KULTURË

Sendet që lanë pas fëmijët që mori lufta

17:08 - 15.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Si është të shohësh një djep bosh? Po një jelek varur në një varëse druri? Dy triko që pothuaj enden në një hapësirë kujtese? Si është të shohësh një palë atlete pothuaj të reja, sepse ai që i vishte nuk është më? Sepse nuk e lanë t’i veshë aq sa t’i grisë? Po një triko brenda një xhami, e ndalur në një çast të përjetësisë? Si është të shohësh shumë sy të përlotur, nëna të fëmijëve që nuk u rritën kurrë? 20 vjet më pas, ngjyrat e vizatimeve të tyre janë zbehur. Letrat e librave të tyre, po ashtu. 20 vjet më pas, vetëm imazhi i portreteve të tyre dhemb njësoj. Prindërit ende mbajnë zi, por nuk ka më çaste që të ndjejnë se kjo është ëndërr. Pothuaj nuk e gjejnë më fuqinë të besojnë se kjo është vetëm një ëndërr. Është ironike të shohësh nën një xham të pastër, listën e notave të fëmijës. Ai nuk është më, lista po. Si ndodh që jeta e njeriut shuhet më shpejt se një copë letër që vërteton që në eterin që ndjejmë sot, dikur një bir a një bijë, merrte frymë.




“Na ishte njëherë” është fillimi i natyrshëm i çdo përralle. Në këtë rast, është fillimi i rrëfimit të luftës. Nën shikimin naiv të fëmijëve na çelet një botë që nuk duhet t’i përkasë reales, ashtu si përralla”. Blerta Hoçia e nis si një përrallë tekstin kuratorial të ekspozitës që kujton fëmijët e Kosovës që nuk u rritën kurrë. Ata duhej të ishin sot në të 30-at e tyre, por diku u vranë, diku ua morën jetë, duke e kthyer përrallën e tyre në një tragjedi. Sendet që lanë pas, krijojnë pezullin e një jete të këputur në filiz dhe pesha e tyre në ajri, ia kalon çdo peshe dhembjeje.
“Të kishin qenë ushtarë, të veshur në UÇK, po janë fëmijë, s’e di ç’ka ju kanë bërë fëmija që m’i kanë vra… Ma mirë të më kishin marrë mua plumbat se fëmijët e mi, të isha kanë me ta e mos t’i kisha pa sot këtu fotot e tyre…”, thotë Mejremja(për ‘Jeta’ në Kosovë), nëna e njërit prej fëmijëve të vrarë teksa sheh fotografitë në ekspozitën që kujtoi 1 mijë e 133 fëmijë të vrarë në luftën në Kosovë në mes viteve 1998- 2000″.
“Një dhomë xhami brenda hapësirës përmban të gjithë peshën e objekteve. Për të na kujtuar që kjo ekspozitë të shihet nga këndvështrimi i fëmijëve, këto objekte qëndrojnë pezull si në përrallë, si të përgjumura brenda kutisë së xhamtë. Një përgjumje në dukje e këtyre objekteve të lëna në errësirën e pandërgjegjies që e zgjon kujtesën personale dhe kolektive nga nevoja për të harruar vazhdimisht”, shënon Hoçia. Dhoma e xhamtë krijon të njëjtën ndjesi, si kujtimet: janë aty, por nuk mund t’i prekësh; si dashurinë për ata që nuk janë më: ti e ndjen, por s’mund ta përqafosh; si malli për ata që i kishe por nuk i ke më: janë diku në zemër – ti flet, e ulëret dhembjen e dashurinë, por në pezullin e dhomës së kujtimeve nuk merr dot përgjigje.

ekspo2 gra te perlotura ekpsoz vizatim ekpso ekspo22 vizatimet e femijeve
<
>

“Këto objekte dhe veshje këtu brenda rreshtin së qeni objekte dhe veshje. Ato shndërrohen në rrëfime personale që përcjellin praninë e vetë fëmijëve. Një prani kjo e një dimensioni tjetër, përzier me plumba dhe përralla e që kriset befshëm ashtu si xhami që i përmban duke bartur mbi vete të gjithë simbolikën e tij”, vëren Hoçia.
Kjo ekspozitë vjen si një ftesë për përballje dhe për reflektim, për dialog dhe shërim, duke nisur ndërtimin e një kujtese kolektive me anë të këtyre sendeve dhe të tjerave që do të shtohen në të ardhmen.
Objektet, që iu përkisnin fëmijëve, na kujtojnë përditshmërinë, jetën monotone, gjërat e vogla të çmuara që nuk i vëmë re gjithmonë. Disa prej tyre na rrëfejnë për një lojë që e heshtur vazhdon akoma.

“Ndoshta një lojë që e shoqëroi bashkëjetesën me luftën dhe vazhdon të reflektohet te të gjitha sendet e mbetura që përcjell shikimin e butë të fëmijëve i cili shëron dhe çliron rreze shprese duke e bërë kujtimin e tyre të përjetshëm”,- shprehet kuratorja e ekspozitës Blerta Hoçia.
Ajo kujdeset të vërë në dukje se më shumë se sa një ekspozitë, ky është një memorial dedikuar fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur në luftë. Pse bëhen memorialët dhe pse ruhen rrënojat e pasojave të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut?
Përgjigja është e qartë: Nuk janë vetëm për t’i kujtuar dhe nderuar viktimat dhe të mbijetuarit, por edhe për të kërkuar të vërtetën.
Në kërkimin e kësaj të vërtete është plotësisht i angazhuar edhe Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë dhe për krijimin e këtij memoriali është folur me prindërit e familjarët e viktimave dhe kjo ekspozitë shpreh dëshirën e tyre për t’i kujtuar ata me gjësendet e vetme të mbetura të një fëmijërie të ndërprerë.

Ekspozita është realizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë dhe mbështetur nga: NED, Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ajo u çel më 13 maj 2019 në Qendrën e Dokumentimit Kosovë.
Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) që nga viti 1997 merret me dokumentimin e viktimave të krimeve të luftës dhe shkeljeve tjera të rënda të të drejtave të njeriut. Të gjitha aktivitetet e FDHK janë në fushën e Drejtësisë Tranzicionale dhe kontribuojnë në arritjen e drejtësisë për viktimat, në vendosjen e narracionit të saktë mbi luftën, përkrahjen e viktimave në realizimin e të drejtës së tyre në reparacione dhe në edukimin e të rinjve mbi Drejtësinë Tranzicionale. Së fundi, FDHK kontribuon edhe në memorializimin e viktimave të luftës.

“Sendet të gjitha janë ruajtur nga familjarët, dhe për shumë nga ata, janë të vetmet sende të mbetura që kanë prej fëmijëve. Me mbledhjen e sendeve dhe kontaktet me familjaret është marrë Fondi për të drejtën humanitare Kosove, të cilët janë edhe organizatorët e kësaj ekspozite.  Për sa i përket si jam ndjerë gjatë punës, ka qenë shumë e vështirë”, tha Hoçia për Gsh. Ajo shtoi se tema është shumë e ndjeshme dhe e dhimbshme, por megjithatë “jam munduar që kjo ekspozitë të përcjellë empati dhe të bëjë që të reflektojë dhe të përballemi me të kaluarën”. Hoçia që ka një përvojë të gjatë me ekspozita,  tha se gjatë kërkimit  ka mësuar shumë rreth luftës dhe asaj periudhe dhe ka kuptuar që në Shqipëri shumë nga ai informacion nuk ka ardhur as në atë kohë dhe as tani. “Është e rëndësishme që kjo të shihet si një hap i parë në ndërtimin e një memorie kolektive ose të një muzeu të memories”, u shpreh ajo.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.