KULTURË

Persida Asllani: Rruga më e sigurt drejt njohjes është ajo letërsisë

18:30 - 07.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në bashkëpunim me Entin e Teksteve dhe Mjeteve Mësimore të Malit të Zi, zhvilloi ditën e enjten, më datë 6 qershor, takimin me temë “Botimet shqipe në Malin e Zi”, me praninë e të ftuarit të nderit, akademikut dhe poetit Pavle Goranoviq; ambasadorit të Republikës së Malit të Zi në Tiranë, Dusan Mrdoviç, si dhe pjesëmarrjen e studiuesve, poetë, studentë etj. I organizuar në formën e një forumi, drejtuar nga prof. dr. Persida Asllani, drejtore e BKSH-së, poeti dhe bibliografi dr. Gazmend Krasniqi, përkthyesi Dimitrov Popoviq si dhe studiuesja Liridona Sinishtaj, ky aktivitet erdhi për një temë të rëndësishme të kulturës e letërsisë shqipe, atë të botimeve shqipe në Malin e Zi. Në fjalën e saj përshëndetëse, drejtoresha e BKSH-së, Persida Asllani u shpreh se “ne jemi dy vende në fqinjësi shumë të gjatë, të shtresëzuara në linja dhe në periudha nga më të hershmet, dhe gjithnjë kemi mbetur peng i nevojës për të njohur më mirë dhe për të kuptuar dhe pranuar më mirë njëri-tjetrin. Rruga më e sigurt dhe më cilësore është edhe ajo e artit, veçanërisht e letërsisë. Zërat dhe pena e poetëve dhe shkrimtarëve tanë, qasja që i bëjnë thellësisë njerëzore dhe identitetit tonë kombëtar, por edhe privat, janë ato që na bashkojnë, por edhe na pasurojnë”. Duke theksuar rëndësinë e botimeve shqipe në Malin e Zi, drejtoresha e BKSH-së, Asllani shtoi se, “fokusi i parë ka qenë autorët shqiptarë të Malit të Zi, mënyra se si ata zhvillojnë letërsinë e tyre në raport me letërsinë shqipe, por mbi të gjitha në raport me kulturën dhe jetën e librit në Malin e Zi. Vlen të theksojmë se botimet shqipe në Mal të Zi prej shumë vitesh, po realizohen përmes një programi ambicioz, në kuadër të njohjes së letërsisë shqipe dhe autorëve shqiptar”.




Ndërkohë, ambasadori i Malit të Zi në Tiranë, Dusan Mrdovic, duke falënderuar për organizimin e këtij aktivitetit u shpreh se, “është shumë e rëndësishme njohja e punës që bëhet në fushën e botimeve në gjuhën shqipe. Në dekadat e fundit është arritur të përkthehen në gjuhën shqipe të gjithë tekstet shkollore për shkollat fillore dhe të mesme. Një qasje e rëndësishme është ruajtja dhe kultivimi i traditave, historisë dhe kulturës së tyre, në një kontekst të fqinjësisë së mirë, si një urë e fortë lidhëse”.
Në vijim të forumit, dr. Gazmend Krasniqi duke vlerësuar krijimtarinë e poetit malazez, Pavle Goranoviq, si dhe vëllimin poetik “Stinët e humbura” (Onufri, 2013), sjellë në gjuhën shqipe nga përkthyesi dhe poeti Dimitrov Popoviq, theksoi se “si te çdo poet post-modern, poetika e kësaj krijimtarie nuk priret nga ngjarjet apo sendet e shenjtëruara, siç jemi mësuar me poezinë e traditës, por me aspektet më të pavëna re të përditshmërisë, që vjen e behtë dhe e papritur, edhe pse jo bërtitëse”. Një poezi e emancipuar dhe emancipuese, që ndërton një raport besueshmërie me lexuesin, na flet për një prani – gjithmonë e ngarkuar me kujtesë – diku pranë derës, në pritje të daljes, sigurisht në mënyrën më të fisnikëruar. Edhe pse e ardhur në mënyrën më të nëndheshme, kjo ide synon lexuesin që do t’i ngulet në kujtesë. Siç e kërkon poezia e mirë, pas leximesh të përsëritura. E cila, fundi i fundit, është vetë sfida e letërsisë së mirë”.
Ndërsa, studiuesja Liridona Sinishtaj, në ligjëratën e saj u ndal në zhvillimin e letërsisë shqipe në Mal të Zi, parë nën ndikime historike, gjeografike dhe kulturore. Forumi u shoqërua edhe me një ekspozitë me botime nga fondi arkivor i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, e cila pasqyroi një pjesë të botimeve të autorëve shqiptarë të Malit të Zi si dhe botime në gjuhën shqipe të autorëve malazezë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.