KULTURË

SKËNDER GJINUSHI/ “Fyeu gazetaren, të shkarkohet kreu i Akademisë”

18:00 - 26.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Gazetarja: Kur e morët vendimin për të kandiduar si kryetar i Akademisë së Shkencave, para reformës apo pas reformës?
Gjinushi: Bashkë me lindjen tënde.
Gazetarja: Me lindjen time s’ka mundësi, atëherë keni qenë kryetar partie.
Gjinushi: Epo mirë dakord.
Gazetarja: Kur e morët vendimin për të kandiduar si kryetar i Akademisë së Shkencave, para reformës apo pas reformës?
Gjinushi: Je shumë e eksituar…shko mjekohu.
Gazetarja: Kujdes me gjuhën zotëri…i paedukatë. Shko mjekohu ti se je dhe kryetar i Akademisë së Shkencave.
Gjinushi: Mos bëj pyetje që s’kanë përgjigje.
Gazetarët: Si nuk kanë përgjigje?
Ka qenë ky komunikimi i parë me median pak minuta pasi Skënder Gjinushi u zgjodh kryetar i Akademisë së Shkencave. Në vend që t’ju përgjigjej pyetjeve më normale të një të sapozgjedhuri pa pasur kundërshtar përballë, ndonëse i paprovokuar ai ka zgjedhur të ofendojë gazetaren. Gjinushi e nis me fyerje e me arrogancë detyrën e re, duke e fundosur Akademinë e Shkencave që me të në krye dhe me reagimin e tij përballë mediave, nuk ka më imazhin e një akademie, shkencash jo e jo. Ndërsa kish kërkuar mospërbaltjen e ASH-së ai e nisi detyrën duke përbaltur gazetarët që kishin ndjekur zgjedhjet farsë në një akademi që po bën kinse reformohet, por që nuk ia del të dalë në lartësinë e emrit që mban, për aq kohë sa drejtuesi me ligjërimin e tij publik i ngjan më shumë personazheve të frikshëm të filmave të dorës së dytë se sa një shkencëtari që pritet dhe deklamon se do të drejtoje e të ngrejë institucionet shkencore të vendit. Përmes një deklarate në profilin e tij në ‘Facebook’, akademiku Artan Fuga tha se refuzon ta pranojë puçin institucional, krimin elektoral, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe nuk e njeh rezultatin e farsës zgjedhore të 24 majit 2019, si edhe kryesinë e kryetarin e dalë që andej! “Sot është një ditë e zezë për shkencën dhe arsimin në Shqipëri. Nëpërmjet një puci institucional të denoncuar vazhdimisht nga unë dhe nga forca të tjera intelektuale progresiste, Akademia e Shkencave e nxjerr veten jashtë kuadrit ligjor në fuqi dhe inkriminohet institucionalisht! Sikurse e kam paraqitur tashmë para opinionit publik dhe autoriteteve të heshtura të shtetit, këtë qëndrim e kam mbështetur në dhjetëra prova e fakte”.




KËRKESA E GAZETARËVE
Një peticion online po firmoset me qëllim që Akademia e Shkencave të kërkojë falje publikisht për sjelljen e Gjinushit.
Ndërsa gazetarja Anila Dedaj shprehej arsyetonte dje se pse duhet që Akademia të bëjë një kthesë.
“Kushdo që baltos akademikun, kushdo që baltos Akademinë e Shkencave do të thotë që nuk ka respekt as për kërkuesin shkencor, as për institucionet kërkimore”, u shpreh ditën e djeshme i sapoemëruari si kryetari i Akademisë së Shkencave, akademiku Skënder Gjinushi. Do të ishte kjo fjala përmbyllëse e deklaratës së tij për mediet, nëse pak çaste më vonë, në t’u larguar, nuk do të ishte drejtuar me fjalë fyese një prej gazetareve të kulturës. Arsyeja?! Nuk ka asnjë motiv, që të legjitimojë, sjelljen joprofesionale të akademikut, që sapo kishte përfunduar fjalën për betejën e Akademisë për reformën shkencore, që përfshin ndër të tjera etikën në kërkim shkencor, ashtu si edhe në sjellje. Ndërsa gazetarët ishin duke bërë detyrën e tyre, vëren Dedaj, duke pyetur rreth legjitimitetit të këtyre zgjedhjeve, ku 4 kandidatët nuk patën përballë asnjë konkurrent, si dhe mbi debatin nëse e drejta e votës kishte limit moshe. Përse pyetja se “kur lindi ideja për të kandiduar, para apo gjatë reformës” e nervozoi kaq shumë akademikun?
Akademia e Shkencave, për sjelljen e pahijshme të kreut të saj ende të padekretuar lipset minimalisht, që në një situatë të tillë të kërkojë publikisht falje. Dje, ditën e shtunë, një ditë pasi u zgjodh në krye të Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi ka takuar kryeministrin Edi Rama në një kafe në kryeqytet. Fotoja e tyre është publikuar dhe ka bërë xhiron e rrjetit. Gjinushi, ish-ministër i Arsimit u zgjodh dje në krye të Akademisë së Shkencave me 35 vota pro dhe 6 kundër.
Kujtojmë që për kandidimin e tij për kryetar të Akademisë së Shkencave, ka pasur shumë debate dhe akuza. Ai është parë si një i zgjedhur nga Rama, i cili një vit më parë kundërshtoi kandidimin e një kandidati të vetëm. Tri ditë më parë, Fatjona Dhimitri, kryetare e komisionit të medias, i bëri thirrje të tërhiqej nga gara pasi sipas saj, zgjedhjet në Akademinë e Shkencave janë të jashtëligjshme. Ajo u bëri thirrje akademikëve që t’i bojkotojnë zgjedhjet, çka nuk ndodhi. Nga rreth 44 akademikë që kishin të drejtë vote, 43 prej tyre morën pjesë në zgjedhje. 32 prej tyre ishin të pranishëm edhe fizikisht, ndërsa 11 akademikë, ku mes tyre Ismail Kadare, Marenglen Verli, Jani Thomai apo Anastas Angjeli votuan me postë. Komisioni që numëroi votat u kryesua nga Shaban Sinani.
REAGIMI I VOKSHIT
Ish-deputetja e Partisë Demokratike Albano Vokshi ka kërkuar dje shkarkimin e kreut të sapozgjedhur të Akademisë së Shkencave. Kërkesa vjen pas përdorimit prej tij të një fjalori fyes pas një pyetjeje nga një gazetare. Postimi i plotë:
TË SHKARKOHET SKËNDER GJINUSHI PËR AKTIN E TURPSHËM NDAJ GAZETARES MEMA!
Gazetarja Enkelejda Mema, u intimidua, u fye dhe u ngacmua seksualisht nga Skënder Gjinushi, gjatë një transmetimi live, pak minuta pas zgjedhjes Kryetar i Akademisë së Shkencave, me votë të urdhëruar direkt nga Kryeministri Edi Rama.
E turpshme, e papranueshme, e dënueshme sjellja intimiduese dhe fyese e ish- ministrit të diktaturës Skënder Gjinushi, ndaj gazetares me shumë përvojë Enkeleda Mema.
Në një vend normal, demokratik, Skënder Gjinushi sot, nuk do ishte lejuar të hynte në Akademi. Ministër i diktaturës, me fjalor dhe akte perverse si sistemi diktatorial që i prodhoi, nuk mund e nuk duhet të jetë as anëtar, e jo më të drejtojë Institucionin më të lartë shkencor në Shqipëri.
I bëj thirrje të gjithë mediave kombëtare e lokale të denoncojnë aktet e turpshme të fyerjes dhe dhunës verbale e psikologjike ndaj gazetares Mema dhe të gjithë gazetarëve në detyre.
Sjell në vëmendje të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare, OSBE, Delegacionit të Bashkimit Europian, Këshillit të Europës, Amnisty International, Reporterëve pa Kufij që raste të tilla ngacmimi seksual janë të dënueshme e të papranueshme.
Sot është dita që organizatat për mbrojtjen e grave nga dhuna dhe shoqatat e gazetarëve të mos heshtin, por të protestojnë në mbrojtje të koleges gazetare e në emër të respektit e dinjitetit të detyrës së gazetarit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.