KULTURË

“Ish-ministri i diktaturës kandidat për Akademinë, mos votoni”

15:21 - 23.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Ju bëj thirrje të gjithë akademikëve, që të mos përfshihen në procese, të cilat bien në kundërshtim me ligjin. Edhe kandidati për kryetar të Akademisë së Shkencave, është një ish-kryetar partie në koalicionin qeveritar, i cili ka dhënë dorëheqjen vetëm katër ditë më parë. Është një ish- kryetar i Kuvendit, edhe më parë akoma ish- ministër në periudhën e totalitarizmit dhe diktaturës. Edhe shkencën, ne politikanët e partive politike do ta drejtojmë, zoti Gjinushi? Zoti Gjinushi, tërhiquni nga zgjedhjet, mos censuroni kornizën e mendimit shkencor në Shqipëri”.




Ka qenë kjo deklarata që ka bërë dje, Fatjona Dhimitri, Kryetarja e Komisionit për Edukim edhe Mjete të Informimit Publik. Përmes një deklarate ajo ju bëri thirrje akademikëve të mos votojnë dhe kujtoi postet që ka mbajtur më herët, Skënder Gjinushi, kandidati i vetëm, për kryetar akademie dhe njëherësh, edhe drejtuesi i procesit të reformës që zgjati dy vite në Akademinë e Shkencave e që nuk ka mbaruar ende. Ndërsa zgjedhjet dy vite më parë ku për secilin post, si edhe tani, kishte vetëm nga një kandidat, pra nuk zgjidhej, por votohej- u quajtën farsë, tanimë dy vite më vonë, jemi në të njëjtën pikë.

Ndërsa pritet që me 24 maj, të mbahen zgjedhjet, Dhimitri tha se “zgjedhjet e pretenduara janë të pagjetura, me boshllëqe edhe të nxituara. Vënë komisionin edhe Kuvendin para faktit të kryer, të padobishme për reformimin e ASH, paradoksale, sepse zgjedhin drejtues me ligjin që vet akademia do të ndryshohet, jo serioze edhe të paprecedente, që nga themelimi të saj”. Kryetarja e komisionit të Medies, Fatjona Dhimitri ju bëri thirrje të gjithë akademikëve, që mos të hyjnë në aventurën e zgjedhjeve të 24 majit, sa kohë që të presin përpilimin edhe hyrjen në fuqi të kuadrit të ri ligjor, mos të përfshihen në procese të parregullta ligjore, që komprometojnë të ardhmen e akademisë, edhe pengojnë marrëdhënien me Kuvendin”.

REAGIMI I ARTAN FUGËS
Po afrohen zgjedhjet farsë të 24 majit 2019 në Akademinë e Shkencave. Ku kryetari do të bëhet përsëri kryetar, sekretari nënkryetar, dhe kryetari sekretar! Të njëjtët! Po ashtu sikur i quajti kryeministri Edi Rama përpara më shumë se një vit e gjysmë më parë, këto lloj zgjedhjesh pa alternativa, pa kandidatë rivalë, pa platforma, mbyllur brenda rrethit të një njëzet vetëve në sallën e vjetër të Akademisë së Shkencave, i quante farsë.
Të ashtuquajturit reformatorë po rimarrin postet drejtuese duke hedhur në kosh reformën!
Tani luhet farsa e farsës, por si duket për kryeministrin, farsa nuk pranohej kurse farsa e farsës është goxha e mirë, goxha e pranueshme, mjafton që fsheh farsën e vërtetë!
Paralelisht po bëhen përpjekje të ethshme, krejt të çmendura, që të aprovohet projektligji i Skënder Gjinushit me iniciativë të Eglantina Gjermenit. Një farsë e farsës të farsës kjo. Krejt nul! Por, ja që nuk u arrit të kalojë në Kuvend përpara datës të 24 majit ku Akademia, shtet më vete, ka shpallur se do të bëjë zgjedhjet!
Në kushtet kur Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informacionit në Kuvend ka nisur procedurat antikushtetuese për të çuar për votim ligjin për reformimin e Akademisë së Shkencave, një problem mbetet i hapur.

A është Akademia e Shkencave brenda ligjit sot, apo nuk është veçse një institucion i vetëdalë jashtë ligjit, i paligjshëm, a bën dot zgjedhje të ligjshme, madje a ka shkelje të rënda të ligjit në fuqi atje për vite me radhë?
Me cilët po komunikon Kuvendi? A duhet drejtuesit e Akademisë së Shkencave të dëgjohen nga Kuvendi, apo ata fillimisht duhet të investigohen e dëgjohen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, nga shërbimet e ministrisë të financave, dhe madje ndofta edhe nga prokuroria?
Nuk jam unë që duhet të investigoj. Unë ftoj shërbimet e specializuara të investigojnë. Autoritetet e shtetit duhet të bëjnë detyrën e tyre. Se një institucion i kalbur infekton gjithçka përreth!

Por, a janë të ligjshme veprimet ose mosveprimet e Akademisë së Shkencave në këta dy vitet e fundit?
Unë them me bindje mesa gjykoj që Akademia e Shkencave ka dalë nga shtrati i ligjit. Pra, edhe zgjedhjet atje janë të paligjshme, edhe kandidaturat e shpallura të paligjshme, edhe zgjedhjet farsë që po kryhen në 24 maj 2019 janë po ashtu krejt të paligjshme.
Të gjitha vendimet e asambleve të Akademisë së Shkencave janë nul. Ja përse edhe grupi i punës që thërritet nga Komisioni i Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik e ka mbaruar mandatin e tij përcaktuar në urdhrin e konstituimit të tij të ministres të arsimit. Mandati i tij nuk shkonte më larg sesa përgatitja e projektligjit dhe dorëzimi i tij në sirtarët e ministrisë. Ja përse edhe këshilli ekzekutiv që drejton veprimtarinë e përditshme të Akademisë drejton, në fakt, një institucion pa busull, pa legjitimitet, pa strategji.
Kjo është arsyeja që kontrolluesit e Akademisë së Shkencave pa pritur ligjvënësit nxitohen të bëjnë zgjedhjet. Ata duan të mbyllin këtë çështje sa më shpejt, ta vendosin shoqërinë dhe shtetin përpara faktit të kryer, dhe të vazhdojnë historinë në avazin e saj që duhet të dali në dritën e diellit!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.