POLITIKË

PD me komisionerë për 30 qershorin, Bardhi: Po kryhen manipulime

16:00 - 17.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Opozita akuzon se qeveria ka nisur që tani manipulimin e zgjedhjeve me regjistrimin e paligjshëm të kandidatëve për kryetar bashkie. Përballë kësaj situate, PD dhe LSI “mund të shfrytëzojnë ligjin, për të dërguar anëta-rët që i takojnë në KZAZ, sipas tyre, për të provuar ligjërisht që Edi Rama nuk garanton zgjedhje legjitime”. Ndaj, PD do të çojë anëtarët e saj në komisionet që po përgatisin dhe do të administrojnë zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Të gjitha degët e PD-së po punojnë për të përzgjedhur emrat që do të përfaqësojnë opozitën në komisionet zonale të administrimit zgjedhor, në gjysmën e të cilave PD-ja ka shumicën. 2 muaj më parë opozita refuzoi të çonte përfaqësuesit e saj në këto komisione duke bojkotuar tërësisht procesin, por strategjia e saj tani ka ndryshuar, edhe pse vendimi politik mbetet i njëjtë se opozita nuk hyn në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. Por, caktimi i komisionerëve bëhet për të dokumentuar paligjshmëritë e procesit. Burime pranë PD-së bëjnë me dije se sipas informacioneve zyrtare që disponon opozita, anëtarët e KZAZ-ve që janë të PS, janë duke kryer shkelje të rënda ligjore, deri në regjistrim të paligjshëm kandidatësh apo falsifikim të dokumenteve dhe Partia Demokratike gjykon se të gjitha këto shkelje duhet të dokumentohen. Për Partinë Demokratike, kryeministri Edi Rama po shkel ligjin edhe pse në këto zgjedhje nuk ka garë dhe dokumentimi i këtyre fakteve i shërben kauzës së opozitës se me Edi Ramën nuk mund të bëhen zgjedhje.




Arsyet
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, njoftoi dje se PD-ja dhe LSI-ja kanë informacion zyrtar se në KZAZ po kryhen manipulime të procesit zgjedhor, prandaj kanë porositur degët që të propozojnë anëtarë në këto komisione. Në një reagim pas interesimit të medias lidhur me porosinë drejtuar degëve për propozimin e anëtarëve që i takojnë PD-së në KZAZ, Bardhi sqaroi se partitë opozitare kanë informacion zyrtar se në KZAZ janë duke u kryer manipulime të rënda të procesit zgjedhor, që nis me regjistrim të paligjshëm të kandidatëve për kryetar bashkie. Sipas Bardhit, kjo bëhet për të dokumentuar paligjshmërinë që sipas PD-së, Edi Rama po bën me zgjedhjet. “Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë informacion zyrtar se në KZAZ janë duke u kryer manipulime të rënda të procesit zgjedhor, që nis me regjistrim të paligjshëm të kandidatëve për kryetar bashkie. Për këtë arsye, për të dokumentuar dhe çmontuar këtë paligjshmëri, PD dhe LSI mund të shfrytëzojnë ligjin, për të dërguar anëtarët që u takojnë në KZAZ, për të provuar ligjërisht që Edi Rama nuk garanton zgjedhje legjitime, edhe kur nuk ka kundërshtarë përballë. Në ditët në vijim do të faktojmë të gjitha paligjshmëritë e kryera nga përfaqësuesit e Edi Ramës gjatë procesit”, thuhet në reagimin e Bardhit. Protesta e ardhshme kombëtare e opozitës do mbahet pasditen e të shtunës së 25 majit. Vendimi u mor pas një të mërkure intensive konsultimesh në selinë blu me aleatët, ish-grupin parlamentar e kryesinë e PD. “Tani që na ndajnë 45 ditë nga 30 qershori, çfarë do të ndodhë? Do të pranohet që grushti i shtetit të çohet deri në fund dhe në Shqipëri të instalohet tirania e krimit në të gjitha nivelet? Sepse kjo jo vetëm do të instalonte tiraninë e krimit në pushtetin vendor, por do të çimentonte edhe tiraninë e krimit në qeverisjen qendrore. Apo do të ketë një përballje totale popullore për ta mposhtur me të gjitha mjetet dhe format e tjera, tiraninë e krimit”, deklaroi z.Basha.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.