MILOSAO

Herodoti dhe Orakulli i Apolonisë

18:00 - 12.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Aristotel Mici – Duke u mbështetur në veprën e Herodotit , na bëhet e qartë dhe e kuptueshme se Orakulli i Apolonisë, për nga rëndësia vjen me një herë pas Orakullit të Dodonës dhe atij të Delfit. Kjo ide përftohet sidomos nga leximi i librit të Nëntë të veprës së Herodotit. Ngjarja, që na tregon autori lidhet vetiu me Orakullin e Apolonisë, i cili, si Orakull i njohur, me siguri do t’i ketë pas dhënë dhe më shumë emër qytetit të lashtë. Subjekti i rrëfimit ka në qendër bariun Evenius, si edhe të birin e tij. Nga ky episod mund të zbresim pastaj me hamendje edhe në fshatin Frakull sot, si pjesë e hinterlandit të Apolonisë, që shtrihet pas kodrave të Pojanit dhe të Levanit.




Ishte koha kur ushtria persiane kishte pësuar disfatë me ushtrinë helene në Platea dhe po bëheshin përgatitje për ekspeditë detare në Jon. Ushtria helene komandohej nga Leutikidi, kurse persianët nga komandanti i tyre, Mardoni. Me këtë rast helenët bënë flijime nën drejtimin e parashikuesit Deifon, të birit të Eveniusit nga Apolonia. Veprim ky që nënkupton një dimension shenjtërie, që rriste famën e qytetit të atëhershëm. Këtë ide Herodoti na e tregon përmes ndodhisë së Eveniusit, ku gati si në një mit, na rrëfen se si i kishte ardhur Eveniusit dhuntia hyjnore e profecisë nga dëshira e perëndive.

Babait të këtij Dejfonit, Eveniusit, siç shkruan Herodoti, i ndodhi një ngjarje, të cilën po e tregoj: Në Apoloni ka një grigje delesh që i është përkushtuar Diellit. Ditën ajo, grigja, kullot përgjatë lumit, që rrjedh nga mali Lakmon, dhe shkon përmes territorit të Apolonisë dhe derdhet në det pranë portit të Orikut. Natën grigjën e ruajnë burra të zgjedhur nga familjet më të pasura dhe më fisnike. Zgjidhnin nga një roje për çdo vit. Rëndësia e kësaj grigje delesh për njerëzit e Apolonisë i detyrohet profecisë së një orakulli.
. Delet e asaj grigje e kalonin natën në një guvë që është disi larg qytetit. Këtu ky Eveniusi ishte zgjedhur të ruante delet. Po një herë atë e kaploi gjumi, tek po i ruante ato; ndërkaq erdhën ujqërit, që hynë në guvë dhe i shqyen rreth gjashtëdhjetë dele. Kur u zgjua Eveniusi, ai pa se ç’kish ndodhur, por heshti dhe nuk i tha kurrkujt për këtë, sepse mendonte t’i zëvendësonte me dele të tjera që do t’i blinte.. Mirëpo s’ia doli dot ta fshihte ndodhinë nga banorët e Apolonisë.

 

Ata e morën vesh dhe përnjëherësh e çuan para gjyqit dhe e dënuan me humbjen e shikimit, sepse kishte fjetur kur duhej të ruante delet. Menjëherë mbasi e verbuan Evensin, delet e grigjës nuk pillnin më qingja dhe toka u shterpëzua dhe nuk jepte më fryte. Në Dodonë dhe në Delfi, kur pyetën orakujt për shkakun e kësaj fatkeqësie, që u kishte rënë në krye, morën të njëjtën përgjigje: se ishin fajtorë që e kishin dënuar pa të drejtë Eveniusin, rojtarin e grigjës së shenjtë, sepse perënditë i kishin dërguar vetë ujqërit; dhe ato do të vazhdonin të hakmerreshin derisa populli i Apolonisë ta shpërblente për të keqen që i bënë, me çka do t’u kërkonte dhe do ta caktonte ai vetë. Kur Apoloniatët ta bënin këtë, dhe vetë perënditë do t’i jepnin Eveniusit një dhuratë, për të cilën shumë njerëz do ta konsideronin atë të bukur.
Këto përgjigje, që ju dhanë orakujt, apoloniatët i mbajtën të fshehta dhe ua besuan disa bashkëqytetarëve të tyre ta kryenin porosinë e Zotit. Këta qytetarë e përmbushën porosinë në këtë mënyrë: shkuan tek Eveniusi, që ishte ulur mbi një bankë, u ulën pranë tij dhe filluan të flisnin me të dhe më në fund, i shprehën keqaerdhjen për fatkeqësinë e vet; pastaj e pyetën të verbërin çfarë do t’u kërkonte apoloniatëve, sikur ata të donin ta dëmshpërblenin për të keqen që i kishin bërë. Eveniusi, që s’kishte dëgjuar gjë për orakullin, tha se do të ishte i kënaqur me disa ngastra toke (dhe përmendi emrat e qytetarëve që e dinte se i zotëronin dy ngastra më të mira në Apoloni) , po ashtu dinte se kishin edhe shtëpi, që ishin më të bukurat e qytetit. Nëse do t’ia jepnin këto, shtoi Eveniusi, nuk do t’u mbante më mëri dhe do të ndihej mjaftueshëm i dëmshpërblyer. Kështu tha, ndërsa miqtë që i ishin ulur prane iu përgjigjen: “Mirë, Evenius! Populli i Apolonisë do të japë këtë dëmshpërblim për verbimin tënd, për t’iu bindur asaj që i kanë thënë orakujt”. Kur Eveniusi e dëgjoi të vërtetën dhe e kuptoi se ia kishin hedhur, u zemërua shumë. Po, sidqoftë, banorët e Apolonisë, ua blenë pronarëve tokën dhe shtëpitë që kishte zgjedhur dhe ia dhuruan atij. Pak kohë më pas ai mori dhuntinë hyjnore të profecisë dhe kësisoj ai u bë njeri i famshëm.(Herodoti, Lib.IX- Parag.94 3-)
Pikërisht të birin e këtij Evenusit, Deifonin, e kishin marrë me vete korinthasit si parashikues për flotën helene.4 – Lib. IX- Parag. 95.
Duke lexuar këtë rrëfim të Herodotit për bariun e grigjes së deleve, që i ishin përkushtuar Diellit, kuptojmë se Apolonia qe bërë një qendër e njohur edhe për arsyen, se pranë saj atëherë ndodhej ky Orakull. Për këtë anë të famës le të kemi para sysh dhe faktin se të birin e Eveniusit, Orakullit të Apolonisë, Deifonin, e marrin Korinthasit si parashikues të flotës helene në betejën e tyre kundër persianëve. Pra, Kështu na del se ky Orakull duhej të vinte për nga fama, pas atij të Delfit dhe Dodonës, gjë që i rriste edhe më shumë emrin qytetit për ato kohë.
Qëllimi ynë gjatë shoshitjes së kësaj ngjarjeje nga vepra e Herodotit nuk është të tregojmë përmasat e kultit të Orakullit të Apolonisë, po të pohojmë pa mëdyshje ekzistencën e një shenjtëroreje pranë qytetit antik, që ka qenë funksionale qysh nga Lufta Greko-Persiane, koha e Herodotit, shekulli i pestë Para Krishtit, deri në sundimin e perandorit Karakalla, shekulli i tretë Pas Krishtit, sipas shenimeve të historianit Dio Kassius.
Ndërkaq, tek arsyetojmë për vend-ndodhjen e Orakullit të Apolonisë, nisur kryesisht nga ana gjuhësore, mbështetur në evolucionin fonetik të tingujve të emrit “Orakull”, lokalizimin e tij e gjejmë si më të përshtatshëm në fshatin Frakull. E kemi këtë ide duke parë evoluimin fonetik të zanores “O” në konsonantet buzoro-dhëmbore “V” dhe pastaj në “F”: Orakull, Vrakull, Frakaull.
Ka dhe historianë që Orakullin e Apolonisë e përfytyrojnë diku pranë Nymfeut të përflakur, që rrinte i ndezur dhe nuk shuhej kurrë, po digjej me gazin, që dilte nga nëntoka. Aroma e gazit si eter i krijonte, një gjendje kontemplative Orakullit, që i jepte frymëzim fantazisë së tij për të rrëfyer parashikimet. Ky mendim për Orakullin e Apolonisë na përforcohet më shumë, kur lexojmë dhe fjalet e shkruara nga historiani i Perandorisë Romake Straboni5, i cili, në veprën e trij gjeografike, kur përshkruan viset e Ilirisë, tregon : “Në qytetin e Apolonisë është një vend i quajtur “Nympheum”, ku gjendet një shkëmb, që nxjerr zjarr dhe nën të rrjedhin burime të vakta dhe asfalt”6
Për më tepër, këtë konstatim na e jep në vepren e vet, rreth dy shekuj më vonë edhe historiani tjetër romak, Dio Kassius7. Ka rëndësi të theksojme se ky autor, tek përshkruan viset e Ilirisë bregdetare, mbetet i mahnitur me pamjet e mrekullueshme të Vjosës, duke e cilësuar atë me fjalët metaforike “the prophetic power of the river Aoos”8 (…fuqia profetike e lumit Vjosa). Kurse për panoramen e Apolonisë ai do të shkruante i surprizuar, për çfarë po i shikonin sytë: “Ajo që më çuditi në Apoloni më shumë se çdo gjë është zjarri i madh, që del pranë lumit Vjosa dhe qe nuk përhapet rreth e rrotull… madje afër tij ka blerime dhe drurë, që lulëzojnë. Përveç kësaj, këtu kur bie shi, ky zjarr shtohet dhe ngrihet lartë. Për këtë arsye ky vend quhet Nymfe, dhe. dikur aty ka pas qenë edhe një Orakull.”
Për analogji me këto të dhëna flet edhe një gojëdhanë se diku në një bregore të Frakullës ndodhej një vend i quajtur Shkëmbi Dragoit, thirrej ashtu ngase prej një zgavre të tij , si gojë e shqyer kishte pas dalë avull.
Kështu, nisur nga mendimi, që e lokalizon këtë Orakull në Frakull, dhe, se pranë Orakullit supozohet Nymfeu i Apolonisë, mund të bëjmë me hamendje konfigurimin e anës lindore të këtij qyteti antik. Dhe për ta plotësuar më mirë këtë imazh, le të kujtojmë një frazë të Herodotit lidhur me grigjen e deleve kushtuar Diellit: “….grigja kullot për gjatë lumit, që rrjedh nga mali Lakmon, shkon përmes territorit të Apolonisë dhe derdhet në det pranë portit të Orikut”-( Lib.IX- Parag.93)
Deduksioni i parë që nxjerim nga pohimi i mësipërm i Herodotit është se lumi (duhet kuptuar lumi Vjosa) nuk ka pas kaluar aq pranë Apolonisë, po përmes territorit të Apolonisë, mbase rreth nëntë ose dhjetë kilometra larg qytetit antik, siç është konkretisht distanca midis Pojanit dhe Frakullës.
Deduksioni i dytë është se lumi drejtimin e ka pasur nga lindja drejt jugut për t’u derdhur pastaj në detin Adriatik. Atëherë Orakulli i Apolonisë dhe Nymfeu i saj do të gjendeshin në të djathtë të lumit, në hapësirën midis Frakullës dhje Pojanit të sotëm. Nga ky kënd-vështrim, Frakulla sot, duke u mbështetur në shkrimet e autorëve antikë, mund të bëhej një zgjatim i hartës arkeologjike të Apolonisë. Për këtë ide do të ish bukur sikur në një bregore, ose në një ledh, mbi një pllakë të zakonshme çimetoje të gdhendeshin shkrime të historianëve të lashtësisë, që kemi përmendur në këto rreshta. Kështu fjala “Frakull” nga një emër toponimk i zakonshëm fshati, do të merrte edhe një tingëllim historik prej antikitetit, që lidhet vetiu me Orakullin e Apolonisë, që po e zgjojmë nga gjumi shekullor, përmes veprës së Herodotit.
Po i mbyll këto shenime rreth librit të nëntë të Herodotit me idenë se vepra e tij madhore është një burim informacioni historik, jo vetëm për rreth botës së gjërë antike, po edhe për lashtësinë e trevave pellazgjiko- ilire, ku janë rrënjët e etnogjenezës sonë mbarë- kombëtarembëtare. Gjithësesi, kur mbaron së lexuari veprën e Herodotit, kupton dhe optikën e tij për pellazgët, të cilët ai i gjen qysh nga koha e civilizimit Kreto-Mikenas e deri tek ndeshja e tyre me Argonautët në ishullin e Lemnosit, nga Lufta e Trojës, e deri te Lufta Greko-Persiane, nga koha e Orakullit të Dodonës e deri tek Orakullli i Apolonisë. Dhe ndërkaq, më së fundi, duhet theksuar se në shekujt që erdhën pas Herodotit, të tjerë historianë do të sillnin vlera të reja me veprat e tyre, “që do ta bënin historinë një mësuese të vërtetë të jetës, po Herodoti, që hodhi hapin e parë serioz dhe të dinjitetshëm në këtë rrugë, do të meritojë përjetësisht epitetin “babai i historisë, siç e ka cilësuar me të drejtë Ciceroni”9
Massachusetts
Shkurt, 14 – 2019

Shënime
Historiani i parë i antikitetit helen, 484 – 425, para Krishtit..
2 Merret me mend se ky lumë duhet të jetë Vjosa e sotme
3 Herodoti, Historitë, Libri Nëntë, Parag.94.
4 Herodoti, Historitë, Libri i Nëntë, Parag. 95.
5Straboni, historian i Perandorisë Romake, (64 Para Krishtit-24 pas Krishtit).
6 Strabo, Geography, translation of Horace L. Jones, Harvard University Press, Vol.. 7 – f . 265- MCMLIV
7 Dion Cassius, autor romak, (155-235, pas Krishtit)
8 Fergus Millar,A Study of Casius Dio, Oxford, 1964, p.180.
9 A.Minga, Herodoti, Historitë, botimet IDK, f.13


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.