AKTUALITET

Sulmohet me breshëri kallashnikovi banesa e punonjësit të Bashkisë së Selenicës

10:34 - 22.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi mbi banesën e shefit të shërbimeve publike në Bashkinë e Selenicës, Xhulio Mara. Mësohet se pavarësisht se janë derdhur 20 plumba drejt shtëpisë së 26-vjeçarit, fatmirësisht nuk ka persona të lënduar. “Më datë 21.05.2019, rreth orës 01:00, në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri në pjesën e jashtme të murit të banesës së 26-vjeçarit Xh.M., në Selenicë. Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje ku po kryen veprimet e mëtejshme hetimore në lidhje me identifikimin dhe kapjen e autorit”, – njoftoi ditën e djeshme policia. Mësohet se gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është konstatuar se në murin rrethues, por edhe pjesët e tjera janë gjetur shenjat e plumbave që zbrazën nga armët autorët. Mara është person pa precedentë penalë dhe prej tri vitesh punon në Bashkinë e Selenicës, që drejtohet nga Përparim Shametaj i zgjedhur nga PD-ja.




Ndër-kaq, në lidhje me këtë ngjarje ka folur edhe i riu, i cili ka deklaruar për “Gazeta Shqiptare” se autorët kanë zbrazur 20 plumba drejt shtëpisë së tij. Ai ka treguar se plumbat kanë depërtuar edhe në banesë, ndërsa shton se nuk ka pasur konflikt me asnjë person. “Më kanë qëlluar me rreth 20 plumba drejt banesës. Plumbat kanë hyrë edhe brenda në banesë. Nuk kam konflikte, s’kam pasur kërcënime më përpara”, – deklaroi Xhulio Mara. Menjëherë pas sinjalizimit për sulmin me armë mbi banesën e familjes Mara, policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe vënien në pranga të autorëve, si dhe zbardhjen e motivit të krimit. Mësohet se përveç pistës së paralajmërimit, po kryen hetime edhe në pista të tjera në lidhje me ngjarjen që terrorizoi familjen Mara, por edhe fqinjët e tij pas mesnate. Kjo është e disata ngjarje që regjistrohet në Vlorë pas dy atentateve pak ditë më parë, që ende nuk janë zbardhur.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.