Aktualitet

Në tremujorin e parë 2019, rroga mesatare, 51.531 lekë

17:30 - 11.06.19 Gazeta Shqiptare

Paga mesatare mujore bruto gjatë tremujorit të parë 2019 është 51.531 lekë, duke u rritur me 4,9 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Gjatë tremujorit të parë 2019, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit është 97,4 % më e lartë se mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grup-sektorin e bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit është 26,3% më e ulët.



Sipas të dhënave nga INSTAT, paga mesatare e atyre që punojnë në aktivitetet bankare dhe të sigurimit ishte 101.7 mijë lekë. Por, pagat e këtij sektori kanë shënuar një rënie me gati 9%, teksa sistemi bankar është përfshirë në një periudhë të ethshme shitjesh e blerjesh dhe numri i bankave ka zbritur nga 16 në 12. Sektori i dytë më i paguari është ai i informacionit dhe komunikacionit, me një pagë mesatare prej rreth 76 mijë, me një rënie të lehtë në raport me tremujorin e fundit.

Gjatë tremujorit të parë 2019, paga mesatare bruto për grup-aktivitetin arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi ka rritjen më të madhe prej 16,3%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, ndërsa ndërtimi është i vetmi grup-aktivitet që ka ulje prej 2,8%. Paga mesatare për aktivitetin e çlodhjes ishte 54 mijë lekë, ndërsa për ndërtimin 42.4 mijë lekë.

Gjatë tremujorit të parë 2019, paga mesatare mujore bruto, për një të punësuar në grup-profesionin e ligjvënësve, nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë është 87,6% më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grupin e punonjës të shitjeve dhe të shërbimeve është 37,2% më e ulët. Paga për grup-profesionin e nëpunësve ka rritjen më të madhe prej 8,1% gjatë tremujorit të parë 2019, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, ndërsa për grup-profesionin e të punësuarve si në Forcat e Armatosura ka uljen më të madhe, prej 0,4%.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *