SHËNDET

Lorela Garuli: Fëmijët me dhunti më të larta se mesatarja

18:25 - 20.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Shoqëritë me një të kaluar totalitare kanë tendenca të shuajnë diferencat e pranishme mes individëve të shoqërisë dhe priren drejt mesatarizimit social, klasor dhe intelektual. Sot për sot, në Shqipëri ndihmohen dhe nxiten të integrohen individë me vështirësi, çrregullime dhe problematika të ndryshme të zhvillimit, ndërkohë që ka shumë pak vëmendje për fëmijët dhe të rinjtë që kanë dhunti apo talente të caktuara. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në ‘Gazeta Shqiptare’, psikologia Lorela Garuli tregon mënyrat se si mund të identifikohen fëmijët me dhunti të veçanta dhe karakteristikat kryesore që ata shfaqin. Më tej psikologia jep sugjerime të vlefshme për mënyrat e sjelljes që prindërit duhet të tregojnë me fëmijë të tillë.




Pse duhet treguar kujdes i posaçëm ndaj fëmijëve me dhunti të veçanta?
Është e domosdoshme që pjesë e programeve dhe planeve edukative e didaktike që synojnë gjithëpërfshirjen e nxënësve me nevoja të veçanta të jenë dhe veçoritë dhe nevojat e fëmijëve me dhunti apo me aftësi më të larta se mesatarja. Kjo me qëllim jo vetëm për t’ju përgjigjur nevojave të tyre intelektuale dhe njohëse, por njëkohësisht për të ndikuar pozitivisht në edukimin e tyre në të ardhmen; sepse janë pikërisht këta individë, që trajtuar, shkolluar dhe edukuar në mënyrën e duhur do të kontribuojnë në shoqëri. Pra, njohja e tipareve të tyre dhe kultivimi i aftësive dhe talenteve është në të mirë të të gjithë shoqërisë ku ata jetojnë.

Si identifikohen këta fëmijë?
Parimisht, është shkolla, e cila i pikas dhe e kupton kur një fëmijë zotëron inteligjencë më të lartë sesa të tjerët, mëson më lehtë dhe më shpejt, apo kur shfaq prirje në fusha të caktuara. Por, ajo që ndodh realisht është se një pjesë e madhe e këtyre fëmijëve nuk arrihen kurrë të zbulohen, si rrjedhojë e mungesës së informacionit mbi këtë çështje dhe kryesisht nga mungesa e instrumenteve matës të inteligjencës në gjuhën shqipe.

Cilat janë veçoritë që shfaqin kryesisht?
Në pjesën më të madhe të rasteve, fëmijët që kanë një inteligjencë më të lartë apo një talent tjetër që nuk lidhet detyrimisht me shkollën, shfaqin kujtesë shumë të mirë për moshën kronologjike, kuptojnë ide abstrakte dhe të komplikuara, janë të aftë të zgjidhin problema dhe detyra më të avancuara sesa për moshën, janë shumë kureshtarë, kanë fantazi, imagjinatë dhe një të menduar abstrakt shumë të zhvilluar. Janë fëmijë me fleksibilitet të lartë në të menduar, me iniciativë, origjinalë dhe produktivë. Janë fëmijë që mësojnë shumë shpejt, e artikulojnë gjuhën shumë mirë, të cilët përdorin fjalë dhe fjali më komplekse sesa bashkëmoshatarët e tyre dhe që në moshë të hershme kanë të zhvilluar një fjalor shumë të pasur.

Zakonisht u pëlqen më shumë të lexojnë sesa të luajnë jashtë dhe arrijnë të jenë autodidaktë shumë të mirë. Të mësuarit e gjërave të reja e perceptojnë si një proces dinamik, të kënaqshëm dhe të këndshëm.

Si shfaqen ata në marrëdhënie me të tjerët?
Nuk janë të rralla rastet që janë të painteresuar dhe jo të motivuar për procesin mësimor apo për aktivitetet tipikë që kryejnë bashkëmoshatarët e tyre. Kjo ndodh për arsyen e thjeshtë, sepse mungesa e interesit lidhet direkt me inteligjencën më të lartë dhe me faktin që si programet mësimore, ashtu dhe ato argëtuese me mosha të caktuara, janë të hartuara duke pasur parasysh një nivel mesatar të zhvillimit konjitiv; programe të cilat nuk përmbushin “etjen” dhe interesat e veçantë e të zhvilluar të këtyre fëmijëve.

Mund të na përshkruani disa prej karakteristikave të personalitetit të fëmijëve me dhunti të veçanta?
Sa i përket karakteristikave të personalitetit, shfaqen të pavarur, të përgjegjshëm, kritikë dhe shpeshherë me prirje perfeksioniste. Janë të ndërgjegjshëm për pikat e tyre të forta dhe të bindur tek vetja. U pëlqen më shumë të komunikojnë më fëmijë më të rritur sesa ata vetë.

Si duhet të sillen të rriturit me ta? Çfarë sugjeroni për prindërit e këtyre fëmijëve?
Identifikimi i hershëm i këtyre fëmijëve dhe i tipareve të tyre ndihmon në radhë të parë që vështirësitë që ata mund të shfaqin në përshtatje me të tjerët apo me mjedisin, të kuptohen drejt. Nëse shfaqin mungesë vëmendje dhe angazhimi, duhet kuptuar drejt nga ana e të rriturve se kjo vjen nga mënyra e tyre e ndryshme e perceptimit dhe e njohjes së realitetit. Ajo që sugjerohet për prindërit e këtyre fëmijëve është që të kultivojnë dhe të ushqejnë interesat dhe talentet e fëmijëve, gjithmonë sipas dëshirës së tyre. Njëkohësisht duhen nxitur marrëdhëniet e shëndetshme sociale dhe të plotësohen të gjitha nevojat e tjera të fëmijës, jo vetëm ato mendore dhe intelektuale.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.