AKTUALITET

Video/ Viktimat e komunizmit, Basha: Jo më harresë, do të ndëshkojmë krimin

09:25 - 21.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Kreu i opozitës, Lulzim Basha, mori pjesë dje në inaugurimin e memorialit të viktimave të regjimit komunist në Shkodër. Memoriali është ndërtuar nga Bashkia e Shkodrës, në bashkëpunim të ngushtë me të persekutuarit politikë, organizatën “Drejtësi dhe Paqe” dhe me bashkëfinancimin “Renovabis” e donatorë vendës e të huaj. Një memorial që lartëson realitetin e vuajtjes së intelektualeve, hoxhallarëve e priftërinjve, burrave e grave; të rinjve që vuajtën tmerrin, u masakruan, u internuan e u vranë. Teksa kujtoi heronjtë që dhanë jetën për të rrëzuar diktaturën hoxhiste, Basha përmendi se në Shqipëri për 50 vjet nuk janë dënuar krimet e komunizmit dhe që rrjedhin nga ideologjia staliniste. Basha shtoi se dje ishte ideologjia staliniste ajo që “vriste” shqiptarët, kurse sot krimi e vesi janë në pushtet. “Vij këtu me vetëdijen e plotë të peshës që kam unë dhe PD-ja, të vetëdijshëm se gjithçka është arritje në raport me borxhin e pashlyeshëm ndaj të burgosurve dhe të përndjekurve politikë, që është meritë e Partisë Demokratike dhe gjithçka që nuk është arritur është e jona, edhe zotimi është i yni për ta çuar deri në fund. Sot ajo që na pengon është lartësimi i vesit, i krimit, po kështu me sulmet denigruese ndaj atyre që kërkojnë të zbardhin të vërtetën, duke sulmuar Agron Tufën, Çelo Hoxhën dhe të gjithë të tjerët. Një nga arsyet kryesore është se e lamë harresën të ngrinte krye mbi kujtesën dhe nuk i dhamë ndëshkimin final. Përtej çdo dëmshpërblimi financiar, bëhet fjalë për diçka më të madhe që është dënimi i krimit në nivel kombëtar dhe koha ka ardhur”, – deklaroi z.Basha.




Paralajmërimi
Kreu i opozitës, Lulzim Basha, paralajmëroi një tjetër shtyrje të hapjes së negociatave për Shqipërinë në 30 qershor. “Për fat të keq, shtyrja pak a shumë është vendosur. Vende anëtare kanë dalë në përfundimin se progresi i Shqipërisë drejt përmbushjes së kushteve për hapjen e negociatave të anëtarësimit është i pamjaftueshëm. Pyetja shtrohet: çfarë vjen pas kësaj? Problemi më i madh është sesi të kapërcehet kjo krizë e thellë, e cila tani po shpërthen me zemërim nëpër rrugë dhe sheshe”, theksoi kreu i PD-së. Basha shigjeton Brukselin për raporte që sipas tij janë larg realitetit të Shqipërisë dhe shprehet se dera e Unionit mund të hapet vetëm pasi vendi të ketë zgjidhur problemin e zgje-dhjeve të vjedhura dhe të jenë shkëputur lidhjet e qeverisë me krimin. Në intervistën radifonike për “BBC World”, Lulzim Basha bëri të qartë se forca politike që drejton distancohet nga dhuna në protestat e saj kombëtare, por e kupton zemërimin në rritje të qytetarëve. “Absolutisht. PD ka bërë gjithmonë thirrje për protesta jo të dhunshme. Është distancuar dhe do të distancohet gjithmonë nga dhuna. Megjithatë, duhet kuptuar se dhuna e izoluar falë Zotit nuk shkaktoi viktima. Asnjë person i vetëm nuk u plagos, asnjë polic nuk u lëndua, por është shprehje e zemërimit në rritje. Këto protesta janë pasojë e një krize që ka shpërthyer me të gjithë fuqinë gjatë 4 muajve të fundit: krizë kushtetuese, krizë politike dhe pasojat e saj ekonomike e sociale”, tha z.Basha. Kreu i PD-së shprehu domosdoshmërinë për hapjen e negociatave të Shqipërisë në Bashkimin Europian, pavarësisht situatës së krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Dokumenti
Kreu i demokratëve, Lulzim Bashan tregoi dje se gjatë vizitës së tij në Parlamentin britanik ka vizituar edhe dhomën ku ndodhet “Magna Carta”, dokumenti 800-vjeçar, që flet për të drejtat dhe liritë themelore të njerëzimit. Sipas Bashës, ky dokument manifeston parimin bazë të demokracisë perëndimore, që nënkupton se liria dhe të drejtat e njeriut mbrohen me ligj dhe se dhunimi i tyre është shkak për përmbysjen e çdo pushteti. “Të dashur miq, këtë foto e mora nga panelet e Westminster, ndërtesës historike të Parlamentit britanik, nënës së gjithë parlamenteve. Është ‘Magna Carta’, dokumenti 800-vjeçar që ka frymëzuar betejat më madhështore për liri në botë këto 8 shekuj, nga Reforma e Monarkisë Britanike te Revolucioni Amerikan dhe ai Francez. Madhështia e saj qëndron tek ideali i shenjtë dhe parimi bazë i demokracisë perëndimore se liria dhe të drejtat e njeriut mbrohen me ligj dhe se dhunimi i tyre është shkak për përmbysjen e çdo pushteti. ‘Magna Carta’ është mantra e kufizimit të pushtetit me ligj dhe ndërtimit të shoqërisë mbi barazinë para ligjit dhe respektin për të drejtat dhe liritë e çdo njeriu. ‘Magna Carta’ është Karta e Madhe që e bëri Britaninë të madhe, sepse vendosi precedentin se mbi të drejtat dhe dinjitetin e njerëzve nuk ka pushtet mbi tokë përveç pushtetit të njerëzve nga njerëzit dhe për njerëzit!”, – shprehet z.Basha.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.