LIFE STYLE

Kur ia del mbanë një vajzë nga fshati!

09:48 - 18.04.19 Agida Koçi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kisha ardhur në kryeqytet pa e menduar shumë se se ç’më priste. Në klasën ku u gjenda në dyert e fakultetit të ekonomisë kishte shumëllojshmëri karakteresh, formimesh por edhe prejardhjeje. Pa kuptuar u formuan grupet që në orët e para dhe ajo që të binte në sy ishte vetëm një gjë, çfarë ishte e përbashkët në këtë grup: Vendlindja. Ishte pyetja e parë që të bënte çdo profesor, si quhesh dhe nga vjen?
Vetëm në vit të tretë e kuptova se kishim patur në klasë një thesar. Atë që të gjithë e komentonin për veshjen, por që të gjithë i kërkonin ndihmë për detyrat e kursit. Po e quaj Ema, megjithëse në fakt ajo kishte një emër të vjetër, nga ata të ringjallurit të cilin e urrente sepse i dukej se emri e bënte edhe më të papëlqyeshme për të tjerët.
E shikoja që vajza tiranse, që përgjithësisht pretendonin të ishin më të emancipuara, e shihnin nga koka tek këmbët kur Ema ngrihej në mësim. Njëra hidhte një fjalë dhe grupi qeshte aq sa e bënin Emën të ndihej keq. Nuk ishte e bukur, vishej shumë thjesht dhe e gjithë klasa thoshte se është anti-sociale. Në fakt askush nuk ishte afruar ta pyeste për diçka tjetër veçse për detyra apo për ushtrime.
Vetëm në vit të tretë arrita ta kuptoja kush ishte realisht Ema. Ishte rritur në një fshat të thellë të Korçës dhe kur ishte vetëm 6 vjeç kishte nisur shkollën në fshatin e tezes, pasi në fshatin e saj nuk kishte një të tillë. Deri kur kishte mbaruar gjimnazin Ema kishte jetuar te tezja dhe shkonte tek prindërit vetëm fundjavave. Babai i saj kishte shumë vite diferencë nga e ëma, për të cilën thoshte se nuk kishte veshur kurrë një fustan. Babai i Emës ishte shumë xheloz. Ema vetë thuajse nuk merrte asnjë lekë nga familja për tu shkolluar.
Merrte një bursë minimale nga shteti dhe me të ia dilte të jetonte, disi. Ishte vajza me notat më të larta në grupin tonë, por edhe në klasat paralele. Por karakterizohej nga një pesimizëm i dukshëm me ato që i kishin ngulitur në mendje që e vogël.
“Ti nuk mundesh atje, është botë e vështirë”- i kishin thënë. Por unë e mbaj mend si tani kur ne ishim ulur në rreshtin e dytë të shkallëve në Pallatin e Kongreseve në një prej ditëve tona më të bukura, diplomimit. Profesoreshë Sidita po thërriste emrat e studentëve ekselentë dhe unë pëshpërisja të sajin. Mos fol kot,- më thoshte mua,- ato çmime janë ndarë me kohë, u janë dhënë atyre që kanë njohje dhe para”.
Por profesoreshë Sidita, pa e ndryshuar fare tonin e zërit thirri emrin e Emës dhe nuk e di nëse u gëzova më shumë unë apo ajo. Ishte e vetmja nga grupi ynë që doli në 5 të diplomuarit më të mirë. Ema tashmë ka përfunduar masterin shkencor me rezultate të shkëlqyera dhe është një profesioniste duke ngjitur shkallët e karrierës./bitchmagazine.al




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.