MILOSAO

“KUKULLA”

18:00 - 19.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Feride Papleka – Kur isha e vogël kisha mbledhur ca copëza kadifesh të mbetura nga një fustan që më patën qepur prindërit si dhuratë për Vitin e Ri. Ëndërroja shumë të bëja me to një kukull. Kukull të vërtetë nga ato që shiten sot në treg ende s’kisha parë, por i kisha parë shoqes sime një kukull të bërë vetë. Edhe ajo mbase e kishte parë te dikush tjetër. Ku ta dish? Ideja për të sajuar këto perëndesha të vogla është shumë e lashtë, ndoshta, që nga koha e qytetërimit sumero-akadian.
Me copërat e kadifes të palosura e të vendosura në një kuti tualeti të vjetruar që e kisha gjetur midis sendeve të nusërisë të nënës sime, vajta te shtëpia e Lilit – kështu e quanin shoqen time. Kishim biseduar për kukullën një ditë më parë dhe mezi prisnim të bëheshim bashkë. Do të doja ta riprodhoja këtu atë bisedë, nga e cila zë fill kjo ngjarje, që duke e shkruar, më duket sikur e zbuloj, por më pengon harresa.




Shtëpia e Lilit ishte nga ato ndërtesat tip njëkatëshe, me bodrum poshtë, me një verandë të vogël përpara, rrethuar me gjithfarë lulesh. Në verandë hyje duke ngjitur katër- pesë shkallë, me parete borë të bardha, ngaqë mami i Lilit i lyente vazhdimisht me gëlqere. Për të qenë sa më rehat, ne shkuam në një kthinë pas shtëpisë, në të cilën futeshe ose nga një derë e brendshme në korridor ose nga jashtë, përmes një deriçke, me dalje në kopsht. Aty në atë kthinë, mes asaj qetësie e ndieja veten gjithnjë të lirë. Ndoshta nga ajo liri fare e thjeshtë buronte ngazëllimi im i atyre çasteve. Shtëpia ime, ndryshe prej asaj kthine, ishte një apartament në një pallat dykatësh që sa futeshe brenda, kuptohet që do të mbyllje derën. Megjithëse isha dy pëllëmbë mbi dhe, kur kthehesha nga shtëpia e Lilit në apartamentin tonë, më dukej sikur më zihej fryma.
Iu vumë punës të dyja. Ishte një ditë pranvere nga ato që truri i fikson në kujtesë për mos t’i harruar. Shushurima e gjetheve të pemëve më bën sot të përfytyroj ekstazën e analfabetëve kur dëgjonin vargje nga Kantika e kantikave, ndërsa zogjtë që përplasnin flatrat të dehur nga rrezet e diellit, më shtyjnë të mendoj se mbase kanë qenë pikërisht zogjtë që qëndruan dikur mbi supet e Françisko de Asizit.

Lëviznim duart të heshtura e tërë seriozitet, siç veprohet nga të rriturit për një porosi që duhet mbaruar. Pre, qep e shqep deri sa kukulla mori formë. Ishte hera e parë që provoja të bëja një kukull. Më në fund i vendosa mbi flokët e sajuar prej një cope mëndafshi në ngjyrë të errët edhe diçka të shndritshme që shëmbëllente me një kapëse argjendi. Doli një kukull aq e përkryer, sa kur e vura përpara syve për ta soditur, m’u duk se diçka më pëshpëriti. Unë iu përgjigja me ca fjalë të ëmbla, shijen parajsore të të cilave e kam të gjallë si sot. Vonë, kur u bëra nënë, duke mbajtur foshnjën time në duar, kam menduar se këtë çast tashmë e kisha përjetuar.

Kishte kaluar thuajse gjysma e ditës, kur u ngrita për të ikur. Mamaja më kishte thirrur dy-tri herë nga dritarja e një dhome që binte në vijë të pjerrët me derën e pasme të kthinës, për t’u siguruar që s’isha larguar, sepse e dinte që kur s’luaja jashtë, isha atje, dhe më kishte lënë të mbaroja më nge kukullën.

U ndava me Lilin – edhe ajo ishte si e shtangur nga bukuria e kukullës – dhe me shpirt krejt të mrekulluar, vrapova për në shtëpi. Kukullën e mbaja në duar. Teksa po i afrohesha shtëpisë – largësia ishte a s’ishte pesëdhjetë metra – më kapi një ankth që papritur ma rrëmbeu tërë lumturinë. Kalimi i viteve ma ka zbehur rrethanën e kësaj ndjesie, por pushtetin shtypës të atij çasti e kam të gdhendur në tru si shenja fatale e yllit në të cilin kemi lindur. Ankthi u kthye në një llahtari aq tronditëse, sa për një grimë here u ndala, pa ditur ku isha e ç’po bëja. Edhe të kisha qenë Judita me kokën e prerë të Holofernit ndër duar, nuk do të ngurosesha ashtu. Jam përpjekur ta shpjegoj atë transformim të beftë të gjendjes time psikike dhe lëmshi i mendimeve përherë më ngatërrohet. Isha aq e vogël, robinë e mikrouniversit tim fëmijëror, ku lulëzonte një jetë e dëlirë si te të gjitha vajzat e asaj moshe! Por historia jonë nuk nis në ne! Prej ç’kohë e prej ç’grimcë atomi, brofi nga gjaku im kompleksi se të mbash një kukull në duar, do të thotë të guxosh e të shkosh larg, të ngjitesh te e ardhmja jote e të shikosh pasqyrën tënde në fytyrën e një bebeje!? Është mendim tepër i çuditshëm për një vajzuckë që sapo ka mbushur pesë vjeçe. Unë as që e kisha menduar ndonjëherë këtë gjë, madje as se do të isha një ditë e rritur. Isha në moshën kur këto nocione nuk ekzistojnë, ngaqë fëmijët kanë një përfytyrim metafizik për kohën. Dikush tjetër që flinte në mua, pa dijeninë time u zgjua papritur.

Shtyva derën e shtëpisë, me kukullën në njërën dorë, e zhveshur nga çdo lloj emocioni të gëzueshëm dhe hyra në korridor si hije. Kur pashë tim atë në këmbë, në mes të kuzhinës, e humba fare. Ai më thirri që të më puthte, siç bënte kur ndodhej në raste tepër të rralla ditën në shtëpi. Me dridhma në shpirt, pa vetëdije, unë u futa në dhomën e gjumit, e prisha me të shpejtë kukullën dhe e çartallosur e hodha në një qoshe prapa dollapit. Golemi im dergjej tani i zhbërë në mënyrën më mizore.
Fare e papërqendruar pastaj iu afrova babit, e ftohtë, e zhveshur nga çdo ndjenjë. Zemra më rrihte aq fort, sa dëgjoja buçimat e saj në vesh e në tëmtha. Im atë u përkul në gjunjë, më mori pranë, më puthi sytë e më pa nga duart. “Ç’e bëre kukullën, shpirt?”- më pyeti. Unë e vështrova gjatë, pa mundur të nxirrja qoftë edhe një tingull. Dhe sytë m’u veshën nga dy pika të mëdha loti që rrinin gati për të rënë sa të ulja qepallat. “Vajza është e sëmurë”, – i tha ai mëmës që po përgatiste drekën. Dhe duke më vënë dorën e tij të shtrenjtë mbi ballë, më ngriti hopa e më çoi në shtrat me pamje të trishtuar.
1986


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.