KULTURË

Libri i Luljeta Lleshanakut, finalist në Kanada

10:18 - 25.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pas vlerësimit me çmimin PEN-i anglez dhe përzgjedhjes si finalist për çmimin “PEN America 2019”, përmbledhja me poezi “Negative space” e Luljeta Lleshanakut, e përkthyer mjeshtërisht nga Ani Gjika dhe e botuar njëkohësisht në Mbretërinë e Bashkuar nga “Boodaxe Books” dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga “New Directions” gjatë vitit që shkoi, përzgjidhet si një nga katër librat finalistë për çmimin ndërkombëtar “Griffin”, në Kanada. Çmimi “Griffin” është themeluar në vitin 2000 nga biznesmeni dhe filantropisti Scott Griffin dhe jepet çdo vit në dy kategori: për poezinë ndërkombëtare të shkruar apo të përkthyer në anglisht dhe për poezinë kanadeze. Fitues të mëparshëm të këtij çmimi kanë qenë autorë të njohur si: Anne Carson, John Ashberry, Charles Simic, Charles Wright, Paul Muldon, Heather McHugh, Paul Celan etj. Në argumentin e saj për përzgjedhjen e librit “Negative space” si finalist, juria e çmimit “Griffin” shprehet: “Sa më pak e njohur gjuha origjinale, aq më e vyer bëhet dhurata e përkthimit! Libri ‘Negative Space’ i Luljeta Lleshanakut sjell një vështrim të rralle tek poezia shqiptare bashkëkohore. Rrjedhshëm e me saktësi të mprehtë, Ani Gjika e cila është edhe vetë poete, ka mundur të shprehë në anglisht jo vetëm poezitë e ‘Negative Space’, por edhe atmosferën e ngrysur që zotëron gjatë gjithë librit, një ndjesi e thellë përkohshmërie, që është pasojë e së jetuarit nën presionin e ashpër politik. ‘Negative Space’ është gjithkund pjellore.




Duke hapur portën e traumës, ne ballafaqohemi me një zë të butë dhe inteligjent, me ngjarje që nxjerrin në dritë realitetin e një njerëzimi të përbashkët, duke i rikthyer dinjitetin këtij njerëzimi. Në një botë të përçarë nga terrori e dhuna, poezia e Lleshanakut është përherë trazuese, por edhe qetësuese për ne, banorët e saj”. Ndërkohë, në një recension të titulluar “Mbi Luljeta Lleshanakun”, të botuar në të mirënjohurën “London Review of Books” në fillim të muajit prill, shkrimtari dhe kritiku Michael Hoffman ndër të tjera shkruan: “Këto janë poezi të esencës dhe imagjinatës, në dukje të pavetëdijshme për lexuesin dhe kritikun dhe sigurisht që nuk luajnë me ta, të qarta dhe në pjesën më të madhe të natyrshme, ato e vendosin Lleshanakun afër poetëve të mëdhenj të Evropës Qendrore dhe Lindore të shekullit të 20: Akhmatova, Herbert, Holub, Szymborska, Zagajewski”.
Çmimi “Griffin” konsiderohet si një nga më të rëndësishmit dhe më bujarët, pasi kap shumën 65 mijë dollarë kanadezë, që ndahet midis përkthyesit dhe autorit, ndërkohë që secili nga finalistët shpërblehet me 10 mijë dollarë kanadezë. Libri “Negative Space” është përmbledhje e dy librave me poezi “Pothuajse dje” dhe “Homo Antarcticus”, të botuara në origjinal nga shtëpia botuese “OMBRA GVG”. Përkthyesja Ani Gjika është vlerësuar edhe me grant nga “National Endo wment for Arts” në SHBA për këtë përkthim.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.