Kryesore

Skënder Gjinushi (Një politikan?) Kandidat i vetëm për kryetar të Akademisë së Shkencave

14:10 - 17.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Akademia do vazhdojë rrugën e saj. Ofron bashkëpunime me Këshillin e Ministrave më qëllim realizimin e reformës për shkencën. Gjërat duhet të jenë të konsoliduara në një ligj. Tani kemi vendosur një standard europian”( 1 mars 2019- Skënder Gjinushi).




Skënder Gjinushi është zyrtarisht kandidati i vetëm në garë për kryetar të Akademisë së Shkencave. Njeriu që ka qenë në krye të grupit të reformës, që është marrë me ligjin dhe ka debatuar prej pothuaj një viti me akademikun Artan Fuga do të jetë praktikisht kryetari i Akademisë së Shkencave pas zgjedhjeve të datës 24 maj. Me gjasë nuk do të kishte emër tjetër më të favorshëm për të ruajtur dhe ofruar raporte bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave, zgjedhjet e së cilës në shtatorin e pothuaj dy viteve më parë u cilësuan farsë dhe u anuluan. Kjo vetëm se kandidatë qenë dy akademikë që kishin qenë më herët kryetar e nënkryetar dhe kishin ndërruar vendet me njëri-tjetrin. Dy vite më pas, cili do të jetë emri që do të marrin zgjedhjet, kur duhet të bësh “zgjedhje” mes një emri të vetëm që nuk ka askënd përballë? Ish-ministër Arsimi në vitet 1987-1991 (në foto takimi i tij me studentët krah Ramiz Alisë) dhe kryetar i një partie politike për pothuaj gjithë vitet e demokracisë, Gjinushi tanimë rikthehet në shkencë duke synuar institucionin e saj më të madh, ndonëse ende krejt honorifik dhe dy vitet e fundit i varur krejtësisht nga qeveria, edhe për shkak të reformës së kërkuar. A do të arrijë vallë ish-ministri, të ringjallë akademinë që sipas kryeministrit shërbente vetëm për varrime? Si ish-aleatë politikë Rama dhe Gjinushi mund të gjejnë gjuhën e komunikimit, por sa oponente dhe objektive do të mund të jetë Akademia kundrejt qeverisë, kjo mbetet për t’u parë.

Për nënkryetar kandidon muzikologu Vasil Tole që prej 5 vitesh ka qenë sekretar shkencor i Akademisë. Ndërkaq për pozicionet e Sekretarit Shkencor kandidon Salvator Bushati dhe për pozicionin e Kryetarit të Seksionit të SHNT-së akademik Neki Frashëri.

ZGJEDHJET NË AKADEMI, SI ZGJEDHJET E PËRGJITHSHME
A mund të quhen zgjedhje nëse kandidati kandidon me vetveten? Kjo është pyetja një milion dollarëshe! E njëjtë pyetje vlen nëse mund të quhet konkurs dikush konkurron i vetëm. Skënder Gjinushi ka qenë hokatar. Pyetje për replikat e Artan Fugës i ka marrë me sportivitet dhe u është përgjigjur me ironi.
Ka qenë i qeshur e në humor në secilat pyetje-përgjigje me gazetarët gjatë muajve që merrej me reformën. Dhe kjo është puna kryesore që ai ka bërë që prej vitit 2017- ku në zgjedhjet e përgjithshme ai nuk mblodhi votat e nevojshëm për të qenë deputet në parlament.
Skënder GJINUSHI (1949). Matematikan, profesor, akademik. Lindi në Vlorë. Shkollën e mesme e kreu në Tiranë dhe përfundoi studimet e larta në Universitetin e Tiranës në vitin 1972. Gjatë viteve 1973-1977 ai ka qenë ndër të paktët shqiptarë që kreu studimet pasuniversitare në Francë (Universiteti Pierre e Marie Curie, Paris VI) dhe fitoi titullin “Doktor” i ciklit të tretë në analizën funksionale.
U emërua pedagog në katedrën e matematikës së specialitetit në Fakultetin e Shkencave Natyrore të Universitetit të Tiranës (1972). Skënder Gjinushi ka botuar tekstet “Bazat e topologjisë së përgjithshme” (1986), “Analiza funksionale” (1988), “Probleme të analizës funksionale (1992) dhe një varg artikujsh shkencorë në fushën e analizës funksionale.
Jeta e tij politike nis në vitin 1987, kur u bë deputet deri më 1991 në Kuvendin Popullor dhe ministër i Arsimit. U aktivizua në proceset politike pluraliste dhe më 1991 u zgjodh kryetar i Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë, funksion nga i cili ka hequr dorë.

Nga viti 1992 deputet në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar i Kuvendit (1997-2001); zëvendëskryeministër e ministër i Punës dhe i Çështjeve Sociale (2001- 2002).

23 NËNTOR 2017
Çfarë deklaronte Gjinushi ditën që nis “udhëtimi” i tij për kreun e Akademisë? Në një takim në Cod para kryeministrit, ditën kur Edi Rama shprehej se Akademia e Shkencave është si shtëpi varrimi, Skënder Gjinushi thoshte se “duhet të t’i ndajmë gjërat, pasi janë dy probleme: 1) Reformimi i brendshëm i Akademisë, dhe 2) Çfarë vendi do të zërë Akademia në kuadrin e kërkimit shkencor në Shqipëri? Duhet që të kuptohet se situata ku ndodhet nuk është përgjegjësi e Akademisë në tërësinë e vet”. Sipas tij, kërkimi shkencor në Shqipëri ka bërë mbrapa për dy arsye, 1) U godit dhe ra statusi i instituteve, një numër institutesh edhe u shkrinë. 2) Vetë kërkimi shkencor në shkollat e larta nuk është në atë nivel që duhet, se kemi mijëra doktoratura, që nëse flasim për cilësinë e tyre, lë shumë për të dëshiruar. “Por një problem kryesor që ka Shqipëria është edhe eksporti apo emigracioni i trurit, që do të thotë se më të zotët apo më të aftët nuk rrinë më këtu. Kështu që për të dyja këto arsye, edhe për një politizim shumë të madh të reformës së fundit, bëri që ASH të kthehet në një organ honorifik. Një organ honorifik nuk është ai që prodhon shkencën, sepse shkenca prodhohet në katedra, atje ku investohet edhe njerëzit janë aktivë”- deklaronte Gjinushi.

Ai pyeste a do të kemi një ASH honorifike apo një ASH, e cila të ketë edhe funksione në institute? Problemi është që në të gjithë piramidën e kërkimit shkencor, cili do të jetë roli i ASH, i një qendre të koordinimit të kërkimit shkencor, por ka rëndësi edhe reformimi i brendshëm. “Në bazë të funksionit, të shihet edhe përbërja apo kriteret e Akademisë. Në kohën e lavdishme, Akademia e kishte gjithë trurin e Shqipërisë këtu. Atëherë Akademia ka pasur cilësi më të lartë për shkak të kësaj, por, edhe sepse kërkimet e instituteve kanë qenë në kuadër të ASH-së. Sot problemi është i qeverisë, ministrisë, instituteve, se si do luftojmë për ta rimarrë apo ringritur. Nëse do të anatemojmë ASH, anatemohet ajo që vetë kërkimi shkencor në Shqipëri është i hallakatur, ka rënë niveli edhe ata që kanë pasur më shumë sukses janë larguar”- pati thënë ai.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.