keqkuptim që ka ndodhur pas njoftimit përkatës, i cili ndoshta pa dashje i “fuste të gjithë diplomatët në një thes” pa e ndarë “shapin nga sheqeri”, ku dhe media ka ndikimin e vet.

Shqetësimi i dytë i madh është se në këtë listë përfshihet dhe Misioni ynë pranë BE-së, Bruksel, me tre diplomatët e lartpërmendur; pikërisht kur Komisioni Evropian sapo ka filluar hartimin e Progres Raportit lidhur me rekomandimin mbi çeljen ose jo të negociatave dhe në pritje të vendimit të vendeve anëtare. Gjatë 25 viteve të fundit, ajo është Përfaqësia jonë diplomatike me ngarkesën më të madhe dhe rezultatet më të mira, e lirë dhe e pastër nga çdo lloj afere apo aludimi sado të vogël. Mjaft të përmendet fakti se Komisioni dhe Parlamenti Evropian bashkë me Belgjikën dhe Luksemburgun që ajo mbulon me filialet e tyre kanë dhënë opinione pozitive për çeljen e menjëhershme të negociatave.

Pas 10 vite pune në dy mandate në atë Mision/Ambasadë deri në vitin 2017, tani që nuk jam më pjesë e shërbimit të jashtëm dhe i lirë nga çdo “konflikt interesi” dua ta përmend sërish se aty kanë shërbyer diplomatë dhe titullarë elitarë. Kështu, nga katër ish-shefa të tij, Artur Kuko, Ferit Hoxha dhe Ilir Tepelena vazhdojnë të drejtojnë ambasadat tona në Gjermani, UNESCO dhe Rumani, kurse zonja Mimoza Halimi është drejtore e Përgjithshme në MPJ; dy ish- punonjës të tjerë të këtij Misioni janë kryediplomatët tanë në Rusi dhe Greqi, kurse zoti Sokol Dedja në janar u emërua zv.ministër i Jashtëm, etj.

Aktualisht kjo Përfaqësi është më profesionistja dhe për herë të parë vitet e fundit me të dhjetë punonjësit e saj diplomatë karriere. Shquhet edhe për kombinimin optimal të moshës, profesionit dhe përvojës diplomatike brenda dhe jashtë vendit, ku mbizotëron me 80 për qind gjinia femër.

Shefja e Përfaqësisë, Suela Janina e ka pasuruar më tej këtë trashëgimi të pasur me energjinë, efektivitetin, punën në ekip, stilin tejet operativ dhe afërsinë me bashkatdhetarët tanë në Belgjikë dhe Luksemburg. Ndihesh vërtet mirë kur në Bruksel, Strasburg dhe Luksemburg dëgjon zyrtarë të lartë dhe të çdo formati të BE-së dhe nga vendet e lartpërmendura që shprehen aq vlerësues dhe jo thjesht për mirësjellje. Disa muaj më parë, në një takim të gjerë, një nga zv.Presidentët e Europarlamentit i ftoi të pranishmit të duartrokitnin gjatë për ambasadoren tonë në sallë, diçka e vërtet e rrallë. Mbi këtë bazë verën e kaluar, kryeministri Rama e vlerësoi zonjën Janina me medalje bashkë me tre ambasadorë të tjerë.

U ndala më gjatë te ky Mision, por ka edhe shumë përfaqësi e diplomatë të tjerë me karrierë të suksesshme dhe rezultate konkrete. Mund të jenë jo më pak se 150 diplomatë të tillë, që shërbejnë në përfaqësitë tona jashtë vendit dhe në Tiranë, shumë prej të cilëve me mbi 2-3 dekada punë në shërbimin e jashtëm mbajnë grada të larta diplomatike, kjo falë përkushtimit dhe ndihmesës së tyre në shumë procese jetike, sidomos për liberalizimin e vizave, anëtarësimin në NATO, marrjen e statusit kandidat në BE, proceset për Pavarësinë e Kosovës e deri te kryesimi vitin e ardhshëm i OSBE-së etj..

Këtu bëjnë pjesë edhe diplomatët e tjerë në Athinë, Nju Jork, Turqi, Austri etj., të liruar/transferuar/shkarkuar ditët e fundit; ndër ta ka ish-ambasadorë, ish-drejtorë dhe diplomatë me disa mandate, me grada të larta dhe me vlerësime të vazhdueshme shumë të mira pune. Sepse dy herë në vit edhe diplomatët vlerësohen me shkrim për punën në parametra të hollësishëm.

Është gjithashtu e vërtetë se gjatë 25 viteve të fundit, një numër i madh diplomatësh janë larguar nga reformat e vazhdueshme dhe për arsye të tjera. Rrjedhimisht, mbetet një numër fare i vogël diplomatësh që kanë qenë e mund të jenë problematikë, deri tek afera dhe skandale, madje shumica dërmuese janë personel teknik, sidomos shoferë. Por, pothuajse të gjithë të ardhur nga jashtë si shpërblim nga forcat politike në emër gjoja të kërkesave dhe nevojave të veçanta, ose me VKM të diskutueshme. Padyshim ka edhe nga ata që e kanë justifikuar veten, sikurse ka edhe plot të tjerë që nuk u gjendet “as nami dhe as nishani”. Por, kanë lënë pas dëme të mëdha, sidomos për imazhin tonë, veç dëmtimit të karrierës së diplomatëve të aftë, të cilëve për pasojë nuk u ka ardhur asnjëherë “radha” për promovim. Lidhur me rolin e miqësive, krushqive dhe nepotizmit në diplomaci, ato janë të pashmangshme përderisa ekzistojnë edhe në shoqërinë tonë. Çështja është si të minimizohen e parandalohen dhe kryesorja, diplomatët e emëruar ta justifikojnë veten me procedura të drejta dhe rezultate të prekshme.

Në këtë drejtim duhet përshëndetur “guximi” për të lëvizur më në fund disa diplomatë të kooptuar nga jashtë sistemit, kryesisht falë lidhjeve familjare me VIP-a të medias dhe biznesit dhe jashtë kritereve përkatëse; ndër ta bien në sy dhe një apo dy, që falë “bujarisë” së pajustifikueshme të ish-drejtuesve të diplomacisë sonë kanë thyer rekordin botëror “Guines”, duke shërbyer mbi 15 vjet në një vend të vetëm!

Po, në këtë tablo mbizotëruese të pamohueshme pozitive ka ndonjë rast negativ edhe nga diplomatë profesionistë me përvojë, që pësojnë “aksidente” teknike për gjëra që nuk kanë lidhje direkte me diplomacinë apo për aspekte me ndjeshmëri të lartë publike, shkelje të rregullave financiare e deri në grindje e sherre. Vetëm se si kudo në botë, këto raste trajtohen me kujdes dhe mbi baza ligjore, pa bujë mediatike, me analiza serioze dhe masa të ndryshme disiplinore, sipas ligjit dhe rregulloreve përkatëse.

Meqenëse po flitet shumë, për “ekselencë” pa nënvleftësuar rëndësinë e rezultateve të shkëlqyera universitare, le ta theksojmë se në diplomaci, vendimtare gjithsesi është përvoja, sepse siç thuhet, shpesh “praktika të bën perfekt”. Ndaj, duke vlerësuar rinovimin e natyrshëm të diplomacisë sonë me elementë të rinj të shkëlqyer në mësime, që në fakt është bërë rregullisht këto vitet e fundit, kërkohet kujdes që të mos teprohet apo abuzohet me “ekselentët”, sepse duhen vite që ata të fitojnë shprehitë dhe përvojën e duhur, derisa të bëhen diplomatë të vërtetë, duke e shoqëruar këtë proces me promovimin e merituar me grada diplomatike e jo sipas dëshirave, tekave dhe orekseve të njërit apo tjetrit. Pastaj, në asnjë vend të botës nuk lejohet që një rekrut i ri, sado “ekselent” të caktohet në një Përfaqësi jashtë vendit, pa kryer stazhin e nevojshëm në Ministrinë e Jashtme, në rastin tonë, sipas Ligjit dhe Rregullores mbi Shërbimin e Jashtëm të ndryshuar në vitin 2015! Diplomacia ndryshon shumë nga veprimtaria mësimore/akademike, ajo është zanat, profesion dhe pasion i veçantë, që kërkon kohë për “fermentim”; ndodh si me verën, sa më i vjetër e me përvojë diplomati, aq më i mirë dhe rezultativ do të jetë, dmth., gjitharmësh dhe për çdo lloj moti (all weather diplomat).

Në vijim, këto cilësi të çojnë te kontinuiteti diplomatik, dmth., vazhdimin e përhershëm të karrierës, cilësi kryesore dalluese e diplomatit profesionist, e domosdoshme për të pasur përgjegjësi morale dhe ligjore dhe aksesin e nevojshëm në komunitetin diplomatik, si çelësi i suksesit afatgjatë. Mirëpo këto dhe të tjera cilësi nuk i ofron ekselenca shkollore, por eksperienca jetësore në shërbimin diplomatik.

Ja, pse jam dashamirësisht me ata që në respekt të hierarkisë tematike kanë sugjeruar që njoftimin e lartpërmendur publik, nëse do të ishte vërtet i nevojshëm, sërish mund ta kishte bërë një nga tre zëvendësministrat, sekretari i Përgjithshëm ose edhe zëdhënësi, sepse ministri qoftë edhe në detyrë, prononcohet për mesazhe madhore politike dhe strategjike dhe jo për shkarkime, transferime apo heqje targash/pasaportash diplomatike. Veç një gjuhe më të përshtatshme diplomatike të njoftimit në fjalë, theksi duhej vënë te përvoja dhe shembujt pozitivë, duke bërë dallim të qartë me rastet negative, sepse duke qenë “pakicë”, përgjithësimi i tyre në publik dhe vendosja e shenjës së barazimit me shembujt pozitivë mund të kthehet në bumerang. Veç kësaj, ato ndikojnë negativisht edhe në imazhin e diplomacisë, sidomos në momentet madhore të politikës sonë të jashtme. Të huajt mund të mendojnë se kur ti ke “pellgje”, “tarafe”, nepotizëm etj., shkurt kur nuk ke në terezi Trupën Diplomatike me 300 apo 400 veta gjithsej, atëherë si do të jetë gjendja në fushat e tjera, tani kur ti kërkon çeljen e negociatave këtë qershor! Ndaj, edhe në diplomaci, përpara se të flitet për reforma dhe platforma, është e udhës të ndahet mirë “shapi nga sheqeri”, ndryshe “bashkë me të thatin, do të digjet edhe i njomi”.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.