BOTA

Kreu i Komitetit të Jashtëm të NCRI: Irani përdor taktika mashtruese për të neutralizuar politikën e rreptë të arabëve

10:12 - 01.06.19 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në një intervistë me uebsitin Elaph të Londrës, Mohammad Mohaddesin, Kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të koalicionit të opozitës iraniane Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI), ka diskutuar situatën në Iran ku sundon regjimi teokratik i mullahëve.




“Pas shtrëngimit të litarit të sanksioneve rreth qafës së regjimit klerikal që sundon Iranin, dhe përfundimit të epokës së paqësimit nga Perëndimi, regjimi klerikal në Iran i është drejtuar edhe një herë politikës së mashtrimit,” thotë Mohaddesin.

Lideri suprem i mullahëve Ali Khamenei dhe presidenti i tij Hassan Rouhani do të dërgojnë [Mohammad-Javad] Zarif, Ministrin e Jashtëm të mullahëve, dhe zëvendësin e tij, Abbas Araghchi, si dhe të tjerë në Japoni, Pakistan, Irak, Kuvait, Katar, Oman e në pjesë të tjera të botës me premtime fallco në mënyrë që të neutralizojnë efektet e sanksioneve dhe të politikës së rreptë kundër regjimit. Ata kërkojnë gjithashtu t’i reduktojnë presionet dërrmuese ekonomike dhe politike të cilat e kanë bërë regjimin të pafuqishëm.

Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të NCRI-së diskutoi rreth konferencave të vendeve arabe më 30 maj në Mekë.

“Konferenca Arabe në qytetin e shenjtë të Mekës të enjten i ka futur panikun regjimit të mullahëve, duke e shtyrë kështu që t’i drejtohet kësaj taktike mashtruese. Regjimi ka për qëllim të parandalojë ndërmarrjen e një politike të rreptë nga vendet arabe kundër tij,” shpjegoi ai.

Buza e humnerës

Mohaddesin vuri në dukje tre faktorë që e kanë shtyrë regjimin në buzë të vdekjes.

Sanksionet

“Faktori i parë është se sanksionet kanë nisur të kenë efekt. Fakti që SHBA u ka dhënë fund lehtësimeve të sanksioneve për importet e naftës iraniane ia ka zënë frymën regjimit iranian. Më 25 maj, Rouhani tha, ‘Është i paprecedent në historinë e Iranit fakti që një anije iraniane mallrash nuk ka mundur të hyjë në asnjë port për t’u shkarkuar. Është gjithashtu i parprecedent gjatë 40 viteve të fundit fakti që Departamenti amerikan i Shtetit vazhdon të kontaktojë me një shtet të vogël për ta këshilluar që të mos pranojë anije iraniane. Ka qenë gjithashtu e paprecedent gjatë 40 viteve të ekzistencës së Republikës Islamike që një anije-cisternë iraniane me naftë që përpiqet të shpërndajë ngarkesën e saj të gjurmohet vazhdimisht nga satelitët,’” shtoi Kryetari i Komitetit të Jashtëm të NCRI-së.

Sfidohet ndikimi i Teheranit

Prania e forcave ushtarake amerikane në rajon konsiderohet faktori i dytë i efektshëm në krijimin e situatës kritike aktuale për regjimin e mullahëve, sipas z. Mohaddesin. Ky faktor i ka tmerruar mullahët, të cilët e kuptojnë tashmë që politikat e tyre të ndërhyrjes e luftënxitjes në Lindjen e Mesme nuk do të shpëtojnë pa përgjigje.

“Gjatë tre dekadave të fundit, që nga kriza e Kuvaitit në 1990-ën, regjimi iranian nuk ka paguar asnjë çmim për ndërhyrjet e tij në vendet e rajonit dhe fitimtari kryesor i tre luftërave në vitet 1991, 2001 dhe 2003 në Lindjen e Mesme ka qenë regjimi iranian. Në vijim të pushtimit të Irakut në vitin 2003, SHBA ia hapi dyert e Irakut regjimit iranian dhe mullahët e Iranit në fakt e pushtuan Irakun pa paguar asnjë çmim për këtë. Duke nisur nga kjo pikë, regjimi teokratik i Iranit e gjeti rrugën për në Siri e përtej saj. Por tani, epoka e qylit dhe parazitizmit ka marrë fund dhe frikërat e regjimit po përshkallëzohen,” shtoi ai.

Opozita iraniane

Si faktori i tretë që e ka shtyrë regjimin në buzë të vdekjes, z. Mohaddesin tha se ka qenë shumë e rëndësishme prania aktive e grupit opozitar iranian Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEK) dhe NCRI, brenda dhe jashtë Iranit. Për më tepër, rritja e ndikimit dhe veprimtarive të Njësive të Rezistencës të PMOI/MEK në mbarë vendin, si dhe njerëzit që i kanë mirëpritur e mbështetur këto veprimtari, e kanë realizuar perspektivën e rrëzimit të regjimit. Arrestimet e shumta, dënimet me vdekje për një numër të burgosurish politikë dhe frikësimet nuk kanë mundur t’i shuajnë protestat e kryengritjet popullore gjithnjë në rritje në vend.

Konferencat arabe

Sipas kryetarit të komitetit të punëve të jashtme të NCRI-së, pozicioni i rreptë dhe radikal që Konferenca e Mekës ndërmori kundër regjimit të teokratëve në Iran ishte një përgjigje e rreptë ndaj manovrave qesharake të regjimit. Kështu që nuk duhet ta lejojmë regjimin të fitojë kohë për vete me anë të këtyre manovrave absurde e t’ia zgjasë jetën vetes nga shtyrja e përmbysjes së pashmangshme, si dhe të gjejë më shumë kohë për zgjerimin e politikave luftënxitëse dhe eksportin e terrorizmit tek vendet e rajonit.

Masat e rrepta

Mohaddesin përsëriti se, në vijim të etiketimit të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) si “Organizatë e Huaj Terroriste” (FTO) nga Departamenti amerikan i Shtetit, tani është e nevojshme të merren një sërë masash plotësuese.

  • Njohja e së drejtës së popullit iranian dhe Rezistencës së tij për ta përmbysur fashizmin klerikal që sundon Iranin në mënyrë që të fitojnë lirinë dhe demokracinë në vend.
  • Etiketimi i Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS) së regjimit, si dhe i entiteteve të tjera represive të regjimit të mullahëve, në listën e organizatave të huaja terroriste.
  • Dëbimi i agjentëve iranianë të MOIS dhe Forcës Quds të IRGC-së nga vendet amerikane dhe europiane.
  • Këputja e të gjitha lidhjeve me regjimin në Teheran
  • Referimi i dosjes së shkeljeve të të drejtave njerëzore nga regjimi si dhe të rastit të masakrimit të dhjetëra mijëra të burgosurve politikë në 1988-ën tek Këshilli i Sigurisë i OKB-së, dhe referimi i autorëve të këtyre krimeve të urryera – disa prej të cilëve mbajnë ende pozicione të larta në sistemin sundues të Iranit – tek Gjykata Penale Ndërkombëtare.
  • Nisja e një misioni të pavarur ndërkombëtar për gjetjen e fakteve, për të vizituar burgjet në Iran në mënyrë që të vlerësohet situata e tmerrshme e të burgosurve politikë dhe të konfrontohen politikat mizore e anti-njerëzore të mullahëve.

Z. Mohaddesin theksoi rëndësinë e përjashtimit të regjimit jo-legjitim të mullahëve nga OKB, si dhe të proksive të Iranit nga Siria, Iraku, Jemeni dhe Afganistani.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.