Kryesore

Negociatat, Zaev: Nuk mund të penalizohemi nga Shqipëria.  Shtyrja e vendimit do të sjell destabilitet…

10:05 - 06.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Maqedonia e Veriut pret që në këshillin ministror të BE-së në muajin qershor të vendoset një datë për fillimin e negociatave, me ose pa Shqipërinë, ndërsa çfarëdo shtyrje e këtij vendimi do të sjell destabilitet politik.




Kështu u shpreh kryeministri Zoran Zaev, pas vizitës dyditore në Bruksel. Zaev së bashku me delegacionin qeveritar dy ditët e fundit realizoi takim me kryetarin e Komisionit Evropian, Jean Claude Junker, eurokomisionerin për zgjerim, Johanes Han dhe shefen e diplomacisë evropiane, Federika Mogerini.

“Kryesimi rumun e ka lënë këtë çështje në agjendën e Këshillit të punëve të përgjithshme në qershor për debat të parë, qëllimi i Komisionit Evropian është që të bëjë gjithçka për të pasur vendim definitiv përfundimtar në verë”, deklaroi Junker të hënën.

Burime qeveritare për MEDIAL-n thonë se kanë marrë mesazhe inkurajuese nga shefi i Komisionit Evropian gjatë takimit se mund të pritet që Maqedonia e Veriut ta marrë datën për fillimin e negociatave me BE-në gjatë korrikut.

Pala maqedonase druan se për shkak të nivelit më të dobët të gatishmërisë së Shqipërisë dhe rezervave të vendeve anëtare, Maqedonia e Veriut do të mund të bëhet peng i qasjes grupore të Komisionit Evropian dhe të mos marrë datë këtë verë.

Midis opsioneve që po shqyrtohen, është edhe shtyrja e mundshme e vendimit për dy vendet në muajin tetor.

Kryeministri Zaev dje i paralajmëroi vendet anëtare dhe institucionet e BE-së se një skenar i tillë do të thotë destabilitet në vend, ndërsa nuk përjashtohen as zgjedhje të parakohshme të cilat do t’i përforconin forcat nacionalistie dhe populiste në Maqedoninë e Veriut.

Zaev shtoi se Maqedonia ka bërë gjithçka që është kërkuar nga ajo dhe se mos dorëzimi nga ana e Bashkimit Evropian në afat sa më të shpejtë të mundshëm e le në rrezik kredibilitetin e Unionit të Ballkanit.

Sipas kryeministrit në këtë moment frenuesi më i madh është parlamenti gjerman, i cili druan nga kërcënime nga pala shqiptare në rast që të mos merret vendimi në BE për dy vendet bashkë.

Për secilin vendim që i përket zgjerimit të BE-së, Bundestagu është i detyruar të japë dritë paraprake të gjelbër. Afati i ardhshëm për aprovimin e vendimit nga ana e Berlinit është 28 qershori, pas së cilës ministrat e BE-së do të mund të caktojnë datë në gjysmën e dytë të korrikut, kur sërish do të takohen në Bruksel.

“Bundestagu duhet të dërgojë mesazh, nëse nuk marrin vendim në seancën këtë javë, me siguri kanë shanse për atë deri në fund të qershorit, nëse nuk e realizojnë këtë, atëherë mbetet për Këshillin e BE-së në tetor, që do të thotë se Bundestagu do të votonte në shtator. Edhe atëherë ka rrezik që ta humbin shumicën në Kuvend, për shkak se me të vërtetë kemi dhënë gjithçka”, tha kryeministri Zaev.

Skenaret për mbledhjet e ardhshme ministrore të BE-së, tha Zaev janë hapja e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në rastin më të mirë, mos’hapja e bisedimeve me asnjërën nga këto vende, që është varianti më i keq, apo hapja e bisedimeve me Maqedoninë dhe anulimi vendimit për Shqipërinë për më vonë.

Kryeministri theksoi se Holanda dhe Franca kanë rezerva më të mëdha ndaj hapjes së bisedimeve me Shqipërinë, por edhe se gjermanët druajnë nga kërcënime nga pala shqiptare se kjo do të sillte deri në destabilitet në rajon, sidomos në Kosovë.

“Ata mendojnë se nëse hapin bisedime me Maqedoninë e Veriut, do të krijohet problem nëse lihet Shqipëria dhe se kjo mund të ndikojë mbi Kosovën, ata druajnë nga kërcënime nga miku Edi Rama, për ndryshime të mundshme të kufijve apo bashkim me Kosovën, por unë nuk besoj në gjëra të këtilla, sepse kjo do të thotë kthim prapa për së paku dhjetë vite për Shqipërinë nëse bëjnë një gjë të tillë, nuk do askush që të bëjë një gjë të  tillë”, u shpreh kryeministri i Maqedonisë para mediave të huaja.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.