AKTUALITET

Xhemollari: Qeveria u tregua e paaftë në plotësimin e Paktit për Universitetin

17:16 - 24.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro –  “Protesta e dhjetorit nuk do të përsëritet, të gjenden forma të tjera” –  “Zgjedhjet për bordin e administrimit, jo trasparente”




Dy ditë më parë studentët i janë rikthyer protestave pasi pretendojnë se kërkesat  e tyre nuk janë plotësuar. Në një intervistë për ‘Gazeta Shqiptare’, drejtuesi ekzekutiv i organizatës Qëndresa Qytetare, Rigels Xhemollari tregon se qeveria u tregua e paaftë në realizimin e pikave të premtuara në Paktin për Universitetin. Ai thekson se 5 muaj pas hyrjes në fuqi, një pjesë e kërkesave janë plotësuar pjesërisht siç janë tarifat e kushtet e konvikteve, një pjesë e kërkesave u tjetërsuan nga pritshmëritë si rasti i Sondazhit Kombëtar të Studentëve apo portali i transparencës dhe pjesa tjetër si pesha e votës apo kontrolli antiplagjiaturë nuk u realizuan. Xhemollari bën me dije se 7 universitete kanë shpenzuar në total 11.6 milionë euro dhe nga këto 1.6 milionë euro për investime, por vetëm 0.9% ka shkuar për kërkimin shkencor dhe 5 nga 7 universitete kanë shpenzuar 0 lek për këtë gjë. Ai shton se procesi i Zgjedhjes së anëtarëve të bordit të administrimit ishte fiktiv, i cunguar jo transparent dhe jo efektiv për studentët.

Sa janë plotësuar kërkesat e studentëve të ngritura në protestën e dhjetorit nëpërmjet Paktit për Universitetin?

Pakti në vetvete si dokument politikash nuk I përfshiu të gjitha kërkesat e studentëve që në fillimet e tij, por adresoi pjesën më të madhe të tyre në akte ligjore me fuqi detyruese. Sot, 5 muaj pas hyrjes së tyre në fuqi mund të themi se një pjesë e kërkesave janë plotësuar pjesërisht siç janë tarifat e kushtet e konvikteve, një pjesë e kërkesave u tjetërsuan nga pritshmëritë si rasti i Sondazhit Kombëtar të Studentëve apo portali i transparencës dhe pjesa tjetër si pesha e votës apo kontrolli antiplagjiaturë nuk u realizuan.

A mendoni se Pakti për Universitetin është një dështim, ashtu siç e kanë cilësuar shumë studentë?

Mendoj që qeveria u tregua e paaftë të realizojë pikat e premtuara në Paktin për Universitetin në afat dhe në përmbajtje. Përveç paaftësisë administrative të treguar në çdo hallkë të tij vihet re edhe mos angazhimi i qeverisë me politikat që lidhen me cilësinë e arsimit të lartë, por vetëm me kërkesat ekonomike dhe ato të punësimit të studentëve. Në gjykimin objektiv të mbështetur në gjetjet e monitorimit të Qëndresës Qytetare mund të them se qeveria nuk ka arritur dot të kurojë problematikat kryesore që shfaq sistemi arsimor siç janë keqmenaxhimi financiar, korrupsioni dhe plagjiaturat.

Sipas monitorimeve të Qëndresës Qytetare, a ishte transparent procesi i zgjedhjeve për Bordet e Administrimit në universitete?

Procesi i Zgjedhjes së anëtarëve të bordit të administrimit ishte fiktiv, i cunguar jo transparent dhe jo efektiv për studentët. Së pari, nuk pati një rregullore specifike për të përcaktuar afatet dhe procedurat, së dyti, kandidatët nuk njiheshin dhe as nuk u propozuan nga studentët dhe së treti, ministrja përzgjidhte një nga tre kandidatura të votuara dhe shpesh herë studentët me votën e tyre thjesht përjashtonin duke votuar, por nuk zgjidhnin.

Sa peshë ka realisht vota e studentëve, dhe sa mendoni se duhet të ketë?

Në zgjedhjet për strukturat akademike pesha e votës së studentëve është 10 % aktualisht por me këtë peshë studentët nuk kanë fuqi vendimmarrëse në universitete për të zgjedhur rektorët dhe dekanët pasi sot më 10% vota e një pedagogu vlen sa 385 vota studentësh në universitetin e Tiranës. Referuar zgjedhjeve të 2016, minimalisht vota studentore duhet të jetë në nivelin e ligjit të 2007 pra 20 %.

Sa është buxheti i shpenzuar për studentët dhe kërkimin shkencor vitet e fundit?

Nga monitorimi ynë për 6 muajt e parë të vitit akademik na rezulton se 7 universitete kanë shpenzuar në total 11.6 milionë euro dhe nga këto 1.6 milionë euro për investime, por vetëm 0.9% ka shkuar për kërkimin shkencor dhe 5 nga 7 universitete kanë shpenzuar 0 lek për këtë gjë. E njëjta situatë ka qenë edhe vitin e kaluar dhe kjo problematikë lidhet me faktin që përmenda më sipër që qeveria dhe  vetë universitetet janë shumë larg përmirësimit të cilësisë së arsimit dhe rritjes së nivelit të performancës së stafeve akademike.

A janë të drejta kërkesat e studentëve në protestën e dy ditëve më parë?

Në një vend demokratik protestat janë gjithmonë të shëndetshme dhe kur ato lidhen me sistemin arsimor në Shqipëri ka gjithmonë arsye për të protestuar, madje qëndresa u ka dhënë plot arsye studentëve për të protestuar. Forma me të cilën protestohet është zgjedhje e studentëve, por në optikën time protesta e dhjetorit ishte siu generis dhe nuk do të përsëritet më, tani është koha për të gjetur forma dhe alternative të zgjuara për të përmirësuar sistemin arsimor pak nga pak, në terma dhe çështje specifike siç janë pesha e votës, krijimi i këshillave studentore, kontrolli i parave, kontrolli i titujve shkencorë e me radhë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.