AKTUALITET

Pasuria nga Vefa Holding: Pse u shkarkua kreu i Apelit për Krime të Rënda

18:20 - 16.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Besar Likmeta  – Më datë 9 prill, trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit e udhëhequr nga Genta Tafa Bungo, Xhensila Pine dhe Pamela Qirko, shpalli vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Fehmi Petku, me funksion kryetar i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda.




Komisioni i udhëhequr nga relatorja Xhensila Pine e hetoi Petkun për të tre kriteret e procesit të rivlerësimit kalimtar, përfshirë pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.
Raportet e institucioneve mbështetëse dhe hetimi administrativ i pavarur i KPK-së kanë konstatuar shkelje të shumta në të tri kriteret e vetingut për subjektin e rivlerësimit.

Në përfundim të hetimit, shumica e anëtarëve të komisionit, i përfaqësuar nga Pamela Qirko dhe Genta Tafa Bungo, ka arritur përfundimin se subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e pasurisë, ka ndërmarrë hapa për të evidentuar në mënyrë të pasaktë pasuritë në pronësi të tij, është në kushtet e papërshtatshmërisë për vazhdimin e detyrës si gjyqtar për shkak të mundësisë për vënien e tij nën presion nga strukturat kriminale, si dhe ka cenuar rëndë besimin e publikut të drejtësia.
Edhe pse ka votuar në favor të shkarkimit të gjyqtarit Fehmi Petku, nëpërmjet mendimit paralel relatorja Xhensila Pine ka kundërshtuar përfundimet e shumicës së trupës gjykuese për sa i përket papërshtatshmërisë së gjyqtarit për të vazhduar detyrën. Sipas znj. Pine, gjetjet e komisionit për sa i përket pastërtisë së figurës së subjektit “nuk janë shkaqe që përligjin masën disiplinore të shkarkimit nga detyra.”
Petku e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994. Ai ka punuar pranë gjykatës së Tiranës përgjatë viteve 2000-2009 dhe më pas në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Në vitin 2015, Petku është emëruar kryetar i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda.
Biznes me ‘Vefa Holding’

Si pjesë se procesit të rivlerësimit të gjyqtarit Petku, KPK ka administruar raportet mbi subjektin nga institucionet ndihmëse, përfshirë Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit. Gjyqtari Petku ka qenë subjekt deklarimi i interesave private pranë ILDKPKI që nga viti 2003.

Sipas raportit të dorëzuar nga ILDKPKI pranë KPK-së, deklarimi i subjektit nuk është i saktë dhe në përputhje me ligjin, subjekti nuk ka burime të ligjshme për të justifikuar pasuritë, ka bërë fshehje pasurie, ka kryer deklarim të rremë, por nuk gjendet në situatën e konfliktit të interesit. Përtej raportit të ILDKPKI, komisioni ka ndërmarrë një hetim të pavarur mbi asetet e subjektit të deklaruara në deklaratën veting. Këto asete përfshijnë një truall me sipërfaqe 372 m2 të blerë në Tiranë në vitin 1960 nga Komiteti Ekzekutiv me vlerë 7440 lekë, banesë mbi truall e përbërë nga tri kate, bodrum dhe papafingo, me sipërfaqe 1150m2. Një truall me sipërfaqe 6 mijë m2, me dy kontrata shitblerje në vitin 1996 për një total prej 9 milionë lekë. Një shtëpi banimi të ndërtuar mbi truallin e mësipërm, e përbërë nga dy kate banimi dhe bodrume me sip. kati 130 m2. Truall me sipërfaqe 16,000 m2, ku subjekti ka në pronësi ¼ dhe është blerë nëpërmjet 4 kontratave në vitin 1996, për vlerën 2.79 milionë lekë. Tokë bujqësore me sipërfaqe 100 mijë m2 në fshatin Shqiten të bashkisë Kukës, me pjesë takuese ¼. KPK ka shqyrtuar edhe shitjen e shtëpisë me bodrume dhe tri kate të ndërtuara, për vlerën 520 mijë USD nga babai i subjektit drejt kreut të ish-firmës piramidale Vefa Holding.

Për shkak se shitja e kësaj banese ka shërbyer si burim krijimi i pronave të tjera dhe ka ndodhur në kohën kur subjekti i rivlerësimit ishte në funksion, trupi gjykues është përqendruar në origjinën dhe transaksionet e kryera me këtë pronë. Shitja e kësaj pronë ka shërbyer për babain e subjektit si burim financiar për blerjen e 26,882 m2 tokë, me vlerë 23.9 milion lekë në vitet 1996-1997.
Subjekti i rivlerësimit ka shpjeguar se nga shumë 520 mijë USD që babai i subjektit kishte marrë nga kompania Vefa Holding, 270 mijë USD i ka investuar në pasuri të paluajtshme, ndërsa 250 mijë USD i ka dhënë me fajde tek kompania huamarrëse. Kjo pronë ka qenë në qendër të një konflikti gjyqësor midis familjes së subjektit dhe kompanisë Vefa Holding. Në vitin 2002, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë ka shpallur të pavlefshme kontratën e shitjes dhe kthimin e pronës në gjendjen fillestare. Gjykata e Apelit ka njohur pronar të vetëm të pronës babain e subjektit në vitin 2003 dhe në të njëjtin vit Gjykata e Lartë vendosi prishjen e vendimit të Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim me tjetër trup gjykues. Gjatë rishqyr-timit në Apel, babai i subjektit ka ngritur pretendimin se ka depozituar në vitin 1996 pranë shoqërisë Vefa Holding, 475 mijë USD dhe 800 mijë lekë. Në përfundim gjykata ka vendosur shuarjen e detyrimeve të ndërsjella dhe njohjen e babait të subjektit si pronar të ndërtesës. Si pjesë të hetimit të këtij transaksioni, KPK ka administruar kontratat e huamarrjes midis babait të subjektit dhe kompanisë Vefa Holding, për të vërtetuar nëse shitja e shtëpisë kishte shërbyer si burim për pasuritë e tjera. Pas marrjes së provave dhe analizimit të tyre, KPK i ka kaluar barrën e provës subjektit për krijimin e pasurisë nga personi i lidhur, duke nënvizuar që në vitet 1994-1996 babait i tij rezulton me një bilanc negativ prej 35 milionë lekë. Gjithashtu, KPK i ka kaluar barrën e provës subjektit për shqyrtimin në kundërshtim me ligjin të një çështje, ku palë në gjykim ka qenë shtetasi Vehbi Alimuça – kreu i kompanisë Vefa Holding, me të cilin babai i subjektit ka pasur një marrëdhënie interesi.
* Botohet me shkurtime.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.