KULTURË

Filmi “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” shkon në Moskë

18:55 - 23.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Mbahet në Moscow International Film Festival premiera botërore e filmit artistik “Pranvere e paharruar në fshatin e harruar” me regji dhe skenar të Kushtrim Bekteshit. Në përzgjedhjen e 15 filmave në edicionin e 41-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Moskë, portali “Festival Film” e rekomandon edhe filmin shqiptar “Pranverë ? paharruar në fshatin e harruar”. Ai u shfaq më 21 dhe është planifikuar me 24 prill për një projeksion të dytë. Producenti i filmit Mumin Jashari ka thënë për median se me Kushtrimin do jenë në festival për prezantimin e filmit.




Ky është një sukses për regjisorin Kushtrim Bekteshi, i cili me film debutant po prezantohet në një festival të kategorisë A. Filmi është xhiruar në fshatin Gjonomadh të rrethit të Korçës. Në film është paraqitur jeta e zakonshme dhe e qetë e një fshati “të harruar” që e çrregullon ardhja e tri prostitutave në kafenenë ilegale të dy vëllezërve. Burrat, edhe përkundër përpjekjeve të grave të tyre për t’i ndaluar, tërë kohën e kalojnë në kafene duke harxhuar paratë e fundit në alkool dhe seks. Në shkollë mbizotëron gjendje kaotike, xhamia mbetet pa besimtarë. Nga e gjithë kjo gjendje kaosi përfitojnë dy të rinjtë Agimi dhe Shpresa, të cilët arrijnë të realizojnë lidhjen e dashurisë që ua kanë ndaluar prindërit e tyre.
Ndër klientët e rregullt në kafene është edhe i papuni Xharra, i cili me gruan e tij Hanën (e cila është shtatzënë) ka tre fëmijë të vegjël. Hoxha e humb autoritetin tek burrat e fshatit. Përveç pleqve, askush tjetër më nuk shkon në xhami. Edhe përkundër thirrjeve të tij apokaliptike për katastrofën që i kanoset fshatit, prapë se prapë kafeneja vazhdon me punë. “Spiuni” i fshatit (Avdili) përpiqet që ta përmbushë misionin që ia ka ngarkuar Xhinga për ta vënë në tundim Hoxhën që edhe ai ta vizitojë kafenenë. Ndërkaq që gratë e fshatit detyrohen vetë të përkujdesen për fëmijët, shtëpinë, arat dhe gjithçka tjetër. Përpjekjet e tyre për t’i ndalur burrat për të shkuar në kafene, rezultojnë të pasuksesshme. Në fund Hana me ndihmën e Hoxhës dhe gruas së tij, arrin t’i organizojë gratë e fshatit që të rebelohen, të ndërmarrin aksion për t’i dëbuar prostitutat dhe për ta djegur kafenenë. Kafeneja digjet e tëra, ndërsa jeta në fshat ka gjasa të kthehet përsëri në normalitet.
“E veçanta në film, të gjithë aktorët flasin me një dialekt, edhe pse janë nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova. Flasin në dialektin geg, dhe kjo është një nga risitë e filmit tonë. Nuk bëhet fjalë se në cilën trevë bën fjalë, por që është përgjithësuese për shoqërinë shqiptare, është një shoqëri patriarkale, por në ndryshim, ka mesazhin pozitiv brenda saj. Ndryshimi është i domosdoshëm për një shoqëri të caktuar”, ka thënë producenti Genc Përmeti.

Në film është përfshirë një kastë e madhe aktorësh nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe Bullgaria, ndër të cilët: Shkumbin Istrefi, Osman Ahmeti, Ndriçim Xhepa, Luan Jaha, Salaetin Bilall, Muzbajdin Qamili, Vjollca Bekteshi Hamiti, Adriana Matoshi, Diana Spasova, Hismet Ramadani, Musa Isufi, Ervin Bejleri, Romir Zalla, Adrian Aziri, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Donikë Ahmeti, Taulanta Jupi, Mona Mustafa, Sokol Hajrullai, Ilire Vinca, Vebi Qerimi, Adem Karaga, Muzafer Etemi, Besmir Bitraku, Gentë Ratkoceri, Lili Çavdarova Suçeva, Amernis Nokshiqi Jovanovska, Emine Kadriu, Flora Kadriu, Blerim Dardhishta, Muhamed Arifi, Mendim Murtezi, Teuta Ajdini Jegeni, Drita Kaba Karaga, Elhame Bilalli, Hajrullah Ramizi, Zijadin Murtezi, Vaske Niço, etj…

Filmi “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” është bashkëprodhim në mes Manufaktura Production (Maqedoni) me producent Sasho Pavslovski, Media&Film Production (Kosovë) me producent Mumin Jashari, Ska-Ndal Production (Shqipëri) me producent Genc Përmeti dhe Skupifestival (Maqedoni) me producent Muzbajdin Qamili dhe Osman Ahmeti. Filmi është i mbështetur financiarisht nga Agjencioni për Film i Maqedonisë, Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë, Radiotelevizioni i Kosovës, Radiotelevizioni i Maqedonisë 2 dhe Radiotelevizioni i Shqipërisë.

Filmi është parashikuar të jetë pranë publikut në tërë kinematë tona në mesin e muajit maj 2019.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.