DOSSIER

Gjykata Administrative pranon padinë për heqjen e emrit të Mehmet Shehut nga rruga e Ballshit

16:49 - 23.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Rezarta Delisula – Shkalla e parë e Gjykatës Administrative pranoi kërkesëpadinë e dy djemve të tregtarit Jonuz Kaceli për heqjen e emrit Mehmet Shehu nga rruga kryesore e Ballshit. Ati i tyre është një ndër 22 viktimat e komunizmit akuzuar për incidentin në legatën sovjetike në Tiranë në 20 shkurt të vitit 1951. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Osman Kaceli tha se: “Babain ma vrau Mehmet Shehu, nuk u hodh nga dritarja”. Kjo është dhe arsyeja kryesore e padisë së tyre, që ndiqet nga studio e avokatisë “Cakrani”. Osman dhe Mirvjen Kaceli kërkojnë shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Bashkisë Mallakastër, nr.27, datë 29.05.2002, për emërimin e rrugës Mehmet Shehu në qytetin e Ballshit, sipas vendimit nr. 178 datë 19.09.2018 të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe shpërblim të dëmit moral, ekzistencial dhe biologjik, sipas parashikimeve të K. Civil dhe Vendimit Unifikues të datës 12.09.2009 të Gjykatës së Lartë, në shumën e 300.000 mijë lekëve.
Çështja
Me vendim nr.27, datë 29.05.2002 këshilli bashkiak i Bashkisë Mallakastër ka vendosur që një rrugë në qytetin e Ballshit, e cila është në drejtim të kombinatit të përpunimit të thellë të naftës, të ketë emrin “Mehmet Shehu”. Të vendosur përpara kësaj situate, paditësit Osman dhe Mirvjen Kaceli, duke qenë se janë të ndikuar drejtpërdrejtë nga ky veprim ose mosveprim i këshillit bashkiak të Bashkisë Mallakastër, me anë të një ankese i janë drejtuar Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ku i është kërkuar dhe shpjeguar se paditësit në fjalë, shtetasi Osman dhe Mirvjen Kaceli kanë lidhje familjare me z.Jonuz Kaceli dhe, gjithashtu, kanë një panoramë të gjerë vuajtjesh nga sistemi komunist. Në procesverbalin e Byrosë Politike të Komitetit Qendror, i bërë më datë 20 shkurt 1951, bashkëngjitur ankesës së tyre, citohet se: “Duhet të zbulohet patjetër burimi dhe njerëzit e këtij atentati, pra atentatit të z.Jonuz Kaceli. Është e nevojshme të merren masa represive pa marrë parasysh ligjet në fuqi. Unë mendoj se masa që duhet të marrim të jetë në një shkallë të tillë që elementin që përpunohet, elementin reaksionar etj., që sonte ta arrestojmë, pra, rreth 100 ose 150 vetë nga të cilët 10 ose 15 t’i pushkatojmë, duke zgjedhur ata kryesorët. Kjo masë të procedohet edhe me një masë tjetër spastrimi nga Tirana të familjeve reaksionare. Ne duhet terrorit t’i përgjigjemi me terror, i kemi përgatitur listat e arrestimeve dhe jemi dakord të veprojmë që sonte.” Në vijim të ankesës së tyre subjektet Osman dhe Mirvjen Kaceli shprehen se babai i tyre shtetasi Jonuz Kaceli është arrestuar, burgosur dhe torturuar. Me vendimin e datës 02.03.1951 për motive politike të gjithë pjesëtarët e familjes janë internuar për tre vjet. Në cilësinë e dy djemve të të ndjerit, paditësit shprehen se babai i tyre ka qenë i pafajshëm dhe se është arrestuar vrarë dhe zhdukur vetëm për arsye politike. “Emërtimi i rrugës së qytetit Ballsh me emrin e diktatorit Mehmet Shehu ka sjellë trajtim diskrimininues ndaj nesh si fëmijë më baba të pushkatuar nga diktatori”. Ata shprehen se Bashkia Mallakastër dhe këshilli i Bashkisë Mallakastër u ka refuzuar shqyrtimin e kërkesës për heqjen e emrit të rrugës dhe ndryshimin e saj, duke bërë në këtë mënyrë një trajtim diskriminues. Më pas paditësit Osman dhe Mirvjen Kaceli i janë drejtuar Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Tiranë, i cili pasi ka shqyrtuar çështjen ka vendosur: Konstatim të diskriminimit të subjekteve ankuese… Në vendimin e tij ka arsyetuar se: Këshilli i bashkisë Mallakastër, është në dijeni të plotë të veprimit dhe mosveprimit për sa i përket çështjes në fjalë, veprimet e tyre që bien në kundërshtim me ligjin duke mos kthyer përgjigje dhe duke mos marrë parasysh kërkesat e here pas hershme të personave të prekur drejtpërdrejtë, tregon qartë se ata nuk kanë as më të voglin vullnet për të mbledhur këshillin e bashkisë dhe të marrin masa për heqjen e emrit të rrugës që mban emrin e kriminelit Mehmet Shehu. Ndërkaq Osman Kaceli ka shkruar në faqen e tij në “Facebook”: Njoftojmë të gjithë miqtë se shkalla e parë e Gjykatës Administrative pranoi kërkesëpadinë time dhe të vëllait Mirvjen për heqjen e emrit Mehmet Shehu nga rruga kryesore e Ballshit! Ne falënderojmë studio ligjore “Cakrani” dhe zotin Av Kujtim Cakrani, për mbështetjen e pareshtur. Falënderojmë edhe të gjithë miqtë e lobit tonë Jozef, Filip, Vali, Keda Kaceli, Ina, Avis, etj., e veçanërisht promotorin Dritan, të cilët na kanë përkrahur vazhdimisht. Një falënderim i veçantë për Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi!




Historia e Jonuz Kacelit, njeriut që botoi kartolinën e parë në Shqipëri

Jonuz Kaceli, tregtar tiranas u akuzua si pjesë e grupit organizator për hedhjen e bombës në legatën sovjetike më 20 shkurt 1951. Vetëm në zonën e pazarit të ri, 4 familjeve iu morën burrat, Reiz Selfon, Manush Peshkëpinë, Pjerin Guraziu dhe Jonuz Kacelin, të cilët më pas u vranë dhe u groposën bashkë me 18 të tjerë mes të cilëve e vetmja femër, martirja Sabiha Kasimati. Gruaja e Jonuz Kacelit bashkë me 7 fëmijë u internuan jashtë Tirane. Me një shkresë të kryeministrisë shkruhej; Familja e Jonuz Kacelit të internohet në Çorovodë. T’i gjendet një strehë sa të fusin kokën dhe një punë sa të mbajnë frymën gjallë. Jonuz dhe Ali Kaceli, ishin figura të njohura në Tiranë. Ata kanë botuar dhe kartolinën e parë në Shqipëri, kartolinë e cila u shtyp në Dresden të Gjermanisë në 4 maj 1914. Jonuzi ka qenë njohës i shumë gjuhëve të huaja ndërsa biznesi i “Vllazën Kaceli” lulëzonte jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Itali e Greqi. Pas çlirimit, duke qenë ndër tregtarët më të mëdhenj të Tiranës, dyqanin kryesor ia morën. Në kohën e ndodhisë së incidentit në legatën sovjetike, Jonuzi kishte një dyqan te rruga e Barrikadave, madje ndihmonte dhe të tjerët. Një vëlla në atë kohë e kishte në burg, i dënuar 5 vjet me grupin e deputetëve, vëllai tjetër ishte sërish i burgosur dhe internuar pasi një djalë iu arratis në Zelandën e Re, ndërsa tjetri ishte mësues dhe jo në gjendje të mirë ekonomike. Ai shiste kryesisht kartoleri, por edhe gjëra me komision. Jonuz Kaceli u ekzekutua mes 26-27 shkurtit 1951.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.