Homo Albanicus

Për Besën dhe atë që u kemi bërë bashkatdhetarëve tanë

19:02 - 24.05.19 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Besa është një kategori dinjiteti që shqiptarët e shpalosin sa herë u duhet të tregojnë statusin para të huajve, por edhe mes njëri-tjetrit. Një film me këtë emër i bëri ditirambe mbrojtjes së hebrenjve prej shqiptarëve, kurse mënyra sesi e kemi përçuar këtë kod e ka shndërruar Besën në një koncept gati abstrakt.




Ka qenë pak e vështirë për të përcaktuar realisht etimologjinë sepse pikërisht gjuhëtarët tanë të mëdhenj dhe albanologët kanë qenë të konfuzuar në kuptimet e ndryshme që i kanë gjetur kësaj fjale. Mes tyre Gustav Mayer e mendonte të lidhur me fjalën bindje, kurse profesor Çabej e konsideronte duke i veshur një shtrat antik duke e lidhur me konceptin parak të atyre kohëve për besimin. Është interesant mënyra sesi ajo përcaktohej në treva të ndryshme, por që emëruesi i përbashkët ishte një dhe vetëm një: Përcaktues për “fjalën e dhënë”.

Besa, si kategori, ka nevojë të shqyrtohet dhe veçmas punës së etimologut asaj duhet t’i bashkohet tashmë edhe lëmi i historianit me sociologun. Veçanërisht këta dy të fundit. Besa duhet të ishte materializimi në vetëdije i një kategorie që krijonte besimin për një kumtim sublim. Popujt e ndryshëm nuk bëjnë shumë dallime lidhur me të dhe Besës sonë i përgjigjen shumë togfjalësha, por mbase dhe fjalë të veçanta. Po pse vallë e kemi hyjnizuar këtë fjalë? A i është përgjigjur historia dhe memoria sociologjike, realisht trashëgimisë së kësaj fjale? Jo asesi. Trajtimi i hebrejve në Kosovë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, e hedh poshtë trajtimin e Besës. Por edhe nga vetë shqiptarët, duke përjashtuar në jo pak raste mirësinë e popullit tonë, Besa është shkelur paq lidhur me ta. Pak vite më parë, një studiues i ri asokohe dhe mënyrën e hidhur sesi burokratët shqiptarë e shfrytëzuan paq ngutin e hebrenjve për kinse turizmin e tyre në Shqipëri për t’i larguar, kuptohet kundrejt parave të thata. Në fakt, patetizmat që rrodhën nga kjo fjalë sollën edhe shumë shndërrime të panevojshme në përfytyrimin tonë kolektiv për Besën. Veçe koha dhe sidomos pushtimet e shumta treguan një imazh tjetër të shqiptarit.

Përballja e dyshimtë me antifashizmin e shumë të ashtëquajturve burrave të Besës, apo kinse Besa për mbrojtjen e vendit prej Mbretit e me rradhë tregoi se shqiptari që e trajtonte këtë fjalë si të ardhur nga perënditë e kishte braktisur në shpirt prej kohësh. Kurse në Komunizëm me atë që u bënë shumë kundërshtarëve të regjimit, që nga spiunimi por më shumë bërja e jetës së tyre të vështirë dhe mbi të gjitha trajtimi i tyre i ashpër na tregoi se Besa tashmë kishte mbetur thjesht një relike gjuhësore. Madje, edhe e ashtuquajtura Besa kanunore ajo që duhej të respektohej, pasi ky përbënte gati një institucion suprem në vend, nuk funksionoi. Sidomos në Demokraci. Historianët mund të tregojnë se e tillë nuk funksioni dhe në kohët më të mira të Kanunit. Kështu, në Shqipëri janë vrarë priftërinj, fëmijë, gra dhe burra, shumë syresh në kinse Besë. Kjo e fundit tashmë nuk ka më asnjë cak: Ajo, në kanunin kibernetik, përfshin këdo frymor që ecën dhe mund t’i rrjedhë gjak.

Por kujtimin e Besës na e bëjnë të hidhur, madje të dhimbshëm, rastet që po referohen sot me persekutimin e madh të shumë individëve, por edhe përpjekjen tonë për t’ua bërë jetën më të vështirë. Nuk duhet të harrojmë kurrë trajtimin që u është bërë disa njerëzve që mbetën në kushtet më të këqija, thjesht se kishin prejardhje, e cila s’përputhej me shtampat e komunizmit dhe ajo Besa jonë e shqiptarit nuk na ndaloi t’ua bënim jetën më të vështirë. Me Besë erdhi Mirash Ivanaj në Shqipëri por përfundoi si mos më keq, ashtu si do të trajtoheshin shumë intelektualë, shkolluar në universitetet më të mira të Perëndimit prej kolegëve të tyre.

***

Por, kapakun Besës sonë, në formë shumë urbane do t’ia vinte pak vite më parë, anketa për Cilësinë e Jetës së Europës, ku përfshiheshin vendet e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, ku shqiptarët konsideroheshin që të ishin si populli më mosbesues i Evropës.  Në anketën e zhvilluar për Cilësinë e Jetës nga Komisioni Europian, një zë i veçantë i dedikohej çështjeve të besimit dhe tensioneve sociale. Pyetjes: “A mund të thoni se pjesa më e madhe e njerëzve mund të besohen apo se nuk mund të jesh shumë i kujdesshëm në marrëveshje me njerëzit?”,  Shqipëria shënoi pikët më të ulëta në të gjithë Evropën, me vetëm 2.4. Mesatarja e Bashkimit Europian ishte 5.2 pikë, kurse rekordin për besimin ndaj njërit-tjetrit e mbanin popujt e akullt Danimarka dhe Finlanda.

Po ku është Besa jonë? Besa është koncept që thjesht ka fluturuar në trojet tona, kurse mirësia dhe fjala e dhënë mbetet te shqiptarët e pakët që nuk i këndojnë dhe i bërtasin “Besës”. (Homo Albanicus)

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.