Ekonomi

Mundësi trajnimi për studentët, drejtori i AMF lidh marrëveshjen me Universitetin e Shkodrës

11:19 - 07.05.19 Gazeta Shqiptare

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare zhvilloi sot, më datë 6 maj 2019, ora 11:30, një leksion të hapur me studentë të Fakultetit Ekonomik dhe Fakultetit Juridik të Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të “Strategjisë për rritjen e besimit të konsumatorit/investitorit në tregjet financiare nën mbikëqyrje”, me qëllim kryesor rritjen e edukimit financiar të studentëve.



Aktivitetit i parapriu nënshkrimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Z. Ervin Koçi dhe rektori i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Prof. Dr. Adem Bekteshi. Në fjalën e mbajtur, Z. Koçi theksoi se edukimi financiar për tregjet nën mbikëqyrje është një nga prioritetet e punës së Autoritetit. Bashkëpunimi i vendosur nëpërmjet marrëveshjes së nënshkruar me Universitetin “Luigj Gurakuqi” është një mundësi shumë e mirë për të gjithë studentët për t’u përfshirë në nismat e Autoritetit, për zhvillimin e internshipeve pranë AMF ose në shoqëritë që operojnë në tregjet financiare nën mbikëqyrje.

Rektori i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Z. Bekteshi deklaroi se marrëveshja e nënshkruar mes dy institucioneve do të jetë me përfitim reciprok. Ajo do t’i shërbejë studentëve të universitetit, duke i asistuar me materiale të ndryshme, si edhe do të jetë një bazë e mirë për thellimin e bashkëpunimit me qëllim zgjerimin e njohurive financiare të studentëve dhe përgatitjen e tyre për tregun e punës.

Në orën e hapur të leksionit, studentët u njohën me rolin dhe funksionet e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, si një institucion i pavarur. Gjithashtu studentët u anketuan nga Autoriteti për matjen e njohurive financiare për tregjet nën mbikëqyrje.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *