Aktualitet

Enton Duro: Brenda qershorit rimbursojmë 14.9 miliardë lekë TVSH

17:14 - 08.05.19 Gazeta Shqiptare

Pas kërkesës së Fondit Monetar Ndërkombëtar, për shlyerjen e menjëhershme të TVSH-së së parimbursuar ndaj bizneseve, drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Enton Duro bën të ditur se brenda qershorit do të rimbursohen 14. 9 miliardë lekë TVSH. Duro bëri me dije dje se Fondi për rimbursimin e TVSH-së është rritur me 32%, ndërkohë që brenda muajit qershor vonesat për subjektet do të rikuperohen, duke arritur në parametra normalë. Sipas administratës tatimore, deri në fund të muajit prill, stoku i parimbursuar i TVSH-së arrin në 14.9 miliardë lekë. Nga këto 10 miliardë janë ndaj kompanive TAP, Bunkers dhe Ayen Energy, të cilët janë skedulur për t’u rimbursuar me këste, çka do të thotë se detyrimi ndaj tatimpaguesve eksportuese, fason, grumbullues, etj., arrin në 4.9 mld lekë.



Skema
Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Enton Duro, doli dje në një konferencë për shtyp për të sqaruar vonesat që kanë ndodhur me rimbursimin e TVSH-së, problematikë e ngritur edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Sipas Duro po punohet që të ngushtohet hendeku midis kërkesave për rimbursim dhe rimbursimit. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve shtoi se, krahasuar me vitin 2018, fondi për rimbursimin e TVSH-së është 32% më i lartë. “Gjatë muajit prill kemi rimbursuar 90% të fondit. Gjatë muajit maj parashikohet se do të rimbursohet 100% e fondit. Nga sot, deri në fund, do të rimbursojmë 16 miliardë lekë,”- tha Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve. Duro sqaroi se për disa biznese VIP është rënë dakord për procedurën e rimbursimit. “Një nga kriteret që ne kemi marrë në analizën tonë janë grupet e fasonit të eksportuesve dhe grumbulluesve që preken nga kursi i këmbimit, por që kanë një efekt te madh në ekonomi dhe në punësim. Ne jemi ne sinkron me Ministrinë e Financave dhe gjykohet ne fund te tremujorit te dyte situata te rregullohet. Ka një historik që duhet analizuar dhe parë, por situata po përmirësohet, duke u ngushtuar edhe hendeku,”-përfundoi Duro. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve bëri, gjithashtu, apel për të gjithë tatimpaguesit që të përditësojnë të dhënat e tyre të kontaktit si email apo numër telefoni me qëllim vendosjen e komunikimit midis palëve. Shpesh Administrata Tatimore e ka të vështirë që lidhet me tatimpaguesit, pasi vetëm 50% e tyre kanë të dhëna të sakta kontakti.

TVSH-ja
Fondi monetar ndërkombëtar vuri theksin dy ditë më parë në faktin se qeveria duhet të shlyejë menjëherë rimbursimin e TVSH-së. “Nevojitet veprim i menjëhershëm për të kufizuar detyrimet e prapambetura të sektorit publik. Këto detyrime të prapambetura e cenojnë klimën e biznesit dhe besimin në qeveri. I nxisim autoritetet të sigurojnë shlyerje të plotë dhe në afat të çdo kërkese të re të miratuar për rimbursim TVSH-je, duke mos i lidhur rimbursimet me flukset përkatëse të të ardhurave tatimore. Ne mirëpresim planet e autoriteteve për të shlyer stokun e prapambetur të rimbursimit të TVSH-së sa më shpejt të jetë e mundur (dhe për pjesën më të madhe brenda vitit 2019). E rëndësishme është edhe marrja e masave të shpejta për të fuqizuar sistemin e kontrollit mbi angazhimet për projektet e investimeve, për t’u dhënë fund detyrimeve të prapambetura të qeverisë”-thuhet në deklaratën e FMN-së që duhet se vuri në lëvizje tatimet për të shlyer detyrimet.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *