OPINION

FMN-ja foli për këdo që pati vesh të dëgjonte

07:20 - 26.05.19 Igli Tola
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në vazhdën e raportimeve periodike që zhvillojnë, misioni i fundit i ardhur në Shqipëri i kryesuar nga Jan Kees Martijn evidentoi disa çështje tejet shqetësuese për situatën tonë makroekonomike.




Elementi i parë që binte në sy ishte, projeksioni në ulje sa i përket rritjes ekonomike, duke parashikuar rënie me 4 pikë përqindje (0,4%), për të kaluar në nivelin 3,7% rritje ekonomike. Por, kjo ishte vetëm maja e ajsbergut pasi analiza dhe argumentimi që i bëhet këtij rivlerësimi në ulje na shpalos një panoramë shumë të plotë të ambientit ekonomik.

Së pari, aktivizohet ‘alerti’ për vijimin e ekspansionit ekonomik, pasi burimet për financimin e rritjes janë në ezaurim. Me pak fjalë kreditë që pritet të marrim në vijim do të jenë me norma interesi shumë më të larta e kushte më rënduese, pra me kosto më të lartë. Ndaj, rekomandohet nisja e emetimit të bonove afatshkurtra tre dhe gjashtë mujore si mënyrë alternative dhe më pak e kushtueshme për ‘ushqyerjen’ e ekonomisë, por që mbi të gjitha nuk krijon ‘stok’ huaje që t’i bashkëngjitet volumit aktual të borxhit publik.

Alternativë tjetër incentivuese e rritjes mbetet tërheqja e FDI-ve, por që në këtë aspekt po ‘dështojmë’ prej kohësh. Akoma mbahemi me projektet TAP dhe HEC-et mbi lumin Devoll, që nga 2,1 miliardë euro që ishte investimi total, s’kanë mbetur as 300 milionë pa u realizuar. Tani që këto investime po hyjnë në fazën finalizueseː HEC-i i Banjës po vihet në funksion dhe 99% e rrjetit të gazsjellësit është shtruar; duhen kërkuar (duhet të ishte lobuar, negociuar me kohë me investitorë potencial) që mos mbetemi ‘zbuluar’ që nga fillim viti tjetër.

Së dyti, ekspertët e FMN-së e shohin shumë problematik sistemin fiskal. Konsolidimi fiskal i projektuar në programin afatmesëm buxhetor trevjeçar (deri në vitin 2021) duket se ka ‘ngecur’, duke sjellë probleme në gjithë sektorët e ekonomisë. Ultimatumi që japin është të fillojë shlyerja e detyrimeve të krijuara më parë, pa pritur të realizohet plani i të ardhurave dhe mos krijohen më stoqe detyrimesh të reja. Ndërkohë që qeveria thotë se detyrimet janë 6,1 miliardë lek, kalkulimet e ekspertëve të Fondit e nxjerrin vlerën 20,5 miliardë, ku kanë përfshirë 14,4 miliardë lek TVSH të parimbursuar ende. Qeveria e justifikon mospërfshirjen e detyrimeve ndaj biznesit për TVSH me justifikimin se këto shpenzime janë në trajtim.

E në një situatë të tillë ku ‘balanca’ fiskale është në rrezik dhe shpenzimet janë të pamundura të preken (ulen), alternativa e vetme që mbetet për korrigjimin fiskal është rritja e të ardhurave. Teorikisht mund të thuhet se përmirësimi në krahun e të ardhurave bëhet duke luftuar informalitetin. Gjatë gjithë këtyre viteve pluralizëm nuk ka pasur qeveri shqiptare që s’ka premtuar formalizimin e ekonomisë, por që planet dhe idetë kanë mbetur në shkresat ose deklaratat mediatike të kohës pasi akoma skenari më pozitiv e nxjerrë vlerën e informalitetit në shifrat 26% (kurse perceptimi është që i tejkalon 50%). Ndaj e vetmja rrugë është rritja e ndonjë takse ose tarife, gjë që është aplikuar shpesh në historikun tonë ekonomik të këtyre 20 e kusur viteve.

Si pjesë e këtij kapitulli këshillohet edhe anulimi i masave që e fragmentojnë dhe dobësojnë bazën tatimore. Përjashtimet e zvogëlojnë bazën tatimore dhe krijojnë të çara në sistemin fiskal, duke minuar gjenerimin e të ardhurave të nevojshme që kërkon ekonomia. Dhe për më tepër këto shpesh bëhen burim konkurrence të pandershme dhe mbjellin deformime të strukturës ekonomike duke kanalizuar investimet në sektorë që mund të mos jenë detyrimisht edhe më eficientët. Me rregullat e lojës të ndryshuara për të favorizuar një grup të vogël njerëzish (të ashtuquajturit ‘oligarkë’) gërryhen të ardhurat tatimore dhe nxitet pabarazia sociale.

Së fundmi, dy rekomandime të tjera janë anulimi i PPP-ve dhe Korporatës së Investimeve. Kontratat e PPP-ve u provua publikisht se kanë jo vetëm rreziqe të detyrimeve financiare, të cilat do të prodhojnë situata të paparashikueshme dhe të pafavorshme për borxhin publik, por janë dhe të dyshuara si afera korruptive dhe jashtë mekanizmave të transparencës dhe kontrollit të prokurimeve. Deri më sot koncesionet me PPP i kanë tejkaluar 1,2 miliardë $ dhe pritet që deri në fund të arrijnë 1,6 miliardë (mbi 15% të GDP-së). Autoritet nuk kanë të ndalur ‘vrullin’ e miratimit të tyre pavarësisht se FMN-ja ka kohë që ka ndezur ‘alarmin’ dhe qeveria ka deklaruar vullnetin për t’i ndërprerë së paku për një periudhë kohore të caktuar.

Ndërsa, krijimi i Korporatës së Investimeve do të thotë ‘de facto’ një bankë shtetërore zhvillimi, e cila duke përdorur si kolateral pronat publike (kryesisht bregdetin), do të ketë autoritet të marrë kredi nga bankat e huaja dhe t’i përdorë për zhvillimin e zonës bregdetare apo dhe të terreneve për qëllime industriale. Kjo është një skemë akoma e paqartë: supozojmë se Korporata merr një kredi në banka ndërkombëtare, për çfarë do ta përdorë atë? Si do të përzgjidhen projektet që do të financohen? Kush do ta ketë pronësinë në përfundim të një investimi?  Çfarë ndodh nëse investimi falimenton? Çfarë ndodh me pronat e vendosura kolateral, në rast se kreditë e marra nga Korporata dështojnë? Nëse vlera e kolateralit të vendosur për marrjen e kredive sekuritizohet, pra shndërrohet në letra me vlerë – ose kontratat derivative, a nuk do të krijoheshin po aq rreziqe sa u krijuan dhe në tregun financiar botëror gjatë krizës së vitit 2007?

Ndaj edhe kësaj radhe Misioni erdhi dhe iku si ngaherë, shfaqi shqetësime objektive, përcolli rekomandime e ngriti pikëpyetje të mëdha mbi të ardhmen e ekonomisë. Fundja detyra e tij kjo është, analizimi dhe ekzaminimi gjakftohtë i situatës faktike dhe përpilimi i raporteve ‘quazi’ diplomatike. Nuk pret njeri, që ekspertët e Fondit të përdorin ‘vokabolarin’ e opozitës, pasi si çdo nëpunës i institucioneve ndërkombëtare edhe ata e kanë në ‘job description’  përdorimin e një ‘gjuhë të drunjtë’. Është fabula klasike e ‘kulaçit dhe kërbaçit’ (stick and carrot). Të urojmë që mos tu soset shpejt durimi me ‘kalamanlliqet’ tona, pasi po filloi përdorimi i ‘kërbaçit’ jo vetëm që qeveria s’do të gjej ‘vrimë’ ku të fshihet, por edhe ne ‘plebenjtë’ na pret një ‘dimër’ i gjatë dhe i vështirë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.