OPINION

Meta rrëmben skeptrin e kryeopozitarit të Reformës në Drejtësi

07:20 - 23.05.19 Andi Bushati
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ilir Meta ka pranuar të veshtë kostumin e liderit të koalicionit gjithnjë e më të madh të atyre që po e shohin me zhgënjim ecurinë e reformës në drejtësi. Duke u bërë zyrtari i parë i lartë i shtetit shqiptar, që shpreh me kaq forcë rezervat ndaj asaj që ndërkombëtarët vazhdojnë ta konsiderojnë si histori suksesi, ai ka hedhur një hap të fortë politik. Ai po përpiqet t’i japë zë asaj mase plot laryshi, politikanësh, opinionistësh, kritikësh dhe njerëzish publikë, që me gjithë dasitë e mëdha me njëri-tjetrin, po i bashkon frika e rilindjes së një përbindëshi të kapur politikisht.




Kreu i shtetit nuk e ka bërë këtë vetëm përmes kritikave që janë lëshuar deri tani, por mbi të gjitha, duke propozuar zgjidhje konkrete.

Gjatë konferencës së kësaj të mërkure për “Sfidat e sigurisë në Ballkan”, ai ka fshikulluar pamundësinë e ringritjes në tri vite të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhjen e diskutueshme të kryeprokurores Arta Marku, lojën e dyfishtë të EURALIUS-it, apo mendësinë e gjuetisë së shtrigave përmes goditjes sipas madhësisë së peshqve.

Cilido që e ka ndjekur këtë sagë të trishtë trevjeçare, mund t’u shtojë këtyre mëkateve edhe kapjen politike të institucioneve të sapokrijuara, vetingun me dy standarde alla Donika Prela, dhe implikimin sharlatanesk të ndonjë ndërkombëtari të niveleve të larta.

Ajo që e diferencon lëvizjen e Ilir Metës nga skeptikët e zakonshëm të reformës në drejtësi, është përpjekja për kërkimin e rrugëve institucionale, që do të mund të zhbënin ato që janë ngritur mbrapsht. Kreu i shtetit ka rrëfyer sot për një kërkesë ndaj instancave më të larta të Brukselit, për sjelljen e një komisioni verifikimi që do të kontrollonte ecurinë e deri tanishme.

A do ta pranonte një organizëm i tillë “lejen” e EURALIUS dhe OPDAT, për një kryeprokurore që mbretëron prej dy vitesh vetëm me votat e njërës palë, megjithëse kjo shpikje nuk shkruhet askund në Kushtetutë?

A do i legalizonte ai vendimet e komisionit të vetingut që dikujt ia quan të ligjshme paratë e pataksuara dhe dikë tjetër e penalizon për të njëjtën gjë?

A do i justifikonte ai veprimet e asgjësimit të Gjykatës Kushtetuese, që me gjithë mangësitë, ka qenë një organ që u ka thyer hundët sa qeverive të Berishës, po aq edhe të Ramës?

Pra, propozimi i Ilir Metës për të kaluar nga retorika (disa e quajnë histori suksesi, ndërsa të tjerët dështim të sigurt) në hapa institucionalë për kontrollimin dhe shmangien e së keqes, është një akt prej politikani serioz.

Natyrisht, që një rrugë e tillë nuk do të realizohet sot për sot dhe shpejt e shpejt. Ajo nuk ka shpresë të vihet në zbatim pa përfunduar zgjedhjet europiane të kësaj fundjave dhe as pa u ndryshuar qeveria e Brukselit në shtatorin e ardhshëm. Por, ajo është një dosje që duhet trajtuar me kujdes, në mënyrë që drejtuesit e rinj të Komisionit Europian ta gjejnë në tryezat e tyre të punës në vjeshtë.

Vetëm kështu mund të përkundet një shpresë se euforia për “Shqipërinë fanar ndriçues në BE” do të përfundojë dhe do shqyrtohen realisht fondet e dhuruara nga taksapaguesit e 28-shes.

Ilir Meta konfirmoi se do të ndjekë këtë rrugë. Natyrisht, duke u sjellë kështu, personalisht nuk do t’u shpëtojë akuzave. Do të përballet me shigjetimet se do të vendosë një shejtan në djepin e zbrazur, se ka konflikt interesi, apo se i trembet faktit se mund të jetë viktima e parë e drejtësisë së re.

Por, pavarësisht akuzave që do t’i bëhen, apo qëllimeve reale të atij vetë, propozimi i presidentit është një akt prej lideri politik. Sepse realisht pas tre vjetësh, ka ardhur koha për të përfunduar me euforinë e reformës që do të prodhonte mrekulli dhe për të bërë bilancin e saj real. Dhe kjo nuk mund të arrihet nëse nismëtarët, financuesit dhe mbështetësit e saj nuk skanojnë vetveten. Është koha që edhe Brukseli të kuptojë ku ka gabuar dhe ku është mashtruar.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.