MILOSAO

SURPRIZA

15:00 - 14.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Roland Gjoza – Thikat, sa herë ju kam thënë, se nuk e kanë vendin këtu. Dhe i hynte nga e para sistemimit të sirtarit të enëve te kuzhinës.
Gruaja, një aktore e famshme, bënte buzën në gaz me një pezm e lodhje disi të përmbajtur, sikur të thoshte; ma hëngre shpirtin, o zot!
Ajo ikte vrulltas për provat e Joneskos, ndërsa ai vinte përparësen e saj, një cohë me lule, dhe fillonte të përgatiste drekën.




Ishte një nga regjisorët më të mëdhenj.
Pastaj i kujtohej ajo puna e ftesave dhe nxitonte të hapte dritaren nga ana e rrugës. Priti gjersa të dilte ajo te cepi i pallatit. I foli nga lart për shpërndarjen e ftesave, veçoi ato të regjisorëve, që s’i kishin bërë ndonjë të keqe. Ai mbante mëri. Kishte ditëlindjen pas një muaji, po rregulli e donte që ftesa të ishte në dorën e secilit, që të kishin kohë për t’u menduar, ndoshta edhe për t’u marrë njëfarësoj me të, sepse regjisori KK ishte disi harbut në mbledhjet e Këshillit Artistik ku miratoheshin skenarët e filmave. Po ç’t’i bënte ai i zi, a heshtet para gabimeve trashanike, logjikës strikte dramatugjike, që shpesh bëhej pre e lajthitjeve artistike?

Gruaja, Silva Xh tundi kokën, atë përsosmëri greke, finesë e përkorë, që ia kishte ngrënë kokën KK-së kur ishte i ri, i sapodiplomuar në Moskë. Ajo ishte e fejuar me një kolonel nga krahina e saj, një lokalitet i humbur i veriut. Po ëndërronte të bëhej aktore. Ishte shumë e bukur, tejet joshëse, me një kurm të zhdërvjelltë, gjeste tunduese, gjer dhe fjala kur e nxirrte nga goja, të trondiste me një mbresë epshi.

Publiku mahnitej me figurat e saj, që sido që të ishin, partizane, apo mjeke, mësuese, apo shefe komuniste, të emociononin prej natyrshmërisë, vërtetësisë dhe sidomos, prej atij feminiteti sensual, që e kishte të lindur. Dhe në ato figura kishte dorë i shoqi, regjisori KK.

Ai e linte pa gjumë. E vinte të punonte pa kohë. I rrinte mbi kokë dhe kur mendohej se gjithçka më në fund qe përkryer, ai e shikonte me mërzi, i pakënaqur duke belbëzuar; nuk është keq, dreqi ta hajë! Dhe kur ajo merrte çmime, ai i jepte atë dorën e thatë, që priste shtrëngim prej tjetrit dhe të mundonte me vështrimin e mistershëm, po sidomos me heshtjen e rëndë.

Ajo ishte shumë e përzemërt, i takonte anës tjetër, temperamentit shpërthyes, ndjenjës, emocionit përplot gabime, që s’bien fort në sy, se i mbulon natyrshmëria dhe vërtetësia. Po ai vinte në plan të parë arsyen, logjikën e ftohtë. Dhe pasi ia sqaronte me një gjuhë tejet profesionale, qëllimshëm të thjeshtë e tejet të kuptueshem, kinse për të ( “..megjithëse kane kaluar mbi 35 vjet ai më shikon si një aktore boshe” ) varg e vister dobësitë që dilnin se ishin më fort të dukshme, se të mirat, shtonte me cinizmin e tij të zakonshëm, që e kishte bërë vetmitar, pa miq: “e dashur, ti gjithmonë i merr lehtë vërejtjet e mia, nuk ke vullnetin e duhur për t’i korigjuar. Ja.. Ajo ngrihej dhe ikte me sytë e rrëmbushur dhe, gjatë kalimit nëpër tavolina, dëgjonte ta uronin; je yll, të duam shumë, ç’ka më tepër se ty Sofi Loren?
Ai ishte shumë xheloz. Merrte në telefon rojen e portës te Teatrit; Dolën nga provat? Po, kanë kohë që kanë dalë, janë në klub. Pirro i ka ftuar për një kafe.. Ajo shkëlqeu.. Sa herë është ajo në skenë, unë lë Xhepin këtu, duartrokas i pari.. Shko shiko, ç’bëhet atje.. i thuaj se kam kohë që e pres te parku.
Ajo dilte me ndonjë aktor, partner në rol, duke diskutuar dhe, atje, pikërisht atje, në fillim të parkut, i kujtohej, jo pa një rrëqethje që e bënte akull të ftohtë, se ai e priste, jo në stol, po i fshehur pas ndonjë peme, me dylbi në sy. Duhet ta ketë parë, sigurisht e ka shquar dhe, për më tepër, ky aktori që po e shoqëron është i ri dhe tejet i pëlqyeshëm si mashkull.

Ndahemi? i thotë me një fill zë, me turp, ndahemi se ai ka dalë.. I pëlqen të më shikojë vetëm.. Po ai teveqel, aktor biçimi, krenar e fodull, njeri publik, i përkëdhelur, as që hante pykë, nuk shqitej prej saj pasi t’i shpjegonte mirë e bukur teorinë e Stanislavskit dhe atë të Brehtit për egon dhe alteregon e aktorit. Ndryshimi qëndron.. ngrinte zërin ai, se aktorët flasin rëndom me zë të lartë, edhe pse janë mësuar të bëjnë përshtypje me çdo kusht, pra ndryshimi qëndron në këtë se Stanislavski i jep përparësi emocionit të drejtpërdrejt…
Po ajo s’e dëgjonte më, e linte dhe vraponte nëpër park. Një muaj skena xhelozie. Ai të puthi. Une të pashë me dylbi. Je në vete? Ti ndjell, e ke në gjak, të pëlqejnë kur ta varin, po ata janë…

Sy të buhavitur, ndërprerje të befta të provave për të gjetur një cep e për të qarë. Duhet të duronte, megjithatë, ai, pikërisht ai, me pedantizmin dhe cerebralitetin e tij të skajshëm, bashkë me atë dreq ironie të pështire, e kishte bërë kaq të famshme.
Atëhere bëja punën e shefit. Ai ishte në shtepi, shkruante një skenar bazuar në një roman të madh, të përkthyer në shumë gjuhë. Ishte mjeshtër i skenarit. Eja nga shtëpia, më tha, kam gatuar diçka speciale, flasim.. Kur mbërrita atje, gjeta një njeri te dera. Nuk ka njeri, më tha. I bie e i bie, po s’po e hapin. Kush jeni ju? I vëllai. Vij nga larg. U hap dera. Ai ishte pas saj, përgjonte. Nuk e hapi kanat, po fare pak, nxorri dorën dhe shtrëngoi dorën e të vëllait.
Gabim i përsëritur, i tha, sa herë të kam thënë, ta haje dreqi, që kur të bësh këmbë këndej nga Tirana, të më lajmërosh, të paktën, një javë përpara, që të marr masat.. U drodha, e ndjeva veten keq, doja t’ia mbathja. Dera u hap më shumë. Ai mbante përparësen e gruas në brez dhe një lugë në dorë.
Na futi brënda. I vëllai u ul në divan dhe nuk e hapi gojën. KK më nxori përpara fruta deti dhe salcëra të ndryshme, verë, po ajo që të bënte me fort përshtypje ishte servirja pa një cen. Në grykën e shishes së verës ai kishte ngecur një picetë të bardhë kërk të re, që dhe palosjet i kishte si të ujdisura me art rigoroz.
Ky shkrimtari, më tha, ta shkruajë edhe njëherë romanin sipas skenarit tim. Nuk e njeh fare atë ligjësi krejt të veçantë dramaturgjike që i jep kockë mishit të artit. Prej dramaturgjisë vuan e tërë letërsia shqipe.
Nuk vura re në këtë ligjëratë që më la pa mend, ndonjë fodullëk apo kryelartësi prej skenarit të sapombaruar që vërtet e kishte qarë. I thoshte gjërat kësisoj, se ashtu i kuptonte. Ai vërtet bënte të pamundurën që çdo gjë që nxirrte nga duart të ishte të paktën në hulli të përkryerjes. Dhe këtë, e them me bindje, se e kishte arritur. Po s’dinte të përmbahej e të sillej njëfarësoj që të mos keqkuptohej. Rëndshëm keqkuptohej e shahej, po kur ndonjë punë e tij shfaqej, i linte të gjithë pa gojë. Salla mbushej plot e përplot, s’ndjehej miza, madje dhe më i poshtri e përbaltësi, shkonte i shtrëngonte dorën i pari, duke fshirë sytë. Ata që lehnin, më pas, e kishin nga cmira, që ai ngjallte tërbueshëm. Të nesërmen e prisnin si mbret, po ai kishte sjelljet e një oborrtari, sepse asnjëherë nuk ishte i kënaqur me veten.


Guxova t’i them njëherë, ashtu më tym, më tepër për të shfryrë ndaj tij, se njeriu grumbullonte prej atij njeriu mëri; Temë e rrahur, kjo e boçetit, seç më kujton ca filma të neorealizmit italian. I mori seriozisht fjalët e mia. Mundohej të më bindëte, se ishte një ngjarje e fëmijërisë, e cila e shqetësonte prej kohësh. Aq i logjikshëm dhe mbushamendës ishte në shpjegimet e tij sa të vinte t’i hidheshe në qafë e t’i thoshe me entuziazëm; Ç’thua, pse e mundon kaq shumë veten për të mbushur qypin tim, unë mbetem nxënësi yt që të dëgjoj gojëhapur.. Po nuk e bëja. Sepse e ndieja që atij s’i bënin fort përshtypje këto sjellje, që e kishin fillin te ndjenja.
Shoqërohej më shumë me të paaftët që e shikonin si perëndi. I ndihmonte me shumë përvujteëni, si një vëlla. Sa herë vinte për diskutim ndonjë punë e tyre, do të tregohej i rezervuar. Këtë marrëdhënie të tij me këta pretendues të çuditshëm ( të patalentuarit, hamendësoj se, zoti, kinse i ka pajisur me të vetëndjerin e të talentuarit, ndërsa këtij të fundit i ka ngjizur hidhur riskun dëshpërues të të dështuarit ) ndoshta ai e krijonte, pra, këtë marrëdhënie për të shfajësuar njëfarësoj veten, prej të vërtetave të hidhura që i shqiptonte fort e me kënaqësi, si për të nxjerrë në pah epërsinë e tij, e që keqkuptueshëm e kishin lënë pothuajse pa miq, ndërsa kur paraqitej për diskutim ndonjë skenar serioz i ndonjë regjisori rival, ai e merrte fjalën nga fundi, kur entuziasmi kishte elektrizuar gjithçka, dhe ndërsa kruante fytin, salla shtangte, ndrydhej diçka, ngrinte pezull një dyshim; O zot, ç’do të katranosë ky i poshtër? Dhe ai pa fare ndrojtje, me një zë teë akullt, të zhveshur nga emocionet thoshte, pa parë njeri në sy; Keni qënë ndonjëherë në një sallë kardiologjie ku bëhet prova e biçikletës? ( Ishte një skenë e tillë në skenar.) Kjo pyetje i bëhej skenaristit dhe regjisorit bashkë. Jo. Ishte një lloj përgjigje si të flakej nga krahu i kundërt dorashka e duelit. E pra, kjo mosnjohje vihet re në tërë ndërtimin e skenarit. Kaq. E mbyllte gojën. Ajo konsideratë që ishte ngritur prej dy orësh, shembej e rroposej prej një fraze, në një minutë të vetme e s’kishte si të mos fyheshe rëndshëm si prej një keqdashjeje, dhe për më keq, një poshtërsie. Po s’ishte ashtu. Kur dilte filmi, vërejtja e tij e dikurshme, që pothuajse s’kujtohej më, rikthehej si temë e ditës në kinostudio. Po askujt nuk i vinte të thoshte se KK e kishte shqiptuar i pari këtë vërejtje. Rëndom, artisti i vërtetë jokonformist, që e shpreh hapur mendimin e tij, e që në 90% të rasteve është i drejtë, ngatërrohet qëllimshëm me njeriun, që ne rastin tonë linte për të dëshiruar.
I kishim marrë ftesat që para një muaji për ditëlindjen jubilare të KK-së. Nuk kishte ftuar shumë vetë. Bëheshim pothuajse 30. Ku do ta bëjë? Sigurisht, në shtëpi. Kjo sigurisht nuk vihej në diskutim. Ai s’ishte as i kafeneve, as i restoranteve. Edhe kur e ftonin në ndonjë darkë qeveritare, nuk shkonte. Atje jam i huaj, bëj pa dashje performancën idiote të përshtatjes, pra, s’jam unë, gravata ime në grykën time, këmba ime në këpucën time. Në shtëpi jam zot vetë, dëgjoj të tjerët, më tepër, natyrisht, po më vjen mirë që të gjithë janë të vetëdijshëm që ndodhen në një shtëpi të huaj dhe demostrojnë ndrojtjen, vetëpërmbajtjen, kujdesin për të nderuar të zotin e saj dhe këto mua më pëlqejnë fort se më japin gjithmonë ndjesinë krenare të një avantazhi më shumë.

E përfytyronim me atë përparësen e djallosur, të lidhur me kujdes në bel, në krye të punëve të kuzhinës dhe nuk dinim me saktësi ç’bënte Silva Xh në rolin e përcaktuar qartë prej tij, fill e për pe e rigorozisht, po e merrnim me mend njëfarësoj sikletin e saj të madh.
Kishte veshur kostum, kravata i rrinte pikë për pikë siç donte ai, kjo dukej mirëfilli, u përkul pak dhe sajoi, se ai nuk dinte, një buzëqeshje që i doli si shtijake, dhe ne hymë brenda, nuk e di pse, pa fjalë. Na priti errësira dhe nuk dinim si të orientoheshim. E dinim që kishte bërë regjisurë dhe në ditëlindjen e tij. U ndezën qirinjtë në shandane, plot 50 qirinj, sa mosha e tij dhe hijet tona u shquan dukshëm ndërsa ne mbetëm si fantazma. Ngriti gotën, morëm dhe ne gotat tona dhe i cikëm buzë më buzë, ndërkohë, kur se kishim mëndjen, shpërthyen tridhjetë, aq sa ishim të ftuar, tapa shampanjash që na ranë kokës ndërsa shkumbëzimi flakërues stërpiku gjithçka si me një të qeshur kllouni. Njerëzit e shtëpisë që vunë në lëvizje këtë mizaskenë u zhdukën sakaq prapa një dere që u mbyll pa zhurmë. Nuk gërvinin dyert e tij si ato tonat, se ai vinte në punë dhe për çdo hollësi banale skrupulozitetin e tij rigoroz. Pastaj zumë vend në karriget që kishin emrin e secilit prej nesh. Kollitje, qërim fyti, psherëtimë, fshirje hundësh, për të mbushur njëfarësoj boshllëkun e krijuar, se ai s’na i vari më, po pa fare ndrojtje filloji të na ndajë supën në ca pjata fajance që bënin përshtypje ngacmuese. Qepshja futej lehtë në supjerën e mahnitshme prej kristali blu dhe nxirrte prej andej një grimë supe larushitëse prej barishteve dhe lloj lloj sajesass kulinarie, të mësuar dhe të shpikura prej tij. Veç përparësen nuk e lidhi në brez. Iu kthyem njëri-tjetrit dhe nisëm të gjallërojmë mungesën e mizaskenës me humor. Dikush më pëshpëriti; Të bën përshtypje diçka? Jo. Shiko me vëmendje, mungon një person i rëndësishëm.. Silva Xh. Më në fund KK e kishim në krye të tryezes, ndërsa anash tij, rrinte një karrige bosh. Po s’kishte emër atje që ta merrnim vesh se e kujt ishte. Pas pijeve të gjithëfarëshme, bollëkut të hajes së zgjedhur dhe gatuar me aq finesë sa për t’u patur zili, prisnim tortën e ditëlindjes që s’po dukej ende. Vajti ora njembëdhjetë, njëmbëdhjetë e gjysmë, ai përherë i rezervuar, kallp në humor, po i pazëvendësueshëm kur bëhej fjaleë për trajtime çështjesh delikate të artit, fill në ora dymbëdhjetë pa një çerek, na foli diçka për suspansin, atë ankth pritës të surprizës dhe pa e bërë ne pyetjen, e dha vetë përgjigjen me një buzëqeshje të mprehtë në buzët e holla; Siç e shikoni, të dashur miq, një film me të gjithe përbërësit e tij është e mundur të luhet dhe në një mbrëmje të ngrohtë familjare. Jemi të këtij specialiteti, pse krijojmë edhe në kësi rastesh ndonjë mizaskenë nuk bëjmë keq, veç i hedhim një salcë të panjohur darkës, sone atë që mungon rëndom, sepse, ta themi pa e fshehur, rëndomësia dhe përsëritja e gjërave mbyt sebebet tona. Ju ka bërë përshtypje një mungesë dhe gjatë gjithë kohës keni ngritur një pyetje; Ku është? Pse të mungojë? Pra darkës së zakonshme të një ditëlidjeje i është shtuar dhe një veshje e përkorë arti. Sepse jemi artistë dhe s’bëjmë dot pa të.

Foli kështu me elokuencë të shkathët gjer në orën dymbëdhjetë dhe fiks në atë çast prej një sahati në mur, që s’e kishim vënë re për shkak të dritës së mekur të qirinjve, doli një qyqe dhe bëri ku ku dymbëdhjetë here, dera u hap, Silva Xh e veshur me një fustan të zi me reflekse të puthitur pas kurmit të derdhur seksapil, hyri ngadalë duke mbajtur në duar tortën e madhe me pesëdhjetë qirinj të ngulur drejt në tre rrathë ngjyrë kafe prej çokollatës, mbi të cilën ishte shkruar urimi për KK. Hapat e saj të lehtë e të menduar, ( kushedi sa prova kishte bërë për këtë të ecur) u shoqëruan prej sonatës Apasionata të Bethovenit.
E ndau ai vetë tortën, (as këtu s’kishte besim tek ajo,) aq e hollë duhej të ishte secila prerje, sa të përshkohej prej asaj drite qirinjsh.
Silva Xh qëndronte në këmbë. Ajo nuk u ul në karrigen e saj, gjersa torta u nda dhe ai i tha të ulej.
Kjo ishte, tha KK. Dikush duartrokiti, pastaj duartrokitëm të gjithë. Atij i pëlqeu shumë që mizaskena e tij e fundit, ajo e surprizës, pati aq sukses, po nuk e dëgjoi atë që miku im ngjitur më pëshpëriti në vesh; E shkreta, Silva Xh.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.