Homo Albanicus

Pse nuk e pati të vështirë Konica përcaktimin e shqiptarit?!

18:54 - 07.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Faik Konicës i drejtohemi shpesh kur kemi nevojë të shpëtojmë nga ngatërresat që sjell jeta jonë e përditshme. Pasi humbasim në arsyetime të stërholluara, e sjellim në kujtesë përvoja, kurse në kohët e reja qëmtojmë dhe ndodhi interneti sërish mbetemi: pse shqiptarët nuk mundin dot të bëjnë si duhet shtetin e tyre. Kur kujton edhe ndodhitë e Konicës dhe mëdyshjet e tij sërish mbesim, por përpiqemi dhe shpikim, humbim, ngatërrohemi se diku do ketë pak shpresë.




Përgjigja e parë që të vjen në kohët e Demokracisë është e thjeshtë: Politikanët janë fajtorë! Ne harrojmë se jemi vetë ata që i zgjedhim, jemi po vetë ata që prodhuam sisteme, ku e keqja precipiton lehtë. A e kemi mbyllur shtetformimin? A ka mundur shqiptari të vendosë si duhet vlerat morale kombëtare? Pse gjithmonë i kthehemi një teme të njëjtë: kush jemi vërtetë ne?! Pse personazhet, me kredenciale të pakta, munden që gjithmonë të shkojnë sipër? Një mal me pse. Po pse vallë e keqja është kaq e zakonshme? Pse ky nivel i frikshëm, që e dëgjon së fundmi në përgjime? 100 vjet më parë e shpjegoi Konica.  “Është një vend në faqe të dheut ku katilin e kanë për njeri të nderuar; hapen që t’i bëjnë udhë kur kalon; e fshehin nga i vetë-thëni gjyq, në iu tektë së vetë-thënës polici të bëjë sikur e kërkon; edhe në daltë ndonjë i çmendur për të marrë anën e kanunit [ligjit], e shajnë edhe e fëlliqin me një zell të çuditshëm. Dhe prandaj ai vend ka fituar një famë shumë të shëmtuar në botë… Për cilin vend po flas, do ta kuptoni menjëherë kur t’ju them që nuk ndodhet në mes të Afrikës, po në Europë. (Vepra 3, f. 169)”.

Është një nga kohët më të dhimbshme të Konicës, por jeta e tij është e mbushur me kundërshti dhe me debate për bashkatdhetarët. Ai vetë është protagonist dhe përbën një homos albanicus intelektual interesant. Asokohe, një pjesë e atyre që ka ardhur nga shkërmoqja e Perandorisë Osmane do t’i mbyllë vitet e fundit në vend. Shqipëria e viteve të para të pas pavarësisë është e mbushur me idealistë, por më shumë pelivanë të tillë, që pas veshjeve të bukura, manierave të salloneve të Orientit e Oksidentit fshehin gjërat më të prura të vulgut. Një pjesë atdhetarësh mbyten prej tyre sepse mundohen të sjellin, të trashëgojnë dhe të apelojnë për atë që shqiptari ka mbartur në shekuj. Por pjesa tjetër i mbyt. Në aktivitete ndërkombëtare shqiptarët përfaqësohen hidhur. Larmia e delegacioneve, ku kërkohet imazhi i Shqipërisë, është edhe larmi idesh kundërthënëse dhe plot intriga, por më shumë retorike boshe. Të gjithë në fund i drejtohen Evropës. Kush mendon se ka aksesin më të afërt, ai mendon se është i zgjedhuri. Përmendin lloj-lloj emrash dhe mjafton një kontakt i vogël të artikulohet si aleancë. Misionarët e huaj do ta tregojnë këtë paradoks, që jeton kudo. Dhe, sërish Konica: “Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t’i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka për të egër e për të humbur… Le të themi pra të vërtetën, gjithnjë të vërtetën,… të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim. (Vepra 3, f. 81)”.

Kur humbasin argumentet,  nëse ka pasur të tilla, atëherë shqiptarët i përvishen tjetrit. Sajohen histori, tregohen përralla, por më së shumti spiunohet dhe nëpërkëmbët: Shqiptari është i pangopur t’i bëjë të keqen tjetrit. Konica bie në pezm: “Një e thënë latine e Kohës së Mesme, e ndryshuar pak: Homo homini lupus – Njeriu për njeriun është ujk. Femina feminae lupior – Gruaja për gruan është më ujke. Albanus Albano lupissimus – Shqiptari për shqiptarin është ujk e shkuar ujkut (Albania, qershor 1902, nr.5)”.

Por edhe në ditët më të zeza këtij vendi nuk i rreshtin idealistët, trimat, jo pak heronjtë. Në masë vetmitarë, ata mbajnë tharmin e një populli që është dashur shumë për ta ndryshuar. Ata, pikërisht, ata pak njerëz që kanë ndaluar gjithçka. E në këtë rast për ta shtuar kaosin vinë dallkaukët. Kush mund t’i harrojë vallë?! Në emër të përfitimit të ngushtë dhe ndryshimit pa substancë ata rendin e rendin. Në gazeta, revista, median e ashpër online tirren argumente të jashtme por asnjëherë nuk shkohet në thelb. Kryeministrat shqiptarë, sidomos ata që erdhën në demokraci, bëhen zëdhënës të tyre dhe mbjellin pasiguri, kurse nuk munden kurrsesi t’i dhurojnë vendit një model zhvillimi social-ekonomik që vendi të prosperojë. Eksperimenti i komunizmit mbetet i frikshëm dhe jo më pak ose gjysmak i monarkisë. Në të gjithë kohërat,  ne merremi me vogëlsira sepse nuk jemi aspak popull filozofik, pasi mendimin e quajmë ende lluks ose më keq zhurmën e quajmë mendim. “Që shqiptarët, në çdo hap të jetës politike dhe sociale, tërhiqen nga hollësirat dhe kurrë nga mendime thelbësore, që shqiptarët kujtojnë se çdo ndryshim është përparim – ja dy fakte që duhet t’i kenë vënë re gjithë vëzhgonjësit e zhvillimeve. (Konica, Vepra 3, f. 335)”.

Dha, fjalia lapidar e Konicës mbetet ajo që i shkon aq mirë vitit 2019, kohës kur politikanët po e varrosin Shqipërinë. “Shtetet, sikurse njerëzit, lindin, rriten dhe vdesin, – dhe ca vdesin që në foshnjëri, nga sëmundjet ose nga aksidentet… Në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere mundet, pa shpifje, të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: U ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastet, u vra nga politikanët… Politikanët kanë zënë t’i vënë kazmën Shqipërisë. (Vepra 3, f. 333)”. E megjithatë, ky vend  si zor të vdesë. Jo sepse kështu është shkruar në himn, porse i ka mbijetuar  disa prej perandorive më të frikshme, që kanë mbijetuar në faqe të dhéut. Së fundmi, shpëtimi mbetet si zakonisht tek thirrja e genit, aty nga ku presim të gjithë dritën e shpresës në këto ditë të mbushura ndyrësisht me përgjime, lapërdhi dhe politikanë të neveritshëm. (Homo Albanicus)

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.