AKTUALITET

Video/ Ndërtimet në 1991-2007, Artan Lame: Shtatë rastet kur ndërtuesi merr tapinë

13:15 - 25.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani  – Personat që kanë ndërtuar para dhe pas vitit 1991, ata që kanë ndërtuar në vitet 1996-1997 dhe në vitet 2006-2007, në truallin që u ka dhënë bashkia dhe nuk kanë marrë tapi për shtëpitë do të përfshihen në procesin e regjistrimit dhe pajisjes me certifikatë pronësie. Bëhet fjalë për rreth 13 mijë prona në të gjithë vendin, të cilët deri tani nuk kishin asnjë dokument pronësie. Procedurat për pajisen me tapi dhe dokumentet që duhet të dorëzohen nga pronarët e ndërtimeve apo të truallit i ka shpjeguar dje kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame, i cili pohoi se do të nisë procesi për regjistrimin e pajisjes me dokumentet të të gjitha pronave që kanë bërë problematikë. “Me VKM-në e vitit të kaluar vumë në rrugën e zgjidhjes ndërtimet e përpara vitit 1991, por bashkitë edhe pas atij viti (pra 1991) kanë vijuar në mënyrë masive të ndajnë troje banimi për nevoja të tyre. Këto troje, në shumicën e tyre janë dhënë pa procedura të rregullta, me procedura që kanë mbetur varur, apo edhe pa procedura fare. Me këto dokumente qytetarët kanë vijuar ndërtimin dhe në fund janë gjendur përpara situatës ku nuk kanë mundur të regjistrojnë si të ligjshme banesat e tyre, për shkak të dokumentacionit të mangët të truallit”, -deklaroi Lame. Sipas tij, procesi i dhënies së këtyre trojeve nga bashkitë ka filluar që në vitin 1991 me Komitetet Ekzekutive Pluraliste, ka vijuar më pas vit pas viti me bashkitë, ka njohur pikun e vet në vitet 1996-1998 dhe më pas ka qenë më i kufizuar, pavarësisht se në mënyrë absurde ka vijuar edhe në vitet 2006-2007.




Ndërtimet
Në të gjithë vendin janë rreth 12-13.000 banesa dhe troje në këtë situatë absurde, ku rekordin e mban Saranda me rreth 3500 troje të dhëna në këtë mënyrë. “Të tilla troje ka me shumicë edhe në Gjirokastër, në Përmet, Kolonjë, Tepelenë, Berat, Fier, Elbasan, Lezhë, Kukës, Shkodër etj. E them me përgjegjësi që në një pjesë të rasteve, procesi i dhënies së këtyre trojeve ka qenë i parregullt apo i paligjshëm. Por pavarësisht kësaj, faji nuk është i banorëve, por i vetë njësive vendore apo i kryetarëve të bashkive dhe këshillave bashkiakë, që i kanë hyrë këtyre aventurave, për të cilat ende sot e kësaj dite pasojat i paguajnë qytetarët, të cilët kanë qenë në mirëbesim”, – tha Lame.

Aplikimi
Vendimi i miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë (VKM 329/2019), përcakton rregullat dhe dokumentacionin e nevojshëm që mundëson regjistrimin në zyrat vendore të Kadastrës të këtyre trojeve dhe banesave. Qytetarët që e vuajnë këtë situatë duhet të fillojnë të grumbullojnë dokumentacionin që kanë, pra aktin për dhënien e truallit, faturën e pagesës së truallit, lejen e ndërtimit përkatëse, apo çdo lloj dokumenti tjetër provues. Pas kësaj, duhet të paraqesin kërkesë pranë zyrave vendore të Kadastrës për regjistrimin e truallit dhe të objektit përkatës.

Pronësia
Kur trualli i përfituar me vendim të këshillit bashkiak, dhënë për leje ndërtimi, është ende në emër të qytetarit dhe ky i fundit nuk e ka shitur te të tjerë, ai mund të kërkojë regjistrimin (nëse nuk është regjistruar dhe shesë/blejë apo ta vërë kolateral lirisht, atë nëse janë plotësuar këto kushte). Kur ka mangësi të dokumenteve, por për subjektin është miratuar të paktën vendimi i bashkisë për dhënien e tokës për ndër-tim, regjistrimi i pronësisë ose heqja e kufizimit kryhet pasi bashkia të ketë plotësuar mangësitë e dokumentacionit ose procedurat e kalimit të pronësisë. Nëse bashkia nuk vepron brenda 3 muajve, atëherë qytetarit i lind e drejta për ta çuar në gjykatë.

“Ky proces si fillim kërkon bashkëpunimin e domosdoshëm të bashkive përkatëse. Kjo, jo thjesht prej faktit që ato e kanë iniciuar këtë proces dikur, por edhe sepse janë depozitare të dokumentacionit fillestar. Por, qeveria ka parashikuar edhe situatën e vazhdimit të neglizhencës së bashkive, pasi VKM-ja e miratuar parashikon që për rreth gjysmën e tipologjive, procedura të vijojë direkt midis qytetarit dhe Agjencisë së Kadastrës. Përfitoj nga rasti të ftoj qytetarët që në këto procese le të përfshijnë zyrat e avokatëve, të cilët duke qenë më të specializuar, janë në gjendje t’i ndihmojnë në përgatitjen e dokumentacionit përkatës. Kjo në shumë raste lehtëson edhe punën tonë në trajtimin e këtyre praktikave. Nesër qytetarët po deshën le të merren edhe me protestën e opozitës, por nga e hëna i ftoj të fillojnë të përgatisin dokumentacionin përkatës për të ligjëruar pronën dhe banesën e tyre”, – shpjegoi Artan Lame.

Dokumentet kryesore për të vazhduar procedurën për regjistrim

1. Vendimi i bashkisë së asaj kohe për dhënien qytetarit këtë tokë për ndërtim.
2. Kur kontrata e kalimit të pronësisë mbi tokën nga bashkia është firmosur, pra është bërë sipas legjislacionit të kohës.
3. Nëse nuk ekziston, por është bërë në formë tjetër jonoteriale, por disponohen mandatpagesat e vlerës së truallit.
4. Nëse nga qytetari posedohet dokumentacioni i lejes së ndërtimit, pasuria kalon në procedurë regjistrimi.
5. Nëse nuk ka dokumentet për lejen e ndërtimit, por mund të vërtetojë se ka vendimin e marrjes së truallit nga bashkia ose mandatpagesat për truallin, kalon në procedurë legalizimi, por nuk do të paguajë për parcelën ndërtimore (legalizimi trajton vetëm objektin), duke e konsideruar ndërtimin si në pronën e vetë kërkuesit.
6. Nëse përfituesi i pronës ua ka kaluar të tretëve me shitje apo dhurim (jo trashëgimi) përpara kësaj VKM-je, ASHK kalon në pronësi apo heq kufizimin dhe e disponojnë të lirë.
7. Nëse trualli është i lirë dhe është bërë ndërtimi procedohet me regjistrimin e truallit vetëm në rastet kur mbi këtë truall ka tituj pronësisë të regjistruar më parë (të mbivendosur).

Tipologjitë kryesore:

a. Procedura e shitjes së truallit ka qenë e parregullt apo si pasojë e neglizhencës së bashkisë.
b. Dokumentacioni i lejes së ndërtimit nuk ka qenë i plotë.
c. Qytetari ka bërë 30-50% të pagesës së truallit, por më pas nuk ka vazhduar procedurën, ose nuk ka paguar pjesën tjetër të detyrimit.
d. Ligji për shitblerjen e trojeve i vitit 1995 dhe/ose me ligjin e vitit 2001 kishte konflikt me këtë procedurë dhe kontrollet KLSH-së apo vetë zyrës e kanë evidentuar si shkelje.
e. Qytetari i është drejtuar bashkisë, por nga kjo e fundit nuk ka vijuar me plotësimin e procedurës për paaftësi apo neglizhencë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.