OPINION

Shahu durrsak në zi, Halit Haka është ndarë nga jeta

07:00 - 11.06.19 Bujar Qesja
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Lajm i hidhur vjen nga Luksemburgu. Në këtë shtet të vogël, sos frymën e fundit një emër i rëndësishëm i shahut durrsak, pse jo edhe më gjerë. Është miku ynë i çmuar, Halit Haka. Me emrin e Halitit janë lidhur të gjitha përpjekjet për të nisur traditën, nga sportet më cilësore në Durrës – shahu.




Në një nga spitalet më në zë të shtetit xhuxh të Luksemburgut, më 31 maj 2019, nuk mundi t’i rezistojë sëmundjes së gjatë, nga trajnerët e parë të shahut durrsak, Halit Haka. Më 3 qershor 2019 iu dha lamtumira e fundit këtij personaliteti të sportit, nga të afërmit, miqtë dhe shokët që ndodhen në Luksemburg.

Haliti jetonte prej shumë vite në Luksemburg tek vajza, pas vdekjes të së shoqes, Shpresës. Na kishte munguar prej kohësh, për ta takuar e për të folur për shahun siç bënim vazhdimisht. Por tanimë nuk kemi asnjë mundësi ta shikojmë as fizikisht, duke u arkivuar përfundimisht në memorien tonë. Eshtrat e tij do të treten në dhe të huaj, por në tokën e origjinës nuk do të tretet kurrë kujtimi për këtë burrë zotni, të dashur e të qeshur, të urtë dhe fisnik, modest e fjalëpak.

Nuk është pak të jesh pjesë e një shkolle të shquar kombëtare, siç është shahu durrsak. Emrat më të spikatur të shahut kombëtar, në përqindje të konsiderueshme janë nga Durrësi. Përmendim këtu dy kolosët, Fatos Muçon dhe të vetmin “Mjeshtër i Madh”, Erald Dervishi. Fillimet e Fatos Muços, 11 herë kampionit individual të shahut dhe shtatë herë i titullit kampion të Lokomotivës, i pari mjeshtër ndërkombëtar i Shqipërisë, trajner i ekipit përfaqësues, fillimet e veta në sportin e skakjerës i ka me Halit Hakën.

Mjek në profesion, duke shërbyer për shumë vite në Drejtorinë e Sigurimeve Shoqërore në Durrës, Halit Haka krijoi një pasion të jashtëzakonshëm edhe për shahun. Veçanërisht në fund të viteve 50-të dhe më tej, ai mbetet ndër të parët shahistë që e nisi këtë sport, për të qenë në drejtim të ekipit të Lokomotivës në kohën më të artë të tij. Titulli i parë kampion erdhi në vitin 1974, kur Lokomotiva përbëhej nga emra të tillë pikantë si Fatos Muço, Kozma Nasto, Hamza Xhakoni, Eqerem Nurçellari dhe Bedri Gripshi.

Më pas pjesë e Lokomotivës së famshme të shahut u bënë edhe Harallamb Boshku (i ndarë nga jeta para pak muajsh), Lorenc Rama, Altin Çela, Kreshnik Mançe, Erald Dervishi etj., duke e lënë tërë këtë kohë Durrësin në elitë të shahut kombëtar dhe me gjurmë aktive edhe në shahun ndërkombëtar.

Lajmi i largimit nga jeta në moshën 84-vjeçare i Halit Hakës na ligështoi pa masë. Shahu durrsak është në pikëllim të plotë, pasi humbi një tjetër protagonist pas Llambi Boshkut. Do të na mungojë ai njeri, që në librin e pasur të shahut durrsak, sigurisht është në faqet e para. Dhe ky është emri i paharruar, Halit Haka.

Ngushëllime më të ndjera familjes dhe të afërmve të tij, por edhe komunitetit durrsak të shahut, miqve dhe shokëve, të cilët në shpirt i japin lamtumirën e fundit këtij qytetari dhe intelektuali model të Durrësit.

Dheu i lehtë, Haliti ynë i paharruar!

Në foto: Teuta kampione e vitit 1974. Lart nga e majta Fatos Muço, Halit Haka, Hamza Xhakoni. Poshtë nga e djathta: Kozma Nasto, Bedri Gripshi dhe Eqerem Nurçellari.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.