AKTUALITET

Video/ Pedagogët e “Luarasit”, pjesë e projektit ndërkombëtar për këshillimin e karrierës

10:00 - 15.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Këshillimi i karrierës po merr një vëmendje gjithmonë e më të veçantë nga institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri. Për plot 3 javë, 20 këshillues karriere nga universiteti “Luarasi”, Universiteti i Tiranës, Universiteti Bujqësor dhe universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës, kanë ndjekur një trajnim mundësuar nga qeveria zviceriane, ofruar përmes projektit Risi Albania. Ky trajnim është pjesë e strategjisë së projektit që financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC dhe që zbatohet në Shqipëri nga Helvetas dhe Partners Albania, i cili në një nga komponentët e tij synon forcimin e shërbimit të karrierës, specifikisht edhe në arsimin e lartë, si një urë lidhëse mes institucioneve arsimore dhe tregut të punës për të rinjtë dhe të rejat e porsadiplomuar. Deri më tani është rritur ndërgjegjësimi për rëndësinë që këto shërbime kanë për orientimin e studentëve në tregun e punës dhe në zhvillimin e tyre të mëtejshëm akademik dhe profesional.




Synimi i trajnimit
Ky trajnim certifikues, sipas standardit ndërkombëtar Global Career Development Facilitator, ka si synim ngritjen e kapaciteteve të qendrave të karrierës në Shqipëri dhe ridimensionimin e profesionit të këshilluesit të karrierës. Pedagogu i universitetit “Luarasi”, Virtyt Lezha tha se në realitetin e sotëm studentët nuk janë të mirëinformuar mbi atë çka i pret në tregun e punës. Sipas tij, këshillimi i karrierës është një mundësi shumë e mirë për të ardhmen profesionale të të rinjve. “Me të vërtetë trajnimi ishte shumë i vlefshëm,. Ky ishte vetëm hapi i parë, pasi do gjurmohemi dhe do zhvillojmë zyrën e këshillimit të karrierës edhe më tutje. Studentët nuk janë shumë të informuar nga ajo çfarë i pret në të ardhmen në një profesion që ata zgjedhin në të ardhmen. Këshillimi i karrierës dhe ky trajnim ofron shumë facilitete, shumë formësime të cilat i ndihmojnë ata që të orientohen, të dinë se çfarë është vizioni i tyre në të ardhmen”,-tha pedagogu në fjalën e tij.

Image2 Image7 Image4 Image5 Image9 Image6 Image8 Image1
<
>

Roli i universiteteve
Koordinatori i Qendrës së Karrierës në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Shpresim Domi thekson se roli i universiteteve tashmë nuk ngelet vetëm brenda kuadrit të të nxënit, por thellohet më tej duke i mbështetur studentët në tregun e punës. “Universitetet tashmë po marrin një rol mbështetës për daljen e studentëve në treg, si output i tyre kryesor. Edhe trajnimi i sotëm në ambientet e universitetit ‘Luarasi’ është një vlerë absolutisht e shtuar për të gjitha universitetet”,-bëri me dije Domi.

Projekti
Trajnimi i 20 këshilluesve të parë të karrierës në këto 4 universitete do të shërbejë si model për t’u replikuar edhe nga universitetet e tjera për të përmirësuar shërbimin e këshillimit të karrierës, për t’u ofruar më shumë mundësi punësimi studentëve të tyre. Këshillimi i karrierës ka disa avantazhe pasi ndihmon artikulimin e nevojës për të mësuar, rrit aksesin në arsimim dhe përfundimin e tij dhe rrit punësimin. Në Shqipëri këshillimi i karrierës nevojitet në të gjitha nivelet e arsimit dhe më gjerë. Elementet më të rëndësishme për një këshillim efektiv të karrierës përfshijnë: përmbajtjen (informacion i tregut), kapacitetet profesionale (burime njerëzore të pajisura me metodologjinë dhe njohuritë e duhura) dhe kapacitetet institucionale (ofrim dhe angazhim institucional për ofrimin e shërbimit).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.