DOSSIER

Masat pas Revoltës së Qafë Barit: Bomba me gazlotsjellës, kundragazë, helmeta e ushqim për ushtarët dhe zvogëlimi i qelive në Burrel e uniforma të verdha për të dënuarit

18:00 - 22.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Dashnor Kaloçi  – Plot 35 vjet më parë në 22 majin e vitit 1984, në kampin-burg të Qafë Barit në rrethin e Pukës ky vuanin dënimet një numër i madh të dënuarish politikë të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ndodhi një ngjarje e jashtëzakonshme që tashmë është e njohur si “Revolta e Qafë Barit”, ku diktatura komuniste në shenjë hakmarrje, më pas ekzekutoi me pushkatim dy të dënuar, Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja. Si dhe ridënoi me burgime të rënda një numër të madh të dënuarish të tjerë, të cilët u etiketuan dhe u akuzuan si përgjegjësit kryesorë të asaj ngjarje. Po kështu nga torturat çnjerëzore dhe keqtrajtimi brutal që iu bë një numri të madh të dënuarish (që u konstatuan apo u akuzuan si përgjegjësit dhe organizatorët kryesorë të asaj revolte), nga ana e forcave ushtarako-policore dhe efektivat e tjera të repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë (rep.326) që erdhën në përforcim nga Tirana, mbeti i vdekur edhe i dënuari politik, Sandër Sokoli, ish-kuadër i lartë ushtarak, që ishte diplomuar në Bashkimin Sovjetik. Ndërsa tashmë prej kohësh këto dhe të tjera detaje nga ajo ngjarje janë të njohura si prej dokumenteve arkivore të bëra publike pas viteve ’90-të, ashtu dhe prej dëshmive të ish-protagonistëve të asaj revolte, ekskluzivisht për ‘Gazeta Shqiptare'”, po publikojmë për herë të parë një dokument krejt të panjohur, me siglen “sekret”, i cili hedh dritë mbi masat që do ndërmerrte regjimi komunist me anë të autoriteteve përkatëse në mënyrë që “të mos ndodhnin më ngjarje të asaj natyre”, ku ato masa përshkruhen me detaje, si dhe njerëzit e ngarkuar për zbatimin dhe kontrollin e tyre. Ajo që bie në sy në këtë dokument të rrallë që është nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme prej dosjes tepër voluminoze të asaj ngjarje që duhet thënë se tronditi jashtë mase udhëheqjen komuniste të Tiranës, është kërkesa për furnizimin me bomba me gazlotësjellës, helmeta, kundragaze dhe ushqim të lartë për ushtarët dhe efektivët, si dhe zvogëlimi i qelive në burgun e Burrelit e pajisja me uniforma njëngjyrëshe (të verdhë) e të dënuarve politikë që vuanin dënimet në të gjitha kampet e burgjet e atij regjimi. Për më shumë rreth kësaj, na njeh dokumenti të cilin po e publikojmë të plotë bashkë me faksimilet përkatëse.




MIRATOHET S e k r e t
MINISTRI I PUNEVE TE BRENDESHME Ekzemplar. Nr 1
HEKURAN ISAI Tiranë…….1984
PLAN – MASASH
PER ZBATIMIN E DETYRAVE QE DOLEN NGA KONTRILLI
NE REPARTET E RIEDUKIMIT DHE DETYRAT E DALA NGA ANALIZA QE I BERI KOLEGJUMI NGJARJES SE QAFE BARIT TE DATES 22.v.1984

Me qëllim që në repartet e riedukimit dhe burgjet të parandalohen ngjarjet e jashtëzakonshme, të forcohet vigjilenca në regjimin e të dënuarave dhe masat parandaluese operative-ushtarake për sigurimin e plotë të dënuarave në ruajtje, si në regjimin e fronteve të punës, veç detyrave që u janë lënë komandave të reparteve nga Drejtoria e Zbatim Vendimeve Penale, në zbatim me drejtorinë e I-rë të Sigurimit të Shtetit dhe drejtorinë Ekonomike, të merren edhe këto masa dhe detyra konkrete.

1. Të bëhet mbledhje me gjithë kryetarët e degëve të punëve të brendshme, komandat e reparteve dhe punëtorët operativë të reparteve të riedukimit dhe të punohen konkluzionet e ngjarjes së datës 22.V.1984 të Qafë Barit, duke vënë theksin në mangësitë dhe dobësitë në regjimin e brendshëm.

Koha e kryerjes deri në 20.5.1984. Ngarkohet: Dh. Krisafi. F. Haxhiu. Kontrollon: A. Tafa.

2. Të bëhet një përshkrim për mangësitë që janë vërtetuar në rregullin e brendshëm në repartet e riedukimit, duke vënë shëmbulla konkrete, shkaqet e këtyre mangësive dhe masat që duhen marrë.
Koha e kryerjes, deri më 18.6.1984. Ngarkohet Dh. Krisafi A. Tafa
3. Për të stabilizuar regjimin e brendshëm të dënuarëve në disa reparte riedukimi ku vazhdimisht kemi pasur shqetësime, si në Sarandë, Batër, Lezhë dhe Spaç, të bëhen kontrolle të befasishëme nga Drejtoria e Kontrollit të Zbatimit Vendimeve Penale me forca të batalionit 326 të policisë, deri 1 togë.

Koha e kryerjes, Qershor – Korrik 1984. Ngarkohet Dh. Krisafi A. Tafa
4. Për të meta dhe dobësi të theksuara që janë gjetur në repartet e sigurimit të të dënuarave dhe metodën e punës së komandave të reparteve, të thirren në raport tek zëvëndësministri, komanda e repartit 305 Sarandë dhe 301 Batër dhe të paralajmërohen dhe t’u vihen detyra për përmirësimin e gjëndjes.
Koha e kryerjes, Qershor 1984. Ngarkohet Dh. Krisafi A. Tafa
5. Drejtoria e I-rë e Sigurimit të Shtetit të bëjë një studim të thellë të veprimtarisë armiqësore në repartet e riedukimit dhe në burgjet dhe të përcaktohen masa konkrete për sektorin operativ ashtu dhe ushtarak në bashkëpunim me Drejtorinë e Zbatim Vendimeve Penale, për të parandaluar çdo të papritur e veçanërisht të goditen e shpartallohen format e organizuara të kësaj veprimtarie.

Koha e kryerjes, Qershor-Korrik 1984. Ngarkohet F. Haxhiu Dh. Krisafi. E kontrollon Z. Ramizi A. Tafa
6. Drejtoria e I-rë e Sigurimit të Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë e Kuadrit të studjojë dhe të marrin masa për zëvëndësimin e kuadrit punëtor operativ në repartet e riedukimit e burgje që janë të paaftë dhe me dobësi, me kuadro të aftë.
Deri në shtator 1984. Ngarkohet F. Haxhiu. E kontrollon Z. Ramizi
7. Drejtoria e Zbatim Vendimeve penale në bashkëpunim me Drejtorinë e Kuadrit të marrin masa urgjente për plotësimin me kuadro të aftë disa kuadro kryesorë të reparteve të riedukimit, si:

-Të emërohet komandanti i Repartit 303 Leshë që mungon.
-Të emërohet komisari i Repartit 311 Qafë Bari.

-Të transferohet shefi i stërvitjes të Repartit Qafë Bari
për të meta dhe të caktohet një kuadër i aftë.

-Të shkarkohet komandanti i Repartit 301 Batër si i paaftë nga ana shëndetësore dhe për dobësi në punë dhe të emërohet një kuadër i aftë.

-Të shkarkohet komandanti i togës së policisë në repartin 302 në Lezhë si i paaftë dhe të emërohet oficer pune në një repart tjetër.

8. Drejtoria e Zbatim Vendimeve e Penale me Degën e Organizimit dhe Degët e Punëve të Brendëshme Pukë, të transferojë nga reparti 311 në Pukë policët që kanë lidhje gjinie dhe krushqi ndërmjet tyre, me policë të rinj ose nga repartet e tjera.

Koha e kryerjes deri në dhjetor 1984. Ngarkohen Dh. Krisafi. L. Lena. Kontrollon A. Tafa F. Zeneli

9. Drejtoria e Zbatim Vendimeve Penale në bashkëpunim me Drejtorinë Ekonomike të marrin masa për sigurimin e të dënuarave dhe plotësimin e kushteve siç janë:
-Të sigurojë tel me xhëmba për rrethimin e pavionit 7 në spitalin e burgut, të burgut të Burrelit dhe rrjetë teli për pavionin e sanatoriumit
-Të bëhet prevendtivi dhe të bëhen disa adaptime në Burgun e Burrelit për zvogëlimin e dhomave dhe rritjen e kapacitetit të tijë.
-Të kompletohen repartet be riedukimit dhe burgjet me kundragaz, helmeta, bomba gazëlotësjellës, bilbila dhe elektrik dore sipas nevojave për të rritur gatishmërinë.
-Të studjohen mundësitë që norma e ushqimit të repartit 321 Burrel, 302 Lezhë, 301 Sarandë, 313 e 325 Tiranë, për vështirësitë e shërbimit, t’u jepet norma, Dy.
-Të merren masa që të bëhet më mirë furnizimi i reparteve të riedukimit me veshjet për të dënuarëve të një ngjyre (të verdhë) me batanije, çar?5afë dhe mjete të tjera të nevojëshme.
-Në repartin 303 Spaç të zgjidhet problem i depos së ushqimeve e furrës së bukës të efektivit brenda vitit 1985 duke bashkëpunuar me ndërrmarjen e minierës si dhe problemi i furnizimi me ujë të togës së II-të
Koha e kryerjes, gjatë vitit 1984. Ngarkohet M. Sako Dh. Krisafi. Kontrollon A. Tafa H. Shahu

10. Për të rritur aftësitë profesionale të efektivit kuadër dhe policë në kuadër të zbatimin e kërkesave të rregulloreve të reparteve të riedukimit, me të gjithë të organizohet ripunimi i rregulloreve dhe të mbahen seminare të drejtuara nga Drejtoria e Zbatim Vendimeve Penale për të parë më mirë shkallën e njohjes dhe mënyrën e zbatimit të tij në praktikë.

Koha e kryerjes, brenda muajit tetor 1984. Ngarkohet Dh. Krisafi. Kontrollon A. Tafa

11. Të gjithë komandat e reparteve të riedukimit dhe burgjet në bashkëpunim me D.Z.V.P. me çetat që janë planëzuar për sigurimin e reparteve për kohë paqe dhe lufte, të organizojnë stërvitje të veçanta për njohjen më mirë të rajoneve të mbrojtjes e bllokimit.
Koha e kryerjes, brenda muajit shtator 1984. Ngarkohet Dh. Krisafi. Kontrollon A. Tafa

12. Të organizohet një seminar një ditor me komandantët e togave të policisë ku të trajtohet me ta problemet e forcimit të rregullit të brendshëm, të forcimit të kontrollit kur të dënuarit futen në regjim, mbi aftësimin e efektivit të policisë për këto probleme etj.
Koha e kryerjes, korrik 1984. Ngarkohen Dh. Krisafi, N. Hasani, L. Imeri. Kontrollon A. Tafa

13. Drejtoria e Zbatim Vendimeve Penale të dendësojë ndihmën e kontrollin në bazë, kryesisht problemet e forcimit të regjimit, zbatimin të rregulloreve në tërë veprimtarinë e efektivit duke ndihmuar për përmirësimin e gjëndjes në repartet ku ka më tepër probleme.

Koha e kryerjes, gjatë vitit 1984. Ngarkohet Dh. Krisafi. E Kontrollon A. Tafa.

14. Drejtoria e Zbatim Vendimeve Penale me Drejtorinë e Ndërlidhjes të studjojnë dhe të marrin masa për riparimin e linjës Qafë Bari – Fushë Arrëz dhe ndërlidhjen me rradio të tipit “Sterrno”, repartin 305 Sarandë, të cilët kanë një numër të madh të dënuarish që punojnë në sipërfaqe të pyllëzuar.
Koha e kryerjes, brenda vitit 1984. Ngarkohet Dh. Krisafi, Kontrollon Q. Jaçellari.
ZEVENDESMINISTRI I PUNEVE TË BRENDESHME
AGRON TAFA


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.