Intervista

Maria u torturua në thes nga macja e egër, drama që njeh botën me historinë e saj

14:54 - 22.04.19 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pakkush nuk është tmerruar me hisorinë e Marie Tuçit. Duke mbrojtur të drejtën e saj për të besuar lirisht, Maria i doli kundër regjimit kur ishte vetëm 22 vjeç.




Kjo solli arrestimin e saj, torturat çnjerëzore dhe vdekjen mizore. Atë e mbyllën në një thes, lakuriq, bashkë me një mace të egër dhe e goditën në mënyrë të vazhdueshme. Vdiq në spitalin e Shkodrës më 20 shtator të vitit 1950 . Ajo është e vetmja grua që renditet mes 40 martirëve të parë të kishës katolike shqiptare.

Nga 22 vite jetë, 22 muajt e fundit i pati torturë. Trëndafila i konsideron shkrimtari, pedagogu dhe përkthyesi Gjergj Jozef Kola me veprimtari në Vjenë, 22 vitet e Maries në këtë botë.

“22 Drandofilet e Maria Tuçit”, e ka quajtuar ai dramën që është vlerësuar si një nga më të mirat e vitit 2019 nga Bashkia e Vjenës.

Në një intervistë për VOAL, Kola rrëfen se kjo dramë u vlerësua mbi të gjitha si e denjë për mbështetje, nisur edhe nga momenti aktual i dhunës që po ushtrohet ndaj zonjave e zonjusheve sot në Europë. “Të mendosh se në Austri vetëm 3 muejt e parë të 2019 janë vra tetë zonja e zonjushe”, tregon ai.

Ndërsa duke e sjellë situatën globale në rrafshin shqiptar ai tregon se në vitin 2018 janë vrarë mbi 100 zonja e zonjusha shqiptare nga mashkujt shqiptarë.

“Të jetosh si zonjë apo zonjushë në Shqipni sot asht diçka heroike, mendoj unë”, shprehet ai.

Kola, Drama juaj “22 Drandofilet e Maria Tuçit”, u vlerësua nga bashkia e Vjenes si një më të mirat e vitit 2019. A mund të na thoni diçka ma shumë për këtë Projekt-Dramë?

Kjo dramë u vlerësue mbi të gjitha si e denjë për mbështetje, nisë edhe nga momenti aktual i dhunës që po ushtrohet ndaj zonjave e zonjusheve sot në Europë. Të mendosh se në Austri vetëm 3 muejt e parë të 2019 janë vra tetë zonja e zonjushe.

A keni kërkuar bashkëpunim edhe me atdheun, sponsorë private, ministritë e teatrot shqiptare? Të vësh një dramë në skenë nuk është aq e lehtë sot.  Aq më shumë një temë e tillë që është kaq aktuale për shoqërinë shqiptare.

Padyshim. Dramat e mija ja kam nisë së pari teatrove të Shkodrës, Tiranës, Shkupit, Prishtinës, porse deri më tash kam pasë vetëm nji heshtje shkretinet perreth tyne. Madje për dramën e fundit për Gjergj Kastriotin Skanderbegun, e cila mori referenca mjaft pozitive nga regjisorë shqiptare, e për të cilën pata mbeshtetje nga bashkia e Vjenës për 550 vjetor, ministria e kulturës që atëbotë drejtohej nga zonja Kumbaro-Furxhi as përgjigje nuk më ktheu, megjithësë unë i shkrova edhe në privat zonjës në fjalë. Edukatë e mirsjellje në Shqipni asht nji fjalë e huej.

Keni vënë drama të tjera në skenë në Europë?

Padyshim, drama “Poeti Martin Camaj”, u vue në Gjermani, në Mynih në skenë, në praninë e zonjës së tij, Erika Camaj dhe nxanësit të tij përkthyesit Hans Joachim Langsch, në nji sallë të mbushun plot, drejtue nga regjizorja shqiptaro-gjermane z. Rita Ndoci. Kët dramë ja afrova edhe teatrove shqiptare porse as denjuen për përgjigje. Me ardhë në Europë duen shqiptarët, porse me u lidhë me ne të diasporës që bajmë artin e vërtetë antitallava, kët nuk e duen.

Për çfarë bëhet fjalë në dramën tuaj: “22 drandofilat e Maria Tuçit”?

Në dramë bahet fjalë për nji vajzë të re 22 vjeçe, Maria Tuçin, mësuese filloret, novice te murgeshat Saleziane në Gjuhadol të qytetit të Shkodrës e cila gëzonte nji bukuri të rrallë të racës arbnore e si e tillë lakmohet e burgoset nga nji komunist çam, sigurimsi analfabet Hilmi Saiti e torturohet për 22 muej. Ajo jetoi vetëm 22 vjet, u torturue 22 muej e vdiq si pasojë e torturave sadisto-komuniste. Ajo vdiq e pastër, siç thotë edhe Arqipeshkevi i Shqipnise, Frano Illia në kujtimet e tij. Asht ky akt i naltë i qëndresës mendoj unë që ka shtye edhe bashkinë e Vjenës me mbështetë kët projekt-dramë.

Po në vendlindjen tuaj Shkodër e njiherësh qytetin ku Maria Tuçi mbaroi shkollën si mësuese e së fundi edhe vdiq nën torturat komuniste, nuk u afrua asnjë mundësi për ta vënë në skenë?

Shkodra aktualisht drejtohet si bashki nga nji zonjë e nji familjes së nderueme qytetare siç asht zonja Voltana Ademi. Qytetlinjda ime aktualisht ka shumë probleme me krimin e organizuem e fenomene të tjera, si mungesa e plotë e fondeve nga qeveria, etj. Kësisoj mendoj se z. Ademi e ka të pamujtun me kontrollue gjithçka, e puna me teatrin Migjeni i ka rrëshqitë sadopak.

Më konkretisht mund të na thoni diçka meqë ju keni luajtur vetë për disa vite si aktor në kët teatër?

Si aktor kam luejtë në kohën e adoleshencës, në disa drama falë edhe dajës tem që ishte aktor  aty z. Vitor Bruceti. Problemi në teatrin e Shkodrës asht ma kompleks. Aktualisht drejtuesit organizojnë konkurse dramash e ndajnë fondet në mes tyne me autorë mediokër për drama që nuk i shef askush, me nji teater krejt te zbrazun për sa i përket dramës. Kështu ky teatër aktualisht asht kthye ma shumë në nji makineri fitimi të paligjshëm, se sa nji vend i kulturës e artit. U ngjan shpive botuese që botojnë vetem kush paguen, e tallavaja paguen sot.  Unë kam nisë 25 drama atje e per asnjenën nuk kam marrë asnjilloj përgjigjet. Këto drama mund të shifen në Home Pagen time: www.gjejokola.com.

Bruno Shllaku aktori ma i mirë i gjallë shkodran, ka thanë për gjendjen ku dergjet teatri sot: Kjo asht koha e kolerës e teatrit shkodran.

Sa kanë ecur punët me projektin “22 drandofilat e Maria Tuçit”?

Këto ditë u realizue videoklipi i martires shqiptare dhe së shpejti do i prezantohet botës perëndimore, meqë asht edhe performue në anglisht e gjermanisht. Drama asht përkthye në këto dy gjuhë, në gjermanisht asht shkrue nga unë e në anglisht asht përcjellë nga poeti e përkthyesi Anglo-shqiptar, Ferdinand Nikaj, të cilin e falenderoj publikisht me shumë përzemërsi. Foto nga ky videoklip, i cili asht realizue në qeline e torturave të Maria Tuçit në Shkodër mund t’i shifni këtu.

niki 5 niki 4 niki 3 niki 2 niki 1
<
>

Cfarë do të marrin europianet nga kjo dramë meqë ajo do të afrohet në anglisht e gjermanisht…?

Europianët do të marrin mesazhin e realitetit të sotëm shqiptar. Na jena vendi me numrin ma të madh të vrasjeve të zonjave e zonjusheve në Europë në raport me popullsinë. Vetëm në vjetin 2018 janë vra mbi 100 zonja e zonjushe shqiptare nga mashkujt shqiptarë. Zinxhiri i së keqes vazhdon, ai nuk asht ndërpre për asnji çast, megjithë ardhjen e demokracisë.

Pra ju mendoni se nji dramë e tillë do të ndikonte sadopak në ndalimin e krimit në familje, në vrasjen e nënave e bijave shqiptare?

Padyshim, arti ka për mision emancipimin e shoqnisë njerzore, porse kur në drejtim të artit e kulturës vendosen njerëz me komplekse, atëherë krimi vazhdon rrugën e tij të pandalshme. Në Austri për çdo fenomen shoqnor negativ ka nji dramë në teatër, në Shqipni as që bahet fjalë. Në Shqipni e Kosovë artistat merren me zgjidhjen e problemeve botnore, në vend të atyne kombëtare që janë me shumicë.  Unë mendoj se nëse nji shoqni i flet me art problemet ajo shërohet prej tyne, nëse i fsheh nën qylym atëhere mbytet prej tyne. Establishmenti politik sot në Shqipni nuk asht i interesuem me i zgjidhë problemet, porse vetëm me i mshefë nën qylym. Polarizimi i shoqnisë shqiptare vazhdon me shpejtësinë e tingullit e kjo dallohet në medjat sociale. Të jetosh si zonjë apo zonjushë në Shqipni sot asht diçka heroike, mendoj unë.

Establishmenti politik shqiptar? Cili asht roli i tij në raport me artin?

As në kohën e diktaturës establishmenti politik nuk asht përcjellë me nji urretje e përçmim se sa sot nga populli. Kjo vjen edhe ngaqë njerzit janë ma të edukuem politikisht e me kulturë demokratike. Metodat autokratike- anadollake të liderve politikë shkaktojnë gjithandej ilaritet deri në përbuzje. Ky establishment asht i kapercyem tashma, ai asht si nji dinozaur me krye gjigand e kambë prej Flamingot e sa ma shume qëndron në pushtet aq ma i rrezikshëm bahet për kombin dhe Europën. Habitem se si nuk e shofin ndërkombtarët këtë.

E cila do ishte zgjidhja mendoni ju?

Ndërrimi i establishmentit të formuem nën dikaturë me njerëz të rij të formuem në perëndim, kjo asht zgjidhja e vetme si komb, për vetë kombin dhe sigurinë e qetësinë në Ballkan e në Europë. Në dramën time “Don Kishoti i Rumelisë e Sanco Panca i t`Lanës“ shtjelloj politikën aventuriere të estbalishmentit i cili i hapi dyer e dritare tanë fanatizmave dhe esktremeve të botës. Si rrezultat sot shqiptarët për nga numri i popullsisë nxajnë vendin e parë në Europë për terroristët që kanë shkue në shtetin islamik të ISIS. Kumbonët e alarmit bien e askush nuk i ndin. Deri tash kena thanë se terrori islamik nuk ka lidhje me ne e papritmas jena në tanë shtypin e perëndimit si vendi me numrin ma të madh të terroristave atje në raport me popullsinë. Establishmenti e ka çue kombin në atë shkallë saqë njerzit nuk e perceptojnë ma të keqen si të tillë. Janë në gojë të ujkut dhe besojnë se janë në andërr. Thuajse të gjitha Vereine-shoqatat e vetëquejtuna të  “kulturës shqiptare” në disaporë mbahen financiarisht nga shtetet e hueja e jo vetëm ato mikëpritëse, ndërsa ambasadat tona flejnë, ndoshta qëllimisht…

E kush asht fajtor për këtë, vetëm establishmenti?

Fajtorët kryesorë janë politikanët “me kravata e barnaveke“ si në Kosovë ashtu edhe në Shqipni. Ata kanë hapë dyert për aventurierin donkishotesk të Bosforit, i cili i ka hi tortës shqiptare dhe po helmon ngadalë. Njerëzit në kohë të pasigurisë sociale, të papunësisë e të mungesës së shtetit ligjor, janë ushqim për fanatikët. Populli nuk ka kurrë faj, establishmenti po. Nji frymë e madhe antikombtare ka shpërthye gjithandej, mjafton me pa debatet në mediat sociale.

E çfarë ndodhi me dramën për Don Kishotin e Sanco Pancon shqiptar?

Asgja, çka të ndodhte! Unë ja nisa nji regjizori shqiptar e më premtoi diçka, porse nuk u ba ma i gjallë… Në dramë bahet fjalë për metodat e TALLAVASE POLITIKE të dy liderve, e në Shqipni apo Kosovë askush nuk guxon me e vu në skenë. Në aktin e dytë të dramës Sancon e T`lanës e bajnë guvernator në Anadoll e ai përpiqet me tallavanë e pikturave të tij e me Hashash-Party, me ju mbushë mendjen e zemrën anadollasve të papunë e të pastrehë, të padritë e pa të pa ujë e rrezultati mund të kuptohet lehtë. Sanco Pancot nuk dojne shtetin e së drejtës e standarteve perëndimore, porse tallavane anti shtet.

Të kthehena te drama e Marie Tuçit, martires së pafaj. Ajo ishte viktimë e dikaturës komuniste.

Maria Tuçi nuk asht thjesht Maria Tuçi. Ajo asht shpirti i kombit arbnor të kapun peng nga diktaturat e vazhdon ende sot me u torturue, ndonëse në mënyra të tjera, nga forca të tjera  e nga njerëz të tjerë, porse gjithnji nga i njëjti burim: dhuna antidemokratike!

Ke do të falenderoni për kët projekt dramë?

Në rradhë të parë du me falenderue nga zemra publikisht shkodrano-mirditoret Orestia Kapedani, fotografe e talentueme me banim ne Gjermani, Angjelina Lekaj koereografe e mrekullueshme  e Engji Blickensdorfer aktore e re, që banojne në Zvicër, për suportin e për ndihmesen fotografike e koreografike, te cilat më kanë ndejë afer me ide e sugjerime gjatë shkrimit të dramës. Së dyti bashkinë e Vjenës për vlerësimin e mbështetjen.

Ju faleminderit për përgjigjet e intervistës e suksese në krijimtarinë tuaj.

Ju falem nderës unë e ju uroj gjithçka të mbarë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.