Intervista

Vlera Lekaj: Si të trajtoni gutën, sëmundjen e fshehtë të artikulacioneve

17:00 - 10.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Ka raste kur veshka nuk e filtron acidin urik aq shpejt sa duhet ose trupi e prodhon më tepër seç nevojitet dhe me kalimin e kohës kjo çon në formimin e kristaleve urate, të cilët kanë tendencën të grumbullohen nëpër artikulacione. Në këtë moment fillojnë të shfaqen simptomat e para të sëmundjes së fshehtë të artikulacioneve, e njohur ndryshe si guta. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjekja patologe Vlera Lekaj tregon simptomat kryesore të sëmundjes që nuk duhen neglizhuar si dhe shpjegon 3 fazat nëpër të cilat kalon guta. Lekaj më tej këshillon të gjithë pacientët e prekur mbi mënyrat e trajtimit që duhet të ndjekin.




Çfarë është sëmundja guta?
Guta është një nga shfaqjet më të shpeshta të artritit reumatoid, e cila shkaktohet nga grumbullimi i kristaleve të acidit urik në nivel të artikulacioneve. Acidi urik është një produkt natyror, i cili prodhohet gjatë shpërbërjes së molekulës biokimike të purinës, e cila gjendet në ushqime të tilla si mishi dhe frutat e detit. Normalisht acidi urik filtrohet nëpërmjet veshkës dhe nuk përbën ndonjë problem. Megjithatë, ndodh që veshka të mos e filtrojë acidin urik aq shpejt sa duhet, ose trupi e prodhon më tepër seç duhet. Me kalimin e kohës kjo çon në formimin e kristaleve urate, të cilët kanë tendencën të grumbullohen nëpër artikulacione.

Cilat janë disa nga problematikat që mund të shfaqen?
Fillimisht nuk shkaktojnë probleme, por sa më shumë kristale të grumbullohen, që mund të zgjasë me vite si proces, fillojnë të krijojnë shqetësime. Në momentin që këto kristale grumbullohen në artikulacione shkaktojnë një reaksion inflamator, me dhimbje të forta, skuqje dhe ënjtje të artikulacionit. Më i prekur është gishti i madh i këmbës i njohur anatomikisht si artikulacioni metatarsofalangeal. Rreth 50% e rasteve kanë të prekur këtë artikulacion duke zhvilluar kështu sëmundjen, e cila njihet dhe si guta apo podagër. Klinikisht ka këtë shfaqje te pacienti me dhimbje me intensitet të lartë, ënjtje të artikulacionit, skuqje, nxehtësi si dhe ndjeshmëri të shtuar rreth artikulacionit.

faqe 1 guta Image-32 61f008bdbc7ea769fcb73cc2886bdf96_XL
<
>

Si shfaqen simptomat kryesore të sëmundjes?
Simptomat e gutës zakonisht fillojnë papritur dhe zhvillohen shpejt për disa, orë veçanërisht gjatë natës. Gjithashtu, pacientët mund të kenë dhe temperaturë me ethe. Simptomat zgjasin nga 5 në 10 ditë. Artikulacione të tjera mund të përfshijnë dhe gjymtyrët e sipërme, kyçin e dorës dhe bërrylat.

Cilat janë fazat nëpër të cilat kalon sëmundja e gutës?
Fazat e gutës janë tri. Faza simptomatike ndodh kur pacientët shfaqen me vendosje të simptomave. Shfaqjet e para mund të nisin në një artikulacion por më pas mund të ketë dhe zhvillim në artikulacione të tjera, ose prekje në të njëjtën kohë të disa artikulacioneve. Faza e heshtur është periudha midis shfaqjeve të para të gutës dhe periudhës në të cilën sëmundja qëndron e heshtur pa simptoma. Mbi 60% e pacientëve mund të kenë ripërtëritje të atakut gutoz në një vit. Me kalimin e kohës dhe probabiliteti i një ataku gutoz rritet. Faza e vjetër është kur pacientët, të cilët vuajnë nga episode të përsëritura të gutës, ose që kanë nivele të larta të acidit urik ndër vite, shpesh formojnë masa të njohura si tophi, të cilat dëmtojnë kockën. Nuk janë formacione të dhimbshme tophi, por mund të inflamohen here pas here dhe japin shqetësime.

Cilët janë faktorët e riskut që agravojnë më tej sëmundjen?
Sëmundjet kronike si diabeti, hipertension, sëmundjet e veshkave, osteoartritet dhe yndyrat e larta në gjak (dislipidemi) rrisin rrezikun e zhvillimi të kësaj sëmundje. Edhe ushqimet me përbërje të lartë të purinës si mishi i kuq, prodhimet e detit, alkooli veçanërisht birra rrisin mundësinë për t’u prekur nga guta. Në 20% të rasteve pacientët e prekur kanë pasur histori familjare për këtë sëmundje. Edhe personat mbipeshë janë më të predispozuar të kenë shfaqje me problem të gutës. Disa lloje mjekimesh që mund të marrin pacientët e rritin nivelin e acidit urik dhe si pasojë dhe mundësinë për të zhvilluar gutën. Bëhet fjalë për medikamente të tilla si diuretikët, betabllokuesit, aspirina dhe antiyndyrorët.

Si kategorizohen pacientët me guta?
Rastet me guta të paraqitura tek mjeku familjes mund t’i ndajmë në dy grupe. Në grupin e parë përfshihen pacientët, të cilët nuk kanë një sëmundje shoqëruese që paraprin gutën. Në grupin e dytë kemi pacientët me guta të shfaqur në terren të insuficiencës renale kronike. Përqindjet janë 50 me 50 të dy grupeve, ku grupi i parë regjistron parametra të tillë si acidin urik deri në 5.8 mg/dl, nën mjekim të rregullt. Ndërsa grupi i dytë në të cilin pacientët kanë sëmundje shoqëruese, si Insuficienca renale vlerat e acidit urik variojnë rreth 8 mg/dl, nën mjekim të rregullt.

Si bëhet trajtimi i sëmundjes?
Trajtimi i gutës është një trajtim afatgjatë, i cili ndihmon në lehtësimin e simptomave të saj nëpërmjet reduktimit të vlerave të acidit urik. Sigurisht një sëmundje shoqëruese siç është insuficienca e veshkave, në të cilën veshka pëson një dëmtim të rëndë është më e vështirë të kemi një ulje të vlerave të acidit urik. Së fundi, për sa i përket dietës ushqimore, tek të prekurit nga gutta duhet të keni kujdes të evitoni ushqime të pasura në yndyra si mishi i kuq apo frutat e detit, sheqerin dhe alkoolin. Ndërsa këshilloheni të ushqeheni me perime, fruta, vezë, kosi, djathi si dhe shumë vitaminë C dhe shumë ujë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.