SHËNDET

Memishaj: Dëmtimet në valvulën e aortës, mënyrat e trajtimit

16:20 - 27.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Rrahjet e shpeshta të zemrës, dhimbjet në gjoks apo vështirësia në frymëmarrje mund të jenë sinjalizues i dëmtimit të valvulës së aortës. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjeku kardiokirurg Sabjan Memishaj shpjegon shkaqet kryesore të insuficiecës së valvulës së aortës, e njohur ndryshe edhe si regurgitimi aortal. Më tej, ai thekson se nëse nuk trajtohet në kohë, kjo sëmundje shkakton zmadhim të zemrës dhe probleme serioze me shëndetin. Sipas të dhënave, meshkujt preken më shumë nga kjo sëmundje sesa femrat dhe mënyrat e trajtimit të saj variojnë nga shkalla e përmarimit të kthimit të gjakut në zemër.




Çfarë është insuficienca e valvulës së aortës dhe cilat janë kategoritë më të riskuara për t’u prekur nga kjo sëmundje?
Insuficienca e valvulës së aortës (AVI) është gjithashtu e njohur si regurgitimi aortal. Kjo gjendje zhvillohet kur valvula e aortës dëmtohet dhe nuk mbyllet siç duhet. Ky dëmtim ndodh më shpesh tek meshkujt se tek femrat. Valvula e aortës është valvula e fundit nëpër të cilën kalon gjaku kur del nga zemra. Kur valvula nuk mbyllet plotësisht, një pjesë e gjakut kthehet prapa në drejtim të zemrës dhe jo në drejtim të trupit. Kjo do të thotë që gjaku nuk zbrazet plotësisht nga ventrikuli i majtë përpara se të vijë ngarkesa e radhës me gjak nga atrium i majtë.

Çfarë ndodh me zemrën në momentin që valvula nuk mbyllet plotësisht?
Si rrjedhojë, ventrikuli i majtë duhet të zgjerohet në mënyrë që të ketë vend si për gjakun e mbetur, ashtu edhe për atë që vjen. Muskuli i zemrës po ashtu duhet të sforcohet në mënyrë që të pompojë gjakun jashtë zemre. Puna shtesë e shtyp muskulin e zemrës dhe ngre presionin e gjakut në zemër. Pavarësisht gjithë përpjekjes, zemra nuk mundet të pompojë sasinë e mjaftueshme të gjakut që duhet për ta pajisur trupin me oksigjenin e nevojshëm. Kjo gjendje shkakton lodhje tek pacienti. Me kalimin e kohës, kjo gjendje shkakton zmadhim të zemrës dhe probleme serioze me shëndetin tuaj.

Cilat janë simptomat e insuficiencës së valvulës së aortës?
Insuficienca e aortës mund të mos shkaktojë ankesa për një periudhe kohe të gjatë. Kur sëmundja përparon, atëherë shfaqen dhe shenjat si: dhimbje gjoksi që shtohet me sforcimet fizike dhe zhduket në qetësi, lodhje, rrahje të shpeshta të zemrës, marrje fryme, vështirësi në frymëmarrje kur shtrihesh, dobësi, gjendje të fikti, ënjtje të këmbëve.

Çfarë e shkakton këtë sëmundje?
Në të shkuarën ethja reumatizmale ishte shkaku kryesor i dëmtimit të valvulave të zemrës. Sot njihen shumë shkaqe të kësaj sëmundje si: defektet e lindura të zemrës, infeksioni i indeve të zemrës, sindroma Marfan e cila ndikon në cilësinë e indit lidhor që ndërton organet, sifilizi, lupusi, zgjerimi i aortës ngjitëse, spondiliti ankilozant e cila është një sëmundje inflamatore e ngjashme me artritin.

Si përcaktohet diagnoza e insuficiencës së aortës?
Testet diagnostike përfshijnë kontrollin tek mjeku specialist, i cili shikon historinë e sëmundjes, prezencën e kësaj sëmundjeje te të afërmit e familjes, prezencën e zhurmës diastolike me stetoskop, pulsimin e arterieve të qafës, pulsime të fuqishme të zemrës. Gjithashtu pacienti duhet të kryejë edhe grafinë e mushkërive, pasi kështu verifikohet nëse është zmadhuar zemra apo jo. Diagnostikime të tjera përfshijnë: elektrokardiograma (EKG) (vihet re zmadhimi i zemrës dhe çrregullimet e ritmit, eko e zemrës nëpërmjet së cilës vihet re trashje e mureve dhe zmadhim i zemrës, shihet nëse aorta ngjitëse është e zmadhuar apo jo e vlerësohet në mënyrë sasiore dhe cilësore funksioni i valvulës së aortës. Ndërsa kateterizimi i zemrës nënkupton vlerësimin e presionit në dhomat e zemrës dhe koronarografia për të parë nëse i sëmuri ka apo jo sëmundje shoqëruese të arterieve koronare.

Si trajtohet kjo sëmundje?
Nëse kthesa e gjakut është e lehtë, atëherë doktori do t’ju sugjerojë kontrolle të shpeshta tek mjeku duke monitoruar me kujdes përparimin e sëmundjes. Kjo gjë kryhet me ndihmën e ekos së zemrës. Humbja e peshës, ushtrimet e lehta fizike dhe dieta e shëndetshme mund të zvogëlojnë presionin e gjakut dhe të ngadalësojnë përparimin e sëmundjes. Nëse kthimi i gjakut është i përparuar, ju mund të keni nevojë për ndërhyrje kirurgjikale në valvulën e aortës. Ajo mund të riparohet apo të zëvendësohet. Gjatë zëvendësimit të valvulës së aortës kirurgu mund të përdorë valvul mekanike ose valvul biologjike nga derri, lopa apo nga njeriu (cadaver/kufome). Të dyja teknikat bëhen me kirurgji me zemër të hapur. Ndonjëherë kirurgjia mund të bëhet me ndihmën e katetereve që vendosen në zemër. Kjo teknikë përdoret në raste specifike kur kirurgjia normale ka rrezik të lartë.

Cili është kujdesi që duhet të tregojnë pacientët pas operimit?
Kur valvula riparohet, pacienti bën jetë krejtësisht normale, por ka nevojë të përkujdeset për parandalimin dhe mjekimin e ndonjë infeksioni në organizëm. Në rastet kur valvula zëvendësohet me valvulë mekanike, duhen pasur kujdes dy probleme të rëndësishme. I pari është kujdesi për infeksionin. Në çdo rast të ndonjë infeksioni në trup apo të shfaqjes së temperaturës, duhet të paraqiteni tek mjeku dhe të merrni terapinë e duhur me antibiotikë. E dyta është përdorimi gjatë gjithë jetës i një holluesi të gjakut, i cili pengon mpiksjen e gjakut në valvulën mekanike që ndodhet në organizëm. Në rastin e zëvendësimit me valvul biologjike duhet pasur parasysh që këto valvula pas një kohe të caktuar dëmtohen dhe duhet përsëri të operoheni për t’i zëvendësuar ato. Gjithashtu, meqenëse këto janë inde të huaja në organizëm, ekziston edhe rreziku i infeksionit të tyre. Pra, duhet një kujdes i veçantë për infeksionin edhe në këto raste. Problemet me dhëmbët, infeksioni urinar dhe infeksionet e fytit janë rrugët kryesore të infeksionit nga të cilat duhet pasur kujdes.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.