Intervista

Martin Leka: Përgjigjja ime për të gjithë ata që kryqëzuan Jonida Maliqin në Eurosong

14:39 - 18.05.19 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Këngëtarja shqiptare Jonida Maliqi ka bërë histori. Kënga e saj “Ktheju Tokës”, me të cilën ajo fitoi Festivalin e 57-të në RTSH, u kualifikua për në natën finale të Festivalit Europian, që shpall fituesin sot në Tel Aviv.




Pas qëndrimeve negative për anglishten e intervistave, komentuesit ndryshuan komplet qëndrim pas momentit kur Jonida Maliqi dhe Shqipëria u kualifikuan mes këngëtarëve dhe shteteve më të votuara në garë. Drejtori i Festivalit të 57-të të Këngës në RTSH, Martin Leka, në këtë intervistë për “Panorama Plus” tregon pse besoi te ky produksion muzikor, qëndrimin e tij ndaj kontestimeve në rrjetet sociale, dhe pritshmëritë që ka sot për Jonida Maliqin në natën finale.

martin leka

Shqipëria në finalen e Eurovision me “Ktheju tokës”. Si një drejtues dhe kurator i këtij përfaqësimi të muzikës shqiptare në Eurosong, si u ndjeve në momentin kur Albania kaloi në finale?

Nuk jam patriot i madh, por jam një njeri që e dua vendin tim sa njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Thjesht, u ndjeva krenar që jam banor i një vendi që nuk prodhon vetëm politikë mediokre, por ka dhe artiste si Jonida, Eriona dhe Enisi që bëjnë muzikë të bukur! E di stresin e një artisti në një skenë kaq pozante, ndaj përqasja e dytë vjen te shpërblesa për Jonida Maliqin, për përkushtimin e saj dhe profesionalizmin gjer në detaje.

Për shqiptarët u duk sikur doli dielli pas shiut klasifikimi, nisur nga komentet dhe shkrimet e shumta në lidhje me nivelin e anglishtes së Jonidës. Si e përktheve atë valë sulmesh?

Për atë çështjen e anglishtes, do të perifrazoja Faik Konicën: Armiqtë e shqiptarëve janë vetë ata (shqiptarët)! Pyetini një herë këta mjeranë “mobile portalesh”, si i bën bizneset e veta Jonida në Paris, Londër, Gjermani, Itali, etj?!… Por nuk denjoj të komentoj më gjatë, thjesht i neveris për nivelin ku kanë rënë!

Duke qenë se ke vite eksperiencë me përfaqësimet e këngëtarëve shqiptarë në këtë garë europiane, si t’u duk Jonida në 3 minuta performancë në skenën e Tel Aviv?

Në 3 minuta, Jonida Maliqi ishte Jonida, me vokalin e saj dhe performancën dinjitoze, sa për të na bërë të gjithëve të ndjejmë krenarinë për të! Dhe mendoj që pati edhe emocion, që duam s’duam, ta krijon skena e magjishme.

Nëse kthehemi pas në dhjetor dhe shpalljen fituese të kësaj kënge me tematikë emigrimin si një thirrje për të rikthyer shqiptarët në tokën e tyre. U përballët me opinione kundër në media sociale pas dorëzimit të kupës te Jonida?

Skeptikëve dhe kujtdo tjetër, edhe dashakeqëve më të paskrupullt e mosbesues, po u kujtoj e paralelizoj rastin në fjalë me rastin e Festivalit të 50-të, ku fituese ishte Rona Nishliu. Edhe atëherë, në prapaskenë kam ndjerë “persekutimin” e “masakrimin” kolektiv, por që në fund, rezultati dihet.

Është pothuaj e njëjta situatë. Një ditë para se të dilte në finale, filloi harbimi kolektiv portalo-fake, pse këngëtarja harron një fjalë anglisht?! Kryqëzata mori fund menjëherë sapo doli në finale dhe filloi kameleonizmi kolektiv: kush të gjente fjalët më të bukura për Maliqin! Kaq e thjeshtë është historia jonë: të lajnë e të thajnë, të vrasin natën e të qajnë ditën, për fat të keq!

Çfarë argumentesh mund t’u japësh të gjithë komentuesve që ishin kundër një kënge të tillë të shkruar nga Eriona Rushiti, krijim, sipas disave, i zymtë dhe me fabul paksa patetike?

Argumenta unë? Profesionistët gjykojnë këngën! Dhe e kanë thënë: këngë e ndjerë, emocionante, me mesazh të qartë e të fortë, me temë globale. S’ka më mirë se kaq! Rushiti si kompozitore dhe autore e tekstit, Mullaj si aranxhues dhe vetë Jonida me vokalin dhe performancën e vet, kompletojnë atë që të huajt, edhe pse e kënduar në gjuhën shqipe, e kanë konsideruar gati-gati magjike. Kaq! Patetike? Mendoj se bota prishet sa herë i priten rrënjët.

Në parakalimin e parë në tapetin e Eurovizion, Jonida u komentua për veshjen me simbolin e ylberit të komunitetit LGBTI. Ishte kjo një strategji e menduar publiciteti e tipit “sipas vendit dhe kuvendi”, duke qenë se flitet që Eurosong është festival që mbështetet nga LGBTI?

Nuk ishte strategji e menduar siç thoni, pasi, në botën diverse ka vend për të gjithë. Kësaj pyetjeje iu përgjigj aq bukur vetë Jonida Maliqi: “Unë fustanin e kam blu, por kush të dojë, le të zgjedhë ngjyrën që preferon!”.

Këngëtarët e kujt shteti morën pëlqimin tënd në dy netët gjysmëfinale?

Personalisht, më pëlqeu Holanda, Malta, Suedia, Maqedonia e Veriut, Norvegjia…

Dhe çfarë parashikimi ke sot për Shqipërinë në finale?

Parashikimi për sot? Ne jemi vend i vogël, por ja që krijojmë këngëtarë e muzikë të madhe. Shpresoj shumë një vend të mirë sonte, por nuk zhgënjehem: Shqipëria, Jonida dhe RTSH e kanë fituar festivalin e tyre, u radhitën mes më të mirëve!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.