AKTUALITET

Zbulohet udhëzimi i PS: Të rritet pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje

14:02 - 21.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Socialistët e konsiderojnë tashmë si një vendim pa kthim, shkuarjen në zgjedhjet e 30 qershorit edhe nëse opozita reale nuk do të bëhet pjesë e tyre. Jo vetëm kaq, por Partia Socialiste ka nisur të marrë masat edhe për të parandaluar çdo tentativë të opozitës për të prishur zgjedhjet, si dhe për t’u dhënë zgjedhjeve edhe legjitimitet moral nëpërmjet një pjesëmarrjeje sa më të madhe të zgjedhësve në votime. Për këtë qëllim, sekretari organizativ i PS-së, Arben Pëllumbi u ka nisur një udhëzim të gjitha strukturave partiake në bazë dhe kandidatëve për kryetar bashkie, ku u përcakton 4 detyra kryesore. Në krye të tyre listohet porosia për të nxjerrë sa më shumë zgjedhës në votime.




“Në kushtet specifike të fushatës për zgjedhjet e organeve të pushtetit vendor të 30 qershorit, kur opozita jashtëparlamentare PD-LSI nuk merr pjesë në zgjedhje, për strukturat e Partisë Socialiste dalin disa detyra për t’iu përgjigjur këtyre kushteve të zgjedhjeve. Së pari, të synohet dhe realizohet pjesëmarrje sa më e lartë në votime. Pjesëmarrja në votime jo vetëm të ruajë shifrat e rezultateve për PS dhe të partive të koalicionit ‘Aleanca për Shqipërinë Europiane’ në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, por të përcaktohen detyra për rritjen e pjesëmarrjes (jo më pak se 2.5 për qind që është rritja e numrit të zgjedhësve krahasuar me dy vjet më parë)”, – thuhet në këtë udhëzim. Në kuadër të kësaj detyre të parë është edhe porosia që të evidentohen rastet e veprimtarisë së opozitës joparlamentare për pengimin e zgjedhësve për të marrë pjesë në votime, për presione e kërcënime. Së dyti, udhëzimi kërkon të përcaktohen dy-tri prioritete kryesore për çdo bashki nga ato që kanë dalë gjatë llogaridhënies së tyre në publik, sidomos atje ku drejtojnë përfaqësues të PS, dhe të merren masat për plotësimin e tyre. Prioritetet që do të përcaktohen në çdo bashki duhet të dërgohen në zyrën e Organizimit të Partisë brenda datës 25 maj 2019. Detyra e tretë ka të bëjë me marrjen e masave për caktimin e anëtarëve të komisioneve të Qendrave të Votimit, ndërsa detyra e katërt kërkon zbatimin e të gjitha kërkesave të Kodit të Zgjedhjeve për shpenzimet e fushatës, duke theksuar detyrimin që çdo veprim financiar të bëhet nëpërmjet bankës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.