KULTURË

Lekë Tasi Artisti që njohu persekutimin, shfaqen vizatimet e një jete

18:00 - 17.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Më 1975 jam internuar për arsye politike në Grabjan të Lushnjës, dmth., i përkisnim një familje të persekutuar. Babai, xhaxhai, daja, vëllai, kishin qenë në burg. Ishte një valë egërsie që unë bashkë me shumë të tjerë u internova. Me ndryshimin që më ndodhi në vitin 1967 violonçelin e lashë. Kjo ishte një traumë për mua, por mua më dha mundësi që unë të bëhesha piktor. Burgun babai, xhaxhai, daja, vëllai e kishin bërë për bindjet e tyre, sepse ishin antikomunistë. Pas internimit, viti 1990, jam kthyer në Tiranë ditën që Kristofor Kolombi zbuloi Amerikën, 12 tetor 1990. Në internim, 2 vitet e para kam jetuar me artin në mbrëmje, më mbeti zakoni për të punuar, më pas u lodha”.




Lekë Tasi e kujtonte me pak fjalë jetën e tij të vështirë. Më1957 u hoqën nga ekspozita dy punime të tij, ndërsa më 1967 pushohet nga puna për arsye politike dhe si i persekutuar punoi në fermë deri më 1971 ai është përkthyes në Institutin e Tokave në Tiranë, deri më 1975 e gjejmë punëtor bujqësie në Stacionin e farërave dhe për 15 vitet e ardhshme të internuar politik në fshatin Grabjan të Lushnjës.

Teksa shënon 90-vjetorin e lindjes, në Galerinë FAB, ‘Harabel Contemporary Art Platform’ dhe Universiteti i Arteve i çelin këtë të mërkurë ekspozitën vetjake me titull “Vizatime të një jete”. Ekspozita është kuruar nga studiuesi Zef Paci dhe Platforma Harabel dhe qëndron e hapur për publikun në FAB përgjatë datave 17 – 28 prill 2019. Platforma ‘Harabel’ mundëson për herë të parë ekspozimin e vizatimeve të Lekë Tasit dhe kjo organizohet me rastin e 90-vjetorit të autorit. Për këtë arsye, u mendua kjo paralele ndërmjet ardhjes, lindjes dhe vizatimit si lindje, zanafillë, si ngjizje e veprës së artit. Ekspozita është një përzgjedhje në kërkimin artistik tejet afatgjatë të një personi që dikur jetonte në persekutim, i cili, duke mos mundur të shprehej lirisht nëpërmjet të folurit dhe shkrimit, ka përdorur dhe përdor vizatimin si një mjet komunikues në jetën e përditshme.

Vizatimet e tij ruajnë frymën e historive të vogla, anekdotave, lojës, thashethemeve; herë-herë përçojnë diçka epshore. Ai kërkon të tërheqë e drejtojë vëmendjen nëpërmjet asaj çka vizaton kah tensioneve të fshehura dhe të padëgjuara që gjallojnë hapësirën. Lekë Tasi ka lindur në vitin 1929 në Athinë në një familje emigrantësh shqiptarë. Ai studioi muzikë dhe punoi si violonçelist në Radio, Filarmoni dhe në Teatrin e Operës (1946-1967). I pushuar për arsye politike, u internua në Myzeqe, ku u mor me punë bujqësore. Lirimi i plotë erdhi në vitin 1990. Në vitin 1991 u emërua në sekretariatin për fenë në Ministrinë e Kulturës dhe më vonë në Kryeministri, ku qëndroi deri në vitin 1998. Ai është marrë qysh i vogël me pikturë; fillimisht me grafikë (akuarel, tempera, pastel, bojë kineze, flomaster) dhe më vonë gati tërësisht me vaj. Megjithëse autodidakt, punimet e tij janë çmuar qysh herët nga piktorët e mirënjohur: Mio, Buza, Zajmi dhe Paskali, me të cilët këshillohej. Lekë Tasi ka marrë pjesë në ekspozitën e përbashkët të organizuar nga Fondacioni Soros (1992) te Piramida dhe katër herë në GKA (në vitet 1992, 2003, 2007, 2015). Së bashku me piktorët Ll. Blido dhe R. Guci kanë ekspozuar në galerinë “Jozef” (Durrës, 2005). Ka qenë pjesëmarrës në ekspozitën “Onufri” tri herë përgjatë viteve ’90; pjesëmarrja e fundit shënohet në vitin 2004 me ekspozitën me titull “Vende të spikatura”.

Ndër ekspozitat vetjake përmenden ato në galeritë: “Exit” (Pejë, 2005), “Zeta” (Tiranë, 2012), si dhe “DIDART” (Tiranë, 2008-2012). Përtej Shqipërisë, ka ekspozuar në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Xhenova (Genova, Itali) bashkë me 25 artistë të tjerë në ekspozitën “Arti në Shqipëri – para dhe pas vitit 1990” (nëntor 2009 – shkurt 2010). Në mënyrë vetjake, në Alba, Galeria d`Arte – Angelo Galeasso, ka hapur ekspozitën “La Mia Açademia delle Ore Libere” (21-29 korrik 2014). Në prill të vitit 2016 ka marrë pjesë së bashku me 163 artistë shqiptarë në veprimtarinë e Luciano Benetton Collection “Imago Mundi”. Lek Tasi shquhet si një zë i ndryshëm e modern në botën e pikturës tradicionale shqiptare dhe për këtë ai duhet të zërë vendin që i takon në historinë e artit shqiptar. Deri në vitin 1975 piktori ekspozoi vetëm disa punë, edhe pse kishte një krijimtari shumë të pasur. Pas viteve 1990, tashmë si profesionist ai iu drejtua jo vetëm ekspresionizmit, por disa zhvillimeve të artit modern të shekullit XX. Ai pa me vëmendje, me seriozitet dhe imtësi prurjet surreale, naiviste dhe të abstraguara. Piktori dhe miku i tij Llambi Blido shkruan: “Muzikant dhe bir i një familjeje të persekutuar, Lekë Tasi e pati nisur rrugën e pikturës si nxënës i Nexhmedin Zajmit. Realizmi i thjeshtë i akuareleve të tij të viteve `50 ushqehej nga dashuria e përjetshme e këtij përmetari për Tiranën ku u rrit. Në çdo tablo të këtij autori, në etapën aktuale të pjekurisë së plotë, siç erdhi në ekspozitën e vitit 2015 në GKA, çdo befasi, është në fakt befasi e fabulës. Atë ai e zhvillon me imagjinatën e tij dhe e realizon në lirshmëri falë aftësive kreative-improvizuese të admirueshme në çdo kënd të tablosë”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.