KULTURË

Makina të tonazhit të rëndë mbi kalldrëm në Gjirokastër

13:28 - 16.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Deputetja dhe ish-ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro ka reaguar sa i takon kalimit të makinave të tonazhit të rëndë në zonën historike të Gjirokastrës. Përmes një postimi në “Facebook”, ajo sqaron gjithë situatën duke i kaluar një pjesë të përgjegjësisë bashkisë.




“Edhe një herë për kalldrëmet e Gjirokastrës, fiksimin e gjirokastritëve por edhe timin. Javën që shkoi doli një sëkëlldi e re: një pjesë e kalldrëmit, para zyrave të Këshillit të Qarkut, që ishte riparuar pjesërisht para 3 javësh, duket se ka çaluar në ‘qëndisjen’ e gurëve dhe padyshim kjo na shqetëson, sidomos kur shohim nga ana tjetër, se me sa kujdes po bëhet kalldrëmi në të gjithë Qafën e Pazarit, ku mjeshtra nga Gjirokastra e Berati, po punojnë gur, gur për ta bërë rruazë”, shkruan deputetja e PS.

Në përgjigje të mesazheve që ka marrë nga miq gjirokastritë, Kumbaro thotë se ka kontaktuar përgjegjësit e kompanisë zbatuese të projektit të cilët i shpjeguan se pikërisht në atë pjesë të kalldrëmit, që do duhej të ishte i bllokuar për qarkullimin e makinave derisa të mbyllej procesi i punës, kanë kaluar makina të tonazhit të rëndë dhe kjo ka sjellë dëmtim të pjesshëm të kalldrëmit ende të pastabilizuar.

“Natyrisht që ajo pjesë e kalldrëmit të dëmtuar do të shqepet dhe do të bëhet sërish nga e para, dhe do të garantohet pa dyshim cilësia dhe fortësia, njësoj si në pjesën tjetër, ku çdo ditë admirojmë punën e ustallarëve duarartë. POR, dua të tërheq vëmendjen sidomos të Bashkisë Gjirokastër, që të jetë bashkëpunuese me kompaninë dhe ustallarët me qëllim që të mos lejohet qarkullimi i automjeteve ndërkohë që kantieri është i hapur, por edhe që duhet të punojë për të përgatitur komunitetin dhe tregtarët që Qafa e Pazarit të bëhet përfundimisht këmbësore”,-shkruan Kumbaro. Sipas saj, nuk ka kuptim që në një anë punohet e në anën tjetër policia bashkiake u hap udhë automjeteve të rënda.
“Është e domosdoshme që të jemi të gjithë bashkëpunues e mirëkuptues për të mirën e projektit më të madh të restaurimit që është bërë në Gjirokastër, nëse e duam vërtet cilësinë e punës.

Nuk mbrohet puna vetëm duke sharë e fyer në ‘Facebook’ ata që punojnë, e ca më keq duke fërkuar barkun djallëzisht kur një gur shkon shtrembër, por duke qenë konstruktiv e bashkëpunues në terren. Ndjek çdo ditë punimet e kalldrëmeve në Gjirokastër, sepse është punë delikate, por edhe sepse, tashmë prej 3 vjetësh, Qafa e Pazarit është kthyer në një tablo të bukur që restaurohet si në një laborator të hapur ku marrin pjesë: mjeshtrat e ustallarët të cilëve nuk u ndihet zëri po u shihet puna, gjirokastritët që duhet të jetojnë çdo ditë me sfidën e kantierit në zemër të qytetit, turistët që megjithatë nuk i ndalin shëtitjet e tyre dhe fjalët e mira për qytetin që magjeps, të gjithë ne që i nisëm, i projektuam, i investuam por dhe kemi padyshim përgjegjësinë t’i mbikëqyrim dhe t’i ndjekim projektet deri sa të bitiset me sukses kjo punë, siç mbyllëm mbarë e bukur edhe fasadat, çatitë e objektet e Pazarit”,-thekson Mirela Kumbaro.

“Në fund”, thotë ajo, “natyrisht edhe të pakënaqurit e përjetshëm që mezi presin të gjejnë qimen që pastaj të shtyjnë kohën në “Facebook” për ta bërë tra.”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.